• |
ide | kryesore

Mesi i ndryshuar. Një portret për fenomenin që dështoi këtë herë

Arkiva, Sport
photo.jpg



Botërori që iku nga duart është një prej dhimbjeve të shumta të Leos. Ajo që djeg më shumë, më e freskëta. Do u bashkohet dhimbjeve të tjera që depërtojnë në fizikun dhe mendjen e fenomenit të vogël e të madh. Natën e finales, edhe pjesa tjetër e botës e kuptoi që Messi i pandalshëm ia ka lënë vendin një tjetri. Një gjeni i trishtuar.

Një fenomen që duket se nuk e ka më dhuntinë e fenomenëve: dominimin e hapësirës ku gjërat nuk kanë ndodhur ende. Një njeri, sepse i tillë është tani Messi, i cili duket i shtypur prej peshës së asaj që përfaqëson dhe asaj që njerëzit presin prej tij. Një njeri që ka nisur të mësojë mizorinë e jetës. Finalja e Botërorit ka rinxjerrë në pah dhimbjet e Leos që nuk është më i ri, e të cilat ishin manifestuar tashmë që në Barcelonë. Disa të mbështjella prej misterit.

Pas humbjes, Pleshti u duk pothuajse i shkëputur nga bota. Ndërkohë që shokët qanin dhe ngushëlloheshin, ai mbeti mënjanë, me sytë e skuqur prej lotëve që nuk donin të dilnin.

Më pas, mori indiferent trofeun e topit të Artë të Botërorit. E dinte që nuk e meritonte. Dhe Maradona e ka thënë me zë të lartë. “E dua shumë Leon dhe do i dhuroja parajsën, por ky është një çmim marketingu”. Pas përpjekjes së dështuar për të arritur Pibe de Oron, Leo ka nxjerrë disa fjalë që dukeshin rrethanore: “Kam përjetuar gjithçka me shumë trishtim.

Donim t’i dhuronim gëzim popullit tonë. Eshtë një goditje e rëndë për mënyrën si erdhi, por ne dalim me kokën lart. Meritonim më shumë, nuk arritëm të shënojmë, pavarësisht rasteve”. Por ata që e njohin thonë se zhgënjimi ka qenë vërtetë shumë i madh.

Dhimbjet fizike

E kish nisur me këmbën e duhur, 4 kryevepra alla Messi, Argjentina në një të tetat e finaleve. Asisti për Di Marian në ndeshjen me Zvicrën. Pastaj, pak a shumë errësirë. Teorikisht, pas katër vitesh Messi ka shansin për të mbushur të vetmin boshllëk që i ka mbetur në vitrinën e tij. Në teori.

Por a është në gjendje të rikthehet vetvetja? Cfarë ka me të vërtetë?

Pas një grumbulli kampionatesh, Kupash kampionesh, topash të Artë dhe rekordesh të thyer, a ka më gjë për të dhënë? Apo mos trupi dhe mendja e tij kanë thënë mjaft dhe ka nisur rënia e parakohshme? Do ta shohim. Ndërkohë, duhen rregjistruar dhimbjet e tij. Edhe në natën më delikate, Leo ka vjellë. Përpara telekamerave i kishte ndodhur shtatë herë.

Hera e parë në vitin 2011, në Superkupën e Spanjës, në Bernabeu me Realin. Hera e dytë një vit më vonë, në Sevilja. Pastaj më shpesh, deri në Maracana. Ai është përpjekur gjithmonë të minimizojë: “Më ndodh gjatë ndeshjes, në stërvitje, kur jam në shtëpi… Nuk e di mirë çfarë është, kam bërë me mijëra analiza, por asgjë. Nuk e kanë kuptuar. Për momentin marr një tabletë dhe më kalon. Gjatë lojës, krejt papritur ndiej trazirë, por sapo vjell më kalon”.

Po, por nuk është normale. Prej pak kohësh Leo ka marrë një dietologe, Silvia Tremolada. Për momentin, as me të nuk ka patur rezultate. Në këtë kuadër, është për t’u regjistruar që ky Messi nuk ka më shpejtësinë që e bënte unik, të pakapshëm edhe për ata që donin ta rrëzonin. As edhe rezistencën.

Disa mendojnë që Leo është gati për një transformim taktik. Jo më një nëntësh fals, lojtari që driblon të gjithë dhe shkon të shënojë i vetëm. Por trekuartist që u jep asiste të tjerëve. Ndoshta prandaj ka ndodhur blerja e Suarezit. Fjalën e ka Luis Enrique.

Truri dhe shpirti

Dihet që trupi dhe truri janë të lidhur. Messi që zbarkoi në Botëror ishte një fenomen i stresuar prej pritshmërive, nga vera paraardhëse shumë e lodhshme dhe nga sezoni plot mundime. Në fakt, mes qershorit dhe gushtit 2013, në vend që të pushonte përshkoi 122 333 km në 62 ditë (vetëm Australinë nuk preku) në angazhime, pritje dhe ndeshje miqësore për bamirësi.

Nga 16 dëmtime në karrierë, 5 i ka pësuar në 7 muajt e fundit. E vështirë të mbërrinte në formë në Botëror. Për më tepër, iu desh të përjetojë largimin e Guardiolës. Mbi të gjitha, nuk arriti të marrë veten nga një lamtumirë më e dhimbshme: ajo e Tito Vilanovës. Leo ishte shumë i lidhur me teknikun që vdiq nga një tumor në muajin prill. E kishte si një baba të dytë. Ai e kishte stërvitur dhe këshilluar që kur erdhin në Europë, një 13-vjeçar i shkurtër, që kish nevojë për hormonin e rritjes.

Jo më kot Vilanova, dy ditë para se të vdiste, deshi të takonte vetëm një lojtar: Messin. Leo, shumë i ndjeshëm, nuk arrin ta përjetojë si duhet zinë.

Dhimbje familjare

Edhe sepse babai i tij natyror po i shkakton vetëm telashe. Eshtë ai që menaxhon financat e Leos (pasuri 150 milionë euro) dhe kështu që është ai që e ka futur në telashe me institucionet e Financës. Pleshti sapo i ka derdhur qeverisë spanjolle 33 milionë euro si gjobë. Dhe çështja nuk është mbyllur. Një tjetër dhimbje.

Tani Leo është përpjekur të shmangë një më të vogël: dorëheqjen e Sabejës. Një që e përkëdhelte. Që e dëgjonte, ndoshta shumë. Eshtë paradoksale, por brenda dështimit më të madh, Leo është ndjerë pothuajse qetë. Kishte rigjetur miqtë, ndiente atmosferën e shtëpisë, larg prej problemeve dhe prej dhimbjeve.

Duhej të kontrollonte vetëm stresin e pritshmërive. Nuk ia doli. Do të kish dashur ta provonte pas katër vitesh me Sabejën: “Do të doja që të qëndronte”. Por traineri ka qenë i palëkundur: “Cikli im është mbyllur”. Leo do të rifillojë me dy trainerë të rinj. Dhe ndërkohë, ka fituar solidaritetin e Mourinjos: “E lehtë ta respektosh kur fiton. Eshtë një lojtar i madh edhe pa Botërorin”. E vërtetë. Por të gjithëve u pëlqejnë përrallat që zgjasin deri në fund./bota.al