• |
ide | kryesore

Sms e Tahirit: elefanti në dhomë apo gjurmët e çimkës?

Arkiva, Ide
lela.jpg



Një sms, origjina e së cilës mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht, por që përfshin ministrin e Brendshëm Tahiri, kryeministrin Rama dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, po krijon rrathë mediatikë të panumërt. Ka gjithashtu një përpjekje për të krijuar rrathë të rinj mbi ta, gjë e pritshme kjo, të cilët synojnë të zhvendosin, jo vetëm jehonën e debatit, por edhe thelbin e tij, nga situata e rendit në vend tek etika apo ekstralegaliteti.

Që do të thotë, për të bërë zemër të ligjërimit publik jo atë që shpalos kjo sms, situatën problematike të sigurisë së brendshme dhe hipokrizinë qeveritare rreth saj, por ‘nga erdhi sms?’; a po përgjohet Kryeministri? e të tjera. Është një përpjekje e llojit ‘që të mos mbytemi në këtë ujë, ta ngrijmë akull e të kalojmë matanë’. Domethënë t’ia hedhim pa lagur.

Implikimet e kësaj përpjekjeje janë disa, por më i rrezikshmi është precedenti i një hipokrizie dhe hipnoze të dyfishtë. Ministri i Brendshëm vazhdon të mbrojë idenë se punët me rendin e sigurinë shkojnë mirë, ose të paktën më mirë se një vit më parë, edhe pse me tekstin të cilin e pranon si të vetin, thotë se janë si mos më keq. Vrimës së këtij fyelli i bien edhe shqytarët, zyrtarë ose jo të qeverisë, të cilët vazhdojnë të flenë nën dafinën e madhe të paqes ku ka vetëm puthje e krime kurrënjë. Është hera e dytë që nga e majta e spektrit na afrohet një paradoks i tillë. Dikur pat qenë socialistja vetëmohuese e provincës që u kërkonte Nanos e Metës që, vetëm ata, aman, të shkonin mirë, pa lumi t’i merrte të tjerat. Sot vetëmohuesit janë të veshur më mirë, por gjithsesi hallexhinj i kanë mendimet.

Duke qenë se rendi publik u intereson të gjithëve, është në interesin e të gjithëve që të jenë të sigurt dhe kjo siguri të vijë nëpërmjet levave të shtetit të zgjedhura apo emëruara për këtë garantizëm. Kur në dorë të publikut bie një informacion i cili e kundërshton variantin zyrtar të kriminalitetit, dhe për më shumë këto të dhëna janë për qarkullim të brendshëm, pra mbahen larg publikut, ky i fundit duhet të shqetësohet dy herë. Sepse, e dyfishtë është lënia në baltë nga shteti: njëherë në formën e inkompetencës, e herën e dytë në manipulimin e së vërtetës.

Para se të pyetet ‘si u sigurua ky informacion?’; a ka përgjime të krerëve të shtetit? etj., duhet pyetur ‘si dhe pse u fsheh e u manipulua ky informacion?’ Mes fshehësve dhe zbuluesve të së vërtetës duhet ta kërkojmë, sigurisht, edhe përmasën etike. Për lehtësi argumenti le të pranojmë se të dy palët kanë shkelje etike, si qeveria që e fsheh/manipulon informacionin, edhe opozita që me gjasë e nxjerr me përgjim. Edhe në një rast të tillë qeveria, jo opozita, ka një shkelje më shumë të kontratës me publikun.

Pa harruar edhe një variabël tjetër të së mundshmes: sms-ja mund të jetë informacion i rrjedhur nga një prej marrësve i cili e ka shpërndarë, me qëllim ose jo, derisa ka rënë në duart e opozitës. Pa u vënë emra, cilatdoqofshin, këto leva anonime i kanë bërë një shërbim publikut dhe kanë dëshmuar virtuozitetin e demokracisë. Ky është thelbi i saj: checks and balances. Edhe kur mbulohen, edhe kur duken të pamundura, ato dalin në krye, qoftë edhe duke u shumëfishuar nga parimi i vetes.

Thelbi i sms, më anë tjetër, mbetet i njëjtë: diçka mban erë sa i takon rendit e sigurisë në Shqipëri dhe këtë e dinë fare mirë edhe personat përgjegjës. Anipse luajnë kukamfshehtas në televizione. Sa për përpjekjen e fshehjes së skandalit të punëve të pabëra të qeverisë me skandalin e asaj që është puna kryesore e opozitës, rojëtar i pushtetit, nuk mjafton që uji të ngrijë akull. Për të duhen ujërat e fundbotshme të Apokalipsit.