• |
ide | kryesore

A e provokon Hamasi Izraelin që të sulmojë Gazën

Arkiva, Ide
dabashi.jpg



Në pjesën më të madhe të raportimeve të medias amerikane dhe europiane rreth masakrës aktuale të Izraelit ndaj palestinezëve, një refren i zakonshëm është se Hamasi, gjithashtu, ka hedhur disa raketa drejt Izraelit. Me sistemin e sofistikuar të mbrojtjes që zotëron Izraeli, një kortezi e taksapaguesve amerikanë, asnjë nga këto raketa nuk qëllon ndonjë objektiv dhe për fat të mirë asnjë burrë, grua apo fëmijë izraelit nuk ka humbur jetën apo gjymtyrët prej tyre. Ky fakt pothuaj i ka mërzitur BBC-në, CNN-in apo çdo altoparlant tjetër paturpësisht pro-izraelit që kërkon të “balancojë” raportimet për Gazën duke përmendur faktin se edhe Hamasi ka hedhur disa raketa drejt shtetit hebre.

Në një shembull veçanërisht të ulët, Diane Sawyer e televizionit ABC paraqiti një foto të palestinezëve duke u përballur me bombardimet izraelite, por i tha audiencës së saj amerikane se këto ishin pamje të izraelitëve nën sulmet e Hamasit.

Sido që të jetë, fakti mbetet se Hamasi hedh disa raketa drejt Izraelit dhe, anipse këto raketa nuk dëmtojnë njeri, kjo nuk e zbut qëllimin e tyre, i cili është të godasë diku apo të dëmtojë dikë. Kështu, operacioni i Hamasit ka si qëllim të dëmtojë njerëzit, por nuk mund ta bëjë këtë, pasi makineria e tij ushtarake nuk prodhohet nga Shtetet e Bashkuara.

Falë AIPAC dhe lobeve të tjera izraelite, si dhe miliarderëve pro-izraelitë, mes të cilëve edhe ata që inkurajojnë Presidentin e ShBA-ve Barak Obama të sulmojë Iranin për llogari të Izraelit, Izraeli gëzon një marrëdhënie speciale me makinerinë ushtarake më vdekjeprurëse në planet dhe e bashkëndan sipas dëshirës atë forcë vdekjeprurëse. Hamasi, në këtë drejtim, ka humbur ofertën e tij ndaj homologëve të tij izraelitë dhe çfarëdo ndihme ushtarake që mund të marrë nga jashtë vjen nga vende si Irani, që zor se mund të krahasohen me makinerinë vdekjeprurëse gjigande të quajtur ShBA.

Raketat e çoroditura

Në atë gjendje të pavlerë që janë, pse Hamasi i hedh këto raketa të çoroditura, dhe pse nuk i ndalon përfundimisht? Pse ngacmohet? Ata nuk krahasohen dot me ushtrinë izraelite. Mbi të gjitha, në këtë sfidë Hamasi është Davidi dhe Izraeli Golia. A nuk do të ishin më mirë palestinezët pa Hamasin që përpiqet t’i mbrojë në Gaza?

Këtu duhet ta shtrojmë pyetjen në një kontekst pakëz më të gjerë. A nuk është Hamasi një organizatë legjitime palestineze, me mbështetje të mjaftueshme kapilare, e cila fitoi në shumicë zgjedhjet parlamentare në Gaza në vitin 2006? Unë kam njohur dhe akoma njoh shumë palestinezë që nuk e pelqejnë Hamasin, nuk janë dakord me ideologjinë e tyre dhe kundërshtojnë mënyrat e tyre. Por këta palestinezë me opinione politike të ndryshme janë po aq sa Hamasi pjesë e rezistencës palestineze ndaj pushtimit dhe vjedhjes së atdheut të tyre.

Si çdo shoqëri tjetër e pasur në diversitet, palestinezët përbëhen nga ndjekës të shumë besimeve, politikave dhe ideologjive. Palestinezët janë të krishterë, myslimanë, ateistë dhe agnostikë. Ata janë nacionaliste dhe/ose socialistë. Ata janë sekularistë, islamistë, post- islamistë, dhe post- sekularistë. Ata janë feministë, modernistë, post-modernistë, dekonstruksionistë, atdhetarë hera- herës, dhe kosmopolitë hera- herës, unionistë, pacifistë, militantë, quaji. Njëri prej tyre qe figura themeluese e shkollës së mendimit kritik të quajtur studimet post- koloniale.

Deri më sot, aspekti më i qëndrueshëm dhe përfundimtar i rezistencës palestineze ndaj pushtimit dhe grabitjes së atdheut të tyre gjatë dekadave ka qenë mosbindja civile paqësore. Rezistencë për palestinezët është përfundimisht kush janë dhe çfarë janë ata. Ata mund të jenë poetë si Mahmoud Darwish, romancierë si Ghassan Kanafani, prodhues filmikë si Michel Khleifi, arstistë si Mona Hatoum, feministë si Lila Abu Lughod– por në punën e tyre, çfarëdo pune që bëjnë, ata kundërshtojnë dhe sfidojnë plaçkitjen e armatosur të atdheut të tyre.

Por ka edhe palestinezë që kanë marrë armët dhe kundërshtojnë horrat me dhunë. Si pjesë e kësaj rezistence, Hamasi është element përbërës i lëvizjes kombëtare për çlirimin e Palestinës, por si të gjitha format e tjera të rezistencës, Hamasi nuk është përkufizues për Palestinën.

Makineria propagandistike e Izraelit

Ajo që bën makineria propagandistike e Izraelit është të reduktojë tërësinë e Palestinës, mozaikun e pasur dhe të diversifikuar të rezistencës palestineze tek Hamasi, pastaj të demonizojë Hamasin. Strategjia funksionon, veçanërisht e ndihmuar dhe e përkrahur nga media korporative apo e sponsorizuar nga shteti, si BBC, ABC, apo CNN. Ekzekuto këtë strategji dhe vazhdo tërbimin ndaj palestinezëve, gjymtoji dhe vriti pa u ndëshkuar.

Tani, për hir të argumentit: supozoni se zgjohemi nesër në mëngjes dhe nuk ka më Hamas për të hedhur ndonjë raketë të papërdorshme ndaj Izraelit. Pastaj çfarë? Bujaria madhështore izraelite do të hyjë në veprim dhe do t’ua kthejë Palestinën e vjedhur të zotëve të saj të ligjshëm? Sigurisht që jo. Supozoni që Hamasi nuk ka ekzistuar fare që nga krijimi i tij në vitin 1987. Po pastaj? Do t’ua kishte kthyer Izraeli Palestinën të zotëve të tij të ligjshëm? Sigurisht që jo.

Palestinezët janë të larmishëm dhe kanë plotësisht të drejtë të rezistojnë dhe kundërshtojnë pushtimin dhe grabitjen e atdheut të tyre me të gjitha mjetet që ata i gjykojnë të nevojshme– qoftë kjo një këngë e bukur nga Muhammad Assaf, një poemë madhështore nga Mahmoud Darwish, një film nga Elia Suleiman, një roman nga Ghassan Kanafani, një libër mbi konstumografinë palestineze nga Widad Kawar, apo një tjetër libër për kuzhinën palestineze nga Rawia Bishara apo nga organizata marksiste militante PFLP (Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës), apo njëmend përmes ideologjisë islamiste të Hamasit.

Mund të mos biesh dakord me Hamasin, mund të mos u bashkohesh radhëve të tij, por nuk mund të reduktosh të gjithë mozaikun palestinez të rezistencës në Hamasin, apo t’i kërkosh Hamasit të shpërndahet, sepse izraelitet janë të gatshëm t’ua kthejnë Palestinën të zotëve të ligjshëm të saj.

Kështu që, pohimet false se Hamasi provokon Izraelin për të sulmuar Gazën, janë jo vetëm të rreme si subjekte, sepse operacionet e ushtrisë izraelite në Palestinë datojnë shumë më herët se çdo operacion i Hamasit, por edhe sepse palestinezët në tërësinë e tyre nuk janë as të reduktueshën në Hamasin, as nuk mund t’u mohohet e drejta për të rezistuar ndaj pushtimit në çdo formë që e gjejnë të nevojshme. As ndarja e këtyre formave të rezistencës në “të moderuara” dhe “militante” nuk do të çojë asgjëkundi, përveçse në think tank-et molepsëse të Uashingtonit.

Një film nga Annemarie Jacir, një instalacion arti nga Emily Jacir, një poemë nga Rafeef Ziadah apo Dana Dajani, apo një këngë prekëse nga Rim Banna janë pafundësisht më radikale se çdo raketë joserioze që mund të hedhë Hamasi. Makineria izraelite e propagandës nuk dëshiron që bota t’i njohë këto forma sfiduese radikale të rezistencës palestineze, që e kanë zënë për fyti sionizmin për breza të tërë dhe nuk e lejojnë të gëlltisë Palestinën. Por ata ngrenë lart Hamasin si fytyra e Palestinës.

Barbaritë ushtarake

Kush e di sa vota mund të grumbullojë Hamasi në Palestinën e ardhshme të lirë dhe demokratike. Por ne nuk jemi askund me atë moment tani. Izraeli dhe barbaritë e tij kriminale ushtarake janë pengesa kryesore pse ne nuk jemi askund me atë pikë. Deri atëherë, Palestinezët janë përsosmërisht në të drejtën për t’i rezistuar plaçkitjes së atdheut të tyre me çdo mjet që e gjykojnë të nevojshëm, përfshirë edhe, por duke mos u kufizuar vetëm në, Hamasin.

Hamasi nuk e provokon Izraelin që të sulmojë Gazën. Palestinezët po. Vetë emri i Palestinës, vetë fakti dhe dukuria e të qenit palestinez, dëshmitar i falimentimit moral të vetë idesë së sionizmit janë ato që e provokojnë Izraelin. Ekzistenca e thjeshtë e palestinezëve është refuzim i Izraelit dhe ideologjisë dominuese të sionizmit. Kjo është arsyeja që Golda Meir e tha me bujë se nuk ekzistojnë palestinezë, se po të ekzistonte ndonjë palestinez, ajo (Golda Meir) do të kishte qenë shaka. Kështu, asaj iu desh të thoshte se nuk ka palestinezë, që të bëhej kryeministre e Izraelit.

Pra, saherë që të dëgjoni një propogandues izraelit që ju përmend fjalën “Hamas”, zëvendësojeni atë me “palestinezë” dhe kallëzuesori i zëvendësuar do të jetë shumë më afër dhe më i vërtetë ndaj asaj që duan të thonë. Ata duan ta rrafshojnë atë tokë nga njëri skaj në tjetrin, të vazhdojnë ta spastrojnë etnikisht dhe ta quajnë Izrael, dhe, siç e shprehu troç një i ri izraelit, t’i derdhin palestinezët në det.

Sionizmi, si një makineri vrasëse e pushtimit kolonial, nuk do të ndalë derisa të jetë marrë edhe centimetri i fundit i tokës së Palestinës – ndërsa palestinezët qëndrojnë akoma në atdheun e tyre, i rezistojnë pushtimit, krijojnë, këndojnë, vallëzojnë, kompozojnë muzikë dhe poezi, bëjnë filma, vënë në skenë drama, organizojnë vepra të mosbindjes civile, mobilizohen për BDS (Bojkot, Divestim, Sanksione) … dhe po, sigurisht, disa prej tyre rrokin disa armë të lehta kundër plaçkitjes së armatosur më të sofistikuar të një atdheu në histori.

*Hamid Dabashi është Profesor Hagop Kevorkian i Studimeve Iraniane dhe Letërsisë së Krahasuar në Universitetin e Kolumbias

Përktheu: Vehap Kola