• |
ide | kryesore

Dy rrugët e vetme të Putinit

Arkiva, Ide
image.jpg



Rrëzimi i avionit malajzian në lindje të Ukrainës i ka acaruar së tepërmi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit. Madje kjo ngjarje, ndoshta e paparashikuar, ia ka ngushtuar edhe mundësitë e manovrimit Putinit. E thënë ndryshe, ai është zënë mjaft ngushtë prej Perëndimit dhe nuk ka shumë mundësi për rrugëdalje nga kjo situatë. Duke furnizuar militantët separatistë me armatime dhe mjete të tjera infrastrukturore, Putini e ka kthyer veten në një peng të gabimeve të tij. Megjithatë, duhet ende të presim përfundimin e hetuesve ndërkombëtarë për çështjen e goditjes së avionit me civilë. Nëse hetimet provojnë se avioni është qëlluar nga rebelët nëpërmjet raketave ruse, apo akoma më keq, prej rusëve vetë, presioni mbi Putinin do të shtohet edhe më shumë. Perëndimi, i udhëhequr nga Presidenti amerikan, Barack Obama, do të kërkojë në mënyrë të menjëhershme që Rusia të ndërpresë çdo marrëdhënie me separatistët në Ukrainë. Nëse Putini nuk vepron kështu, atëherë sanksionet ekonomike do t’ia zënë vendin dialogut. Sanksionet e fundit perëndimore, të zyrtarizuara më 17 korrik befasuan edhe kritikët për nga shkalla e ashpërsisë. Perëndimi shënjestroi bankën e katërt dhe atë të tretë më të mëdha në Rusi dhe duket se sanksionet mund të bëhen akoma më të ashpra. Në këtë mënyrë, para Putinit shtrohen vetëm dy rrugë, të cilat janë të dyja të rrezikshme për regjimin e tij. Ai mund të mos i njohë konkluzionet e hetimeve për avionin dhe mund të mbajë anën e separatistëve. Kjo rrugë do ta shkatërronte keqas ekonominë ruse, për shkak se sanksionet e ardhshme mund të jenë ato të drejtuara drejt sistemit bankar rus dhe energjisë. Këto masa do ta çonin ekonominë ruse në recesion shumë shpejt. Në të njëjtën kohë, Kremlini do të përballej me izolimin më të keq, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Rruga e dytë që mund të ndjekë Putini do të ishte njohja e përfundimeve të hetimeve dhe shkëputja e marrëdhënieve me separatistët. Por ky veprim do të shkaktonte probleme të konsiderueshme për të brenda vendit. Rusët janë keqinformuar rreth konfliktit në Ukrainë prej mediave qeveritare, apo prej atyre që kontrollohen prej Putinit. Pjesa më e madhe e rusëve mendojnë se vëllezërit e tyre në Donjetks po masakrohen prej forcave fashiste të Kievit. Nëse Putini zgjedh këtë rrugë, ai do të cilësohet si frikacak në Rusi. Një “tradhti” e tillë do ta zbehte euforinë e krijuar që pas aneksimit të Krimesë. Ndërkohë që ekonomia ruse mbetet në vend, Putini është i detyruar që t’i zëvendësojë rritjen ekonomike dhe prosperitetin me një politike populiste anti-Perëndim. Megjithatë, ka një farë mundësie që hetimi ndërkombëtar mbi rrëzimin e avionit me civil të dështojë dhe të mos nxjerrë përfundimet e pritshme. Kjo mund t’i japë hapësirë Putinit për të manovruar. Kur ai vendosi të aneksonte Krimenë, askush nuk e priste. Ishte një veprim shumë i guximshëm dhe i papritur. Ndaj përjashtohet mundësia që ndodhi po aq të papritura mund të ndodhin dhe mund ta shpëtojnë Putinin nga e gjithë kjo katrahurë.