• |
ide | kryesore

Urrejtja maqedonase

Arkiva, Ide
emin-azemi.jpeg



Dy qenie të pafajshme, nënë e bijë nga Shqipëria, nuk kanë mundur të besojnë se ka ende mbetje të civilizimit bashkëkohor që nuk kanë arritur të treten nga procesi i demokratizimit shoqëror e human. Një brutalitet i paparë policor kundrejt dy grave të brishta që po vinin të rregullonin vizën në një ambasadë të huaj në Shkup, do të duhej të alarmonte jo vetëm ata që janë të detyruar ta mbrojnë dinjitetin e qytetarëve të rrezikuar – shtetin shqiptar, por të gjithë ato mendje të fjetura që ende mendojnë se demokracia është proces i ngadalshëm që vetvetiu i sjell gjërat në vendin e saj.

 
Demokracia dhe policia maqedonase, ende vazhdojnë të qëndrojnë larg njëra tjetrës, si dy pole që i japin dhe i marrin njerëzimit ftohtësi dhe nxehtësi, duke i shkaktuar planetit çrregullime termo-fizike.
 
Një model i keq, i trajnuar në shkollat e prapambetura të urrejtjes dhe deficitit moral e qytetërues, kjo farë policie duhet një orë e më parë të izolohet nga shoqëria dhe në vendin të saj të sillen njerëz me kapacitete mendore e civile që i bëjnë nder shtetit dhe shoqërisë që u takojnë. Një polici e tillë, po qe se lihet e lirë të veprojë si t’i teket, paraqet rrezik permanent për lirinë dhe të drejtat e njerëzve, sidomos të atyre që rastësisht nuk e flasin gjuhën e policit.
 
 
 
Një punonjës policie që gjithkund në botën e qytetëruar bën punën e shërbyesit të qytetarit, në Maqedoni ka konotacion tjetër. Në të gjitha kodet policore, përfshi edhe atë të MPB-së së Maqedonisë, është e nënvizuar me shkronja të zeza një rregull fundamental që karakterizon punën e policit: gjatë gjithë kohës dhe në çfarëdo lloj rrethane, të mbrojë dhe respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të përcaktuara me Kushtetutë, me ligje të aplikueshme dhe të krahasueshme me një instrumentarium rregullash ndërkombëtare. Pastaj detyrë e parë e policit, si zbatues i ligjit, është që të njohë kufijtë e shtrirjes së autorizimit të tij gjatë zbatimit të ligjit. Ky postulat ka prodhuar një rregull tjetër, i cili thotë se punonjësi  policor duhet të jetë i vetëdijshëm që veprimtaria e tij nuk është vetëm çështje formale, si obligim që del nga Kushtetuta dhe ligji, se përgjegjësia e tij nuk përfshin vetëm një kuptim të ngushtë të  të drejtave, detyrave për zbatimin e autorizimeve, por gjithashtu nënkupton vetëdije për t’i kuptuar drejt vlerat morale, etike, të cilat përcaktojnë rolin e policisë në shoqëri.
 
Implementimi i standardeve profesionale dhe braktisja e sjelljeve të caktuara tradicionale, zëvendësimi i rolit dhe kuptimësisë bashkëkohore të policisë nga dominimi mbi qytetarin tek respektimi i lirive dhe të drejtave të tij, do të duhej të jenë pjesë e edukimit policor. Nuk besojmë që edhe policët që keqtrajtuan dy gratë nga Shqipëria në pikëkalimin Qafë Thanë, nuk i kanë dëgjuar këto rregulla sa kanë qenë nxënës të shkollës së policisë. Shtrohet pyetja tani, se ku i mësuan ato sjellje kaq brutale këta policë dhe kush u ka thënë atyre se vetëm nga Shqipëria vijnë njerëz të rrezikshëm për ta prishur shtetin mijëravjeçar të Maqedonisë? Çfarë rreziku panë këta policë tek ato fytyra të ndrojtura që, nga halli e jo nga qejfi, kishin marrë udhën për në Shkup? Çka mendojnë këta farë policësh, si do të ndiheshin ata sikur një ditë, në të ardhmen, në udhë për në Vlorë a Sarandë, ndonjë nënë a motër e tyre, do të tërhiqej zvarrë dhe të troshitej birucave policore dikund në Shqipëri?
 
Sipas logjikës policore maqedonase, çdo i dyti qytetar shqiptar, sidomos gjinia femërore, që vjen nga Tirana, Elbasani, Gjirokastra, Korça, janë ose kontrabandistë, ose prostituta, ose keqbërës natyrash të ndryshme. Ata nuk mund ta marrin me mend se niveli intelektual e qytetar i çdo të dytit shqiptar që vjen në Maqedoni, është për disa shkallë më i lartë se secili polic i keqedukuar i Maqedonisë.
 
Mund të radhiten edhe shumë argumente për të vërtetuar se barazimi paushall që u bëhet qytetarëve shqiptarë, duke i trajtuar të gjithë ata si të dyshimtë, paraqet krizën më të madhe të funksionimit të policisë maqedonase. Kjo krizë mund të vërehet në trajtimin jo të njejtë të trazirave urbane nëpër rrugët e Maqedonisë dhe nga ajo që shihet mund të konstatohet se gjithë doktrinën e saj mbrojtëse, policia maqedonase e ka të ngritur mbi luftimin e rrezikut që gjoja vjen nga faktori shqiptar, qoftë ai brenda apo jashtë. Dhe kjo, tashmë nuk është vetëm çështje thjesht operative e njerëzve me uniformë, ku politikanët do të mund të ndiheshin komodë. Përkundrazi, këta të fundit mbajnë përgjegjësi për kontrollin politik e civil mbi policinë. Ata mbajnë përgjegjësi se cili duhet të jetë relacioni polic-qytetar dhe a ndodh që ky relacion të prishet ndonjëherë, në varësi se cilën gjuhë flet qytetari.
 
Pafuqia e politikës për të mbikqyrur punën e policisë, sidomos të asaj që mbulon interesat e shqiptarëve, nuk bën të marrë përmasa të cilat nesër do të mund të jenë shumë shqetësuese. Dy gratë e keqtrajtuara nga Shqipëria, për përfaqësuesit shqiptarë në Shkup, Tetovë e Zajaz, duhet të jenë pikënisja e ndërgjegjësimit dhe reflektimit në rrugën e gjatë e të mundimshme për të identifikuar dhe diferencuar ato dukuri e sjellje, të cilat nëse nuk luftohen sot nga politika legale, nesër mund të luftohen nga tjetërkush paksa më ilegalisht. Mbase, ilegalët e djeshëm është mirë të na ndihmojnë që mos t’i kthehemi rrugëve të fshehta, sepse shqiptarët në Ballkan dhe më gjerë po tregohen aleatë të denjë të vlerave civilizuese Perëndimore dhe është e padrejtë që ata sërish t’i fusim në skema klandestine të veprimit.