• |
ide | kryesore

Hijet e Tiranës së djeshme

Arkiva, Ide
Andi_Bushati.jpg



Disfata e parë numerike e Edi Ramës në kuvend, këtë të enjte, paradoksalisht, nuk e ka “të keqen” tek numrat. Fakti se 5 deputetë socialistë ishin mbledhur në një nga restorantet më të dukshëm të Tiranës, (për të festuar sipas tyre një ditëlindje, por realisht, për të penguar krijimin e një shumice të cilësuar, që do të bënte të mundur ndryshimet në ligjin për KLD-në), është një këmbanë alarmi për ata të majtë që i urojnë kryeministrit të tyre një qeverisje të gjatë dhe të fortë. Dhe kjo, jo për faktin se supermazhoranca mund të tkurret disi.

Së pari ata deputetë që organizuan drekën shantazh, janë si për rastësi të njëjtët emra për të cilët opozita po e fshikullon përditë kryeministrin. Kështu që humbja e tyre vecse mund ta lehtësonte atë. Se dyti, kjo humbje, nuk është ndonjë qamet I madh, sepse, nëse Edi Rama i refereohet me qindra herë  1 milionë shuplakave që e sollën atë në pushtet, këto fshikullime, megjithëse ishin të panumërta, nuk ishin sërish aq shumë, sa për t’i dhënë atij cekun e bardhë për ndryshime që kërkojnë 84 vota. Pra, në këtë kuptim, edhe nëse ndokush nga të pakënaqurit mund të largohet, udha e mbarë i qoftë, ai nuk prish asnjë nga ekuilibret e 23 qershorit të shkuar dhe as nuk e shtrëmbron vullnetin e votuesit.

Por, pyetja që shtrohet pas asaj që ndodhi këtë të enjte është: a mund të sillet Rama në këtë mënyrë? A është ai i aftë që tejkalimin e masës së atyre që i bëjnë shantazh, ta kthejë në avantazh për vete? A ka ai aq forcë sa edhe këtë mandat, të përdorë standartin që përdori atë të shkuarin, me deputetin Kastriot Islami?

Të gjitha këto pyetje bëhen më akute sot, kur duket sikur trysnia e presioneve ndaj kryeministrit po shtohet.

Nga njëra anë, LSI-a që kish pirë e qetë dhe pa hapur gojë nën cicën e Berishës, aq pika qumësht sa kish dashur t’i jepte ai, madje që nxiu faqen e saj e shkoi e votoi për presidentin Nishani, megjithëse ishte betuar se vetëm këtë gjë nuk do ta bënte kurrë, ka filluar kërcënimet.  Depuetetët e saj, herë të friksuar se mos lideri i tyre përgjohet e herë të trembur se mos ai nuk mbrohet nga garda, kanë filluar t’a kundërshtojnë publikisht. Natyrisht në emër të interest publik, sic bën gjithmonë LSI-a.

Nga ana tjetër, herë duke e kërcënuar me dalje nga koalicioni, e herë duke e presionuar me hijen e telendisur të diplomacisë helene edhe Vangjel Dule, kërkon ndryshime në ndarjen e re teritoriale, duke kërkuar që për Himarën të mos përdoret parimi i funksionalitetit, por ai i etnicitetit?

Pra pyetja që shtrohet është, a do të bjerë Rama pre e këtyre shantazheve duke ngritur që në vitin e parë të qeverisjes së tij, kultin e numrave? Të gjithë ata që e kanë ndjekur karrierën politike të kryeministrit aktual, mund të vënë bast se ai do të sillet po njësoj, ashtu si di ai, duke dhënë favore në këmbim të votës, duke bërë pazare në kurriz të parimit, duke ecur përpara, pavarësisht nga dëmi që lë pas.

Dhe pikërisht këtu kthehemi tek fakti se përse ajo që ndodhi këtë të enjte është më e rëndësishme se ata pesë numra. Sepse ka të bëjë me fizionominë e qeverisjes dhe me të ardhmen e Edi Ramës. Kur ai erdhi një vit më parë në pushtet, të shumtë ishin kritikët e tij, që parashikonin një qeverisje të Shqipërisë, të ngjashme me atë që kishin parë në bashkinë e Tiranës.  Ku për t’i mbyllur gojën mediave jepeshin leje ndërtimi, ku për të blerë mbështetje politike zbatohej parimi “një pallat, një votë”, ku për të zhdukur dosje gjyqësore, përdorej e njëjta metodë. Ndaj e ardhmja shihej thjeshtë si një përsëritje e së shkuarës.

Por, kishte të tjerë që, herë për arsye të optimizmit e herë për besimin e patundur tek raca njerzore, mendonin se këtë rradhë, ishte ndryshe. Duke pranuar gjithë mëkatet e Ramës në të shkuarën në Tiranë, justifikimi I tyre qe: i është dashur të luajë mes lubive. i është dashur të ngrihet i vetëm, duke pasur përballë, herë Nanon, herë Berishën, herë Metën dhe herë të gjithë së bashku? A mund ta fitonte këtë betejë si puritan? Pa mbështetje nga mediat, biznesi dhe politika? Po, sipas rregullave të kohës, a nuk duhet të mëkatonte ngapak, për ta pasur këtë mbështetje? Po të sillej ndryshe do të ish kthyer sërish në Paris me thonj të paprerë, është justifikimi i tyre. Por, vazhdonin ata, këtë herë që është i pari, që nuk i ka të nevojshme këto kompromise të ulta, që nuk ka më të superpushtetshëm që mund ta sulmojnë pas shpine, ai do t’i japi fund të gjithë këtyre praktikave “të politikës së vjetër”.

 Dhe ja ku jemi. Pas një viti, Rama, tani në pushtet, gjendet sërish përpara së njëjtës dilemë. Ai ndjen kërcënimin e një numri deputetësh që në këmbim të votave për KLD-në apo dhe më pas për reformën territoriale, kërkojnë zgjermim të feudeve të tyre financiaro-politike. Ai ndjen trysninë e përditshme të LSI-së, që s’ka as ndërmend të lëshojë një grimë pushtet, për të ndërtuar sadopak shtet. Atij i del përpara ndonjë si Vangjel Dule, që kërcënon me numra modestë dhe me peshën e tretur të Venizellosit.

A do të bjerë Rama pre e këtyre shantazheve ? A do të dhurojë ai favore në këmbim të stabilitetit politik personal? Apo do të kënaqë ata që deri një vit më parë mendonin se bashkë me ngritjen në krye të qeverisë, ai kishte ndryshuar?

Pikërisht, sepse ngriti këto pyetje dhe këtë dilemë, ajo që ndodhi këtë të enjte në parlament, është e rëndësishme. Jo për faktin se disa deputetë të fortë bllokuan kryeministrin, por për atë se i shërbyen si lakmues, që na bën të kuptojmë se si do sillet ai në të ardhmen: ashtu sic shpresojnë adhuruesit e tij, apo ashtu sic pretendojnë ata që shohin në të ardhmen, projektimin e Tiranës së djeshme. (Lapsi.al)