• |
ide | kryesore

Mbi Gjykatën Speciale

Arkiva, Ide
arben idrizi.jpg



Megjithëse e përçmuar, e fyer, e sharë dhe e injoruar, presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, deri më tani është treguar personaliteti politik më human dhe konsekuent në paraqitjet e veta publike, në mbrojtje të Kushtetutës, lirive dhe të drejtave njerëzore, parimeve dhe vlerave demokratike.

Natyrisht, e edhe po patët të drejtë vlerësimi prapë mbetet i tillë, ju mund të më bëni vërejtje të shumta, ndër të tjera se, ta zëmë, ajo nuk është zgjedhur nga vota e qytetarit (por është zgjedhur nga përfaqësuesit politikë të zgjedhur nga vota e qytetarit), vjen nga policia (vërejtje diskriminuese), është injorante (jo më pak se kryeministri e aq më pak se krye parlamentari apo deputetët e tjerë për më tepër të dyshuar për krime të ndryshme para, gjatë dhe pas luftës), nuk janë qëndrimet dhe pikëpamjet e saj (mundet, e nuk ndodh vetëm me të – gjithsesi ajo i ka përvetësuar ato dhe e përdor tërë ndikimin e pozitës së saj që ato qëndrime dhe pikëpamje të zhvillohen, përhapen dhe mbrohen), etj.

Ajo, për shembull, nuk është treguar aq hipokrite dhe mizore, të paktën deri më tani, ta zëmë si kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili drejton një Kuvend të lindur nga dhe të bazuar në një Kushtetutë demokratike që i mbron të drejtat e komuniteteve dhe në anën tjetër, në ambiente populiste (më saktësisht në një program televiziv argëtues) deklarohet me përçmim se ajo Kushtetutë lejon edhe gjëra të atilla si të drejtat e komunitetit LGBT.

Ajo nuk është treguar aq hipokrite dhe mizore si pothuajse të gjithë politikanët e tjerë përkitazi me idenë e krijimit të një gjykate për krimet e luftës në Kosovë.

Bile është personaliteti i vetëm politik që po përpiqet ta avancojë dhe ligjësojë këtë. Natyrisht, edhe duke e thënë atë që duhej të ishte e vetëkuptueshme: një gjykatë e tillë do të ketë të bëjë me individë të caktuar për krime të caktuara!

Por, pyetem unë, edhe sikur të kishte të bënte më shumë se me ca individë, çfarë atëherë? Do të duhej të përligjnim, heshtnim, mbronim edhe krimet e diçkaje që është më shumë se individi? Do të duhej të përligjnim, heshtnim dhe mbronim krimet e një organizate, lëvizjeje apo çkadoqoftë?

***

Në dy tekste të mëparshme, ndër vite, kam hedhur idenë e një Tribunali për krimet e luftës, brenda në Kosovë, të përbërë nga prokurorë e gjykatës vendës. Natyrisht, duke kërkuar që e tërë ajo të mos bëhet vetëm sa për sy e faqe.

Përtej asaj, me rëndësi është se së fundi po bëhen të gjitha përpjekjet që të arrihet deri të krijimi i Gjykatës Speciale për krimet në Kosovë.

Një Gjykatë e tillë, mendoj, është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë.

Përvoja jonë historike dhe ajo letrare na ka mësuar se lufta, cilado qoftë ajo, është një fatkeqësi dhe si e tillë e bën njeriun, grupin, shoqërinë të reagojë në mënyra të ndryshme, deri edhe të bëjë krimet më të përbindshme, jo vetëm në kërkim të nënshtrimit të tjetrit, por edhe në kërkim të shpëtimit nga tjetri. Më tej se sidomos personat e pushtetshëm janë në të njëjtën kohë edhe bartësit më të fuqishëm të dhunës, të së keqes. E sa më shumë që atyre veprimeve johumane iu vishen qëllime humane, parime dhe vlera edhe universale, aq më të shumta janë mundësitë e përfundimit në krime të pabesueshme. Apo edhe më tej, çka përpiqem prej vitesh ta studioj, se shumë herë vihen në krye, të shprehemi si moralizues pa dashur, të qëllimeve të pastra shoqërore pikërisht persona krejtësisht të papastër. Në një rast të tillë, rreziku që ata t’i bëjnë ato krime të pabesueshme në emër të asaj shoqërie qëllimmirë, të pambrojtur dhe në zgrip të ekzistencës fizike, është edhe më i madh dhe më i hapur.

Solzhenicin thotë te ‘Arkipelagu gulag’ se letërsia, në një perifrazim të lirë, i ka bërë shumë dëme lexuesit duke mos ia treguar të vërtetën për të keqen dhe keqbërësit. Ai është i mendjes se eksperienca na tregon se, përkundër letërsisë që mendon se i keqi e nxjerr vetë fytyrën dhe qëllimet e veta në sipërfaqe (Fausti, Jago etj, – ata vazhdimisht thonë: “Ja, unë jam i keqi!”), në të vërtetë i keqi maskohet dhe mashtron vazhdimisht; ai thotë, të përdorim diskursin tonë aktual: “Ja, unë jam shpëtimtari,unë jam çlirimtari, unë jam mishëruesi i të mirës, parimeve dhe vlerave, unë jam hero, lufta që unë bëj është e pastër, lufta jonë është e shenjtë, ne po sakrifikohemi për ju, etj.”.

A s’e ka bërë këtë dëm historiografia dhe letërsia shqiptare në pafundësi?

Tani, sigurisht se ajo Gjykatë Speciale s’do t’i fshijë gabimet e asaj historiografie dhe letërsie, as s’do ta bindë opinionin e përgjithshëm se edhe ne jemi njerëz, dmth edhe ne jemi vrasës, keqbërës, mashtrues dhe demonë. Duhej të bindeshim pa zhvillimet e asaj Gjykate. Duhej të bindeshim nga përvoja jonë. Nga ajo përvojë që na ka mësuar se persona të caktuar, më konkretisht pothuajse shumica e komandantëve të UÇK-së dhe drejtuesit politikë të saj, kanë përdorur pushtetin e tyre të grabitur për të mbajtur atë pushtet, për të eliminuar kundërshtarët, për t’i gjykuar sipas kutit të vet të tjerët dhe për t’i plaçkitur fondet e mbledhura nga popullata gjatë luftës dhe të mirën e përbashkët pas luftës. Të gjitha këto janë krime për të cilat duhej t’i nxirrnim para drejtësisë vetë ne, pa e pritur bashkësinë ndërkombëtare. Dhe përderisa s’do ta bëjmë vetë ne, Gjykata Speciale e krijuar nga bashkësia ndërkombëtare do të jetë vetëm një e mirë tjetër që na e bëjnë të tjerët dhe një e keqe tjetër që ia bëjmë vetes. Nëse askush nuk beson se – dhe nëse vërtet ne nuk – jemi të zotë të krijojmë një gjykatë kundër krimeve të luftës, atëherë i bie se ne në të vërtetë nuk jemi një shoqëri e zhvilluar mbi parimet bazë të humanizmit dhe demokracisë. Ne ende jemi në gjendjen njerëzore barbare. Ku vrasim për të dëshmuar se vrasja është e lejueshme, e pastër dhe e shenjtë dhe nuk lejojmë të gjykohemi për barbarinë tonë të mbajtur për vlerë.