• |
ide | kryesore

Ramazani si pengese per turizmin patriotik

Arkiva, Ide
554031-10151287664753596-1158545270-n.jpg



E pёrsёrim prej vitesh se industria e turizmit mund tё ishte njё sektor i rёndёsishёm i ekonomisё kombёtare.

Unё nuk e di se ccfarё fshihet pas kёtij konstatimi verbal. Njё analizё e vёrtetё e mundёsive qё ka turizmi nё vendin tonё duke ditur se kemi dy dete qё na lagin, liqene, rёrё, diell?

Se mos ёshtё njё zhargon qё pёrdoret kur njeriu kёrkon tё jetё pak optimist pёr tё ardhmen e tij materiale?

Se mos konsiderohet njё lloj pune qё nuk do shumё mund e djersё, ja, rri nё breg tё detit, edhe nxihesh nё diell edhe u shёrben turistёve me ndonjё dorё muhabet a me ndonjё bisht cadre tё ngulur nё rёrёn e bardhё?

E vёrteta ёshtё se nuk mund tё mohohet qё shumё lekё a euro, a dollare hyjnё nё Shqipёri nёpёrmjet turizmit nё stinёn e verёs. Edhe po tё shohёsh statistikat do tё vesh re se industria e turizmit bregdetar nё stinёn e verёs jep kontribute tё rёndёsishme ndofta nё produktin e pёrgjithshёm kombёtar. E megjithatё pyetja mbetet: A ёshtё vёrtetё njё mundёsi turizmi ynё pёr ekonominё kombёtare sipas modelit qё e kemi ne sot? Dhe nёse deri tani na ka sjellё disa tё ardhura tё pamohueshme, a mund tё themi prej kёtej se kёshtu do tё jetё edhe kёtej e tutje?

Se mos i pёrllogarisim gabim mundёsitё e tij?

E them kёtё sepse shpesh edhe nё media, nuk e di pёrse, a pёr shkak se janё mёsuar tё bёjnё propagandё boshe, a sepse nuk dinё se cfarё thonё, njё ditё shihja nё njё televizion qё gazetari deklaronte se nё Shqipёri kishin ardhur aq shumё turistё verorё sa edhe italianё kishte plot.

Dhe kur paraqiti planet, u afrua te njё pushuese, emigrante shqiptare nё Itali, qё me njё shkodranishte tё pastёr dhe tё bukur, shprehte kёnaqёsinё e saj se kishte ardhur pёr pushime nё Shqipёri nga Italia ku ishte vendosur prej disa vitesh. Pastaj njё gocё e re, foli edhe ajo disa fjalё nё italishte po aq tё pastёr, por dukej se ishte e bija e shkodranesh qё ose kishte harruar shqipen ose nuk donte tё shprehej nё shqip. Kjo e fundit po, ajo ishte njё vёrtetё italiane… nga Shkodra.

Megjithatё, le tё mos nisemi nga perceptimet e mediave apo tё opinionit publik sepse kёto shpesh nuk pёrputhen me tё vёrtetat e fakteve.

Meqё dikush mё thoshte dje, nё njё nga plazhet e Adriatikut se realiteti qё ka mё pak shqiptarё jashtё Shqipёrie pёr pushime te ne, kjo shpjegohej, sipas saj, edhe me faktin se jemi nё muajin e bekuar tё Ramazanit. Sigurisht, ajo nuk mund ta dinte se sipas standardeve ekonomike, kur njё degё ekonomie ndikohet nga ngjarje kulturore, apo nga ndjeshmёri fetare, sigurisht qё nuk ka ardhur nё fazёn e racionalitetit ekonomik, ёshtё ende nё fazёn foshnjore, dhe artizanale. Ёshtё njёsoj sikur njё degё e industrisё nё botёn industriale tё mos funksionojё nё rregull meqё ditёn e premte punonjёsit e saj, besimtarё myslimanё, tё mos punojnё sepse e kanё zakon dhe simbol fetar. Sigurisht kjo nuk ndodh sepse atje industria dhe besimet fetare sado tё ndikojnё njeri tjetrin pёrsёri nuk mund tё konsiderohen se pёrcaktohen prej njeri tjetrit.

Unё nuk besoj se ulen e ritmeve turistike e ka shkaktuar muaji i shenjuar pavarёsisht koincidencave qё renia e fluksit turistik rasti me muajin e bekuar nё fjalё.

Nё fakt, na duhet njё arsyetim pak mё i thelluar, bazuar nё kёndvёshtrime pёrtej perceptimeve tё zakonshme tё ditёs.

A kemi ne njё model turizmi?

Kёtu ndofta duhet tё nisё filli i arsyetimeve.

Praktikisht, ne, e kemi organizuar industrinё tonё tё turizmit paksa kuturu, tё dalё se ccfarё tё dalё dhe sot gjendemi para rezultateve qё na qendrojmё mbi shpinё, e prej andej na duhet tё nxjerrim si tё mirat ashtu edhe tё ballafaqohemi me anёt negative qё na kanё shoqёruar.

Problemi ynё se ne kemi zbatuar parimet e ekonomisё tё shkallёs. Pa u zgjatur shumё nё kёtё teori, ajo na thotё se ka njё prirje tё thjeshtёsuar qё atje ku shёrbehet njё klient dhe ёshtё e mundur tё shёrbehen dy ose tre klientё tё tjerё, ka agjenci qё kёtё shёrbim e japin pёr sa mё shumё vetё. E pёrse tё mos shfrytёzojmё diellin dhe detin, rёrёn, qё janё tё pafund duke pritur pa fund klientё, pra duke bёrё pa fund ndёrtime e kthyer zonat e plazheve nё qytete bregdetare tё betonuar fort???

Duket si sjellje e arsyeshme, por fakti ёshtё qё pikёrisht aty fshihet sekreti i vёshtirёsive tё sotme. Pёr dhjetra vite sektori i ndёrtimeve nё zonat e plazheve bregdetare bёri njё bum tё paparё. Ritmi i rritjes tё sektorit tё ndёrtimeve ndikonte edhe ritmin e rritjes tё eknomisё kombёtare qё kapte shifra tё larta. Por, pikёrisht te ato shifra tё larta fshihej nё atё kohё edhe rёnia e mёpasme. Kjo edhe nё sektorin e industrisё tё plazheve.

Hapёsirat u zunё. Ndёrtimet tani duhen bёrё gjithnjё e mё larg vijёs bregdetare, por kjo e ul potencialin e plazheve pёr tё thithur turistё sepse pёrkeqёson kriterin e largёsisё tё vendbanimit tё turistit nga vija e ujit, pra ul edhe shkallёn e tёrheqjes qё ka industria turistike ndaj turistёve tё huaj apo tё vendit.

E kam shprehur edhe herё tё tjera, njё pjesё e madhe e kёtyre ndёrtimeve ishin dhe janё apartamente banimi qё u blenё nga ata qё fillim ishin konsideruar si turistё. U blenё nga shqiptarё tё Shqipёrisё, por edhe nga shqiptarё jashtё Shqipёrisё, nё tё drejtё tё tyre. Pra nga operatorёt ekonomikё vendas u zgjodh me vullnet strategjia e fitimit tё madh nё castin e atёhershёm, duke tharё fitimet pёr brezat e ardhshёm, qё do tё mundёsohej nёse do tё ishte menduar pёr tё mos i shitur ato apartamente, por vetёm dhёnё me qira. Nuk mendoj se ai brez bёri medoemos njё krim ekonomik, larg kёtij mendimi, por ndёrkaq mund tё thuhet pa rezerva se u mendua vetёm sot pёr sot, pra larg asaj qё quhet ekonomi e qendrueshme dhe afatgjatё qё kёrkon qё tё mirat e njё procesi t’i zgjasё pёr breza tё tёrё dhe jo t’i konsumojё atypёraty. Brezat egoistё i thajnё burimet e tё mirave materiale pёr brezat qё vijnё. Kёtyre tё fundit, tё lёnё me gisht nё gojё, u lёnё trashёgim vetёm pasojat negative tё dobive qё kanё marrё nga shfrytёzimi barbar i ekonomisё. Brezi qё mori lekёt e shitjes tё apartamentit nё atё kohё, i pёrdori pёr tё blerё tё mira materiale a pёrfituar shёrbime nё kohёn e tij, duke mos i lejuar brezit pasardhёs qё tё pёrfitonte nga burimet financiare qё do tё sillte logjika e dhёnies me qira qё jep njё tё mirё financiare graduale, me proporcione mё tё pakta, por afatgjatё, qё mendon edhe pёr sot edhe pёr nesёr.

Kjo lidhet jo vetёm mё ndёrtuesit, por edhe me pronarёt e tokёs ose me pronarёt e shtёpive qё pranuan qё ato tё rrafshohen dhe tё kthehen nё terrene ndёrtimi. Edhe ata menduan sot pёr sot dhe jo pёr brezat e ardhshёm.

Industria e turizmit dhe ajo kombёtare sot pёrjeton mbylljen e njё cikli kur ritmet e larta tё rritjes financiare u bёnё nё kurriz tё brezit qё do tё vinte. Sot ky brez ka mbetur me lugё nё brez dhe nuk ha dot. Lekёt e shitjes tё tokёs, apartamentit, shtёpisё u bёnё rrush e kumbulla, dhe nuk ka kund qira pёr tё marrё.

Sot pushuesi qё vjen nga Kosova, nga Maqedonia, nga Shqipёria sidomos nё disa nga zonat tradicionale tё vijёs bregdetare, nuk vjen vetёm nё hotele, apo vetёm nё shtёpi apo apartamente me qira, por nё njё numur tё madh edhe nё apartamentet qё ka blerё, pra nuk ka ndonjё lek pёr tё hedhur pёr strehim a banim. Nё kёtё mёnyrё ёshtё goditur edhe industria e hotelerisё, pra edhe politikat e punёsimit nё tё.

Kёshtu e pёson edhe rrjeti i restoranteve sepse nё shumё nga zonat e plazheve turisti nё vend tё konsumojё nё restorante, bare, kafene, pube, etj., preferon tё ushqehet me pak shpenzime nё shtёpinё qё ka blerё ku ka me se gatuan. Krejt mё lirё dhe sipas shijes sё tij nё njё kohё kur e ka tё gjithё kohёn e mjaftueshme nё dispozicion pёr tё bёrё gjellёn pasi ka bёrё pazaret.

Pazaret? Kjo do tё ishte gjysma e sё keqes. Por, shohim se njёsitё tregtare nё disa zona plazhesh vuajnё nga mungesa e klientёve turistё tё ardhur nga mё larg a mё afёr. Sikurse mё thoshte njё shitёse aty gjashtёmbёdhjetёvjecare, ka njё shumicё turistёsh qё vijnё bashkё me thesa me domate, speca, patёllxhane, dhe njё pjesё tё ushqimeve e sjellin nga andej edhe nga ku kanё ardhur.

Kjo ndodh sepse ata i kanё mundёsitё ta bёjnё njё gjё tё tillё, por edhe sepse lloji i turistit tonё nё shumicёn e rasteve ёshtё ai i njeriut tё thjeshtё qё dёshёron tё kalojё disa ditё plazh mesa mё pak shpenzime. Ideja nuk ёshtё thjesht pёr t’u kёnaq duke harxhuar, por pёr tё marrё reze dielli dhe kripё me sa mё pak shpenzime.

Mos harrojmё se ky lloj turisti masiv, sipas ekonomisё tё shkallёs, pёr njё kohё tё gjatё frekuentonte plazhet tona duke jetuar nga pesё a gjashtё cuna qё ndanin bashkё njё apartament tё pajisur me krevate marinari dhe me kushte minimale ndejtjeje.

E cfarё tё keqe ka kёtu? – do tё pyeste dikush. Po, ka njё tё keqe tё madhe sepse kjo jo vetёm i mbipopulloi plazhet tona duke ndotur mejdisin nё kushtet e mungesёs tё mjeteve tё ruajtjes ambjentale, por edhe bёri qё hoteleria, pa burime financciare, nёn konkurrencёn e dhomave me krevate marinarёsh, tё ndёrtojё e konceptojё vetёm hotele popullore, pa cilёsinё e duhur tё shёrbimeve. Dhe tani qё pushuesi masi na ka braktisur nё njё farё mёnyre, qoftё edhe pёr tё agjёruar qetё nё shtёpinё e tij, nuk jemi nё gjendje tё tёrheqim pushuesin elitar ose me tё ardhura europiane mesatare, meqё ky i fundit nuk mjaftohet me bukё e krypё e zemёr, as vetёm me rёrё, det, e diell, por do edhe hoteleri cilёsore. Kjo e fundit tani e ka vёshtirё tё cajё pёrpara sepse pёr tё ka mbetur shumё pak vend, pak hapёsirё, pak mundёsira financimi nё kushtet e krizёs.

Ekonomia e shkallёs ka bёrё kёrdinё. Sot rrjetet turistike i ofrojnё turistit qё vjen pёr qejf dhe jo pёr tё kursyer, kulturё muzeale, art, integrim shoqёror, sport, argёtim detar, mundёsi lёvizjeje, pejzazh, pastёrti, etj. Ne det kemi, por na mungojnё fort dhe rёndshёm kёto tё tjerat, gjё qё bёn qё fqinjёt tanё t’i kenё. E kotё pyetja pastaj : mor Zot, det kroatёt, det ne, pёrse te kroatёt shkojnё dhe te ne jo?

Ne kemi krijuar infrastruktura turistike disi naive, tё thjeshta dhe minimale sepse ne jemi mbёshtetur te turisti qё vjen te ne pёr tё kursyer, dhe jo te turisti qё vjen pёr tё pёrfituar nga industria e qejfit.

Pasi e pёrzumё turistin me tё ardhura europiane mesatare dhe turistin elitar, u bazuam te turisti masiv qё dashur pa dashur mendon pёr tё kursyer gjatё pushimeve, tanimё qё ky i fundit edhe nёn peshёn e krizёs, kursen duke sakrifikuar pushimet, ose zhytet edhe mё tepёr nё ushqimin e kuzhinёs tё gjyshes qё merret nё plazh jo pёr tё dalё me rroba banjoje nё breg tё detit, por pёr tё gatuar, ndjejmё se modeli i ekonomisё tё shkallёs nё turizmin veror, atё tё vapёs, ka disa kufizime nga tё cilat vuajmё sot.

Kjo do tё thotё se duhet rimenduar ky model turistik, dhe jo tё bijem preh e percpetimeve rutinore qё pёrgjegjёs bёjnё festa fetare, krizёn ekonomike, a ku e di unё se cfarё tjetёr, ose mё keq akoma kur manipulojnё shifrat duke tranformuar shkodranet puro, safi, nё turiste italiane, sepse nё kёtё rast do tё kishim thjesht njё fitore statistike, dhe jo njё zhvillim ekonomik