• |
ide | kryesore

Nishani, shumë bujar me modelin e vjetër

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



Nëse do të kërkohej një fakt i vetëm, për të treguar se Bujar Nishani, nuk është larguar as edhe një ditë nga PD-ja, për tu ngritur në postin e presidentit real, ai duhej qëmtuar në komunikimin e tij publik. Vetëm në harkun e një muaji, u bë e dyta herë që ai tregon një zell të tepruar për t’u përgjigjur, me ngjyrime dhe flakë për flakë, deklaratave të kryeministrit.

Pasi ushtroi të drejtën e tij ligjore që mbështetet edhe në bindjet e tij politike, për të kthyer mbrapsht ligjin për shkollën e magjistraturës, Nishani gjeti kohën që t’i përgjigjej me anë të Facebokut, reagimit të kryeministrit. (deklaratat e plota lart në rubrikën “Lajme” të Lapsi.al”).

 Ai foli për një kryeministër që beson se mund t’i ndikojë fatet e vendit përmes 140 gërmave të Tweeter-it, për një kryeministër që reformë quan zbatimin e tekave të tij. Natyrisht që deklaratat e Bujar Nishanit u bënë pas atyre të Edi Ramës, por kjo lojë me hidh e prit, nuk duhet të jetë angazhimi i Presidentit të republikës. Aq më pak kur ajo ngjan si dy pika uji me qëndrimet e opozitës.

Në të njëjtën lojë të maces me miun u angazhua Nishani edhe pak kohë më parë. Në një tjetër deklaratë kundër Edi Ramës ai theksonte: “Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin…. Por, nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale  të humanizmit  Kryeministri e sheh të  projektuar në horizont duke cënuar Kushtetutën e vendit… atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste. Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla.” Këtë reagim Nishani e pati sërish pas një deklarate të kryeministrit se ai nuk qe i lumtur me presidentin. Por, edhe këtë radhë përgjigjja qe e shproporcionuar. Ai theksonte se qe në presidencë për të zbatuar ligjet dhe jo për të luhatur trishtimin, melankolinë apo lumturinë e Ramës.  (arkiva lapsi.al Nishani, Ramës: S’mund të të bëj të lumtur duke shkelur kushtetutën).

Pyetjet që shtrohen në rastet e përmendura janë disa. A duhet t’ia lejojë presidenti vetes që të replikojë me cilindo politikan duke i thënë se po e rerformon vendin sipas tekave të tij? Duke i kujtuar se nuk e drejton dot Shqipërinë përmes Tweeter-it? Duke i bërë aluzione për dëshira totalitare e absolutiste? Duke e quajtur bartës të mendësive të së shkuarës? Duke replikuar për koncepte si melankolia, trishtimi apo lumturia?

Përgjigjja është shkurt dhe prerë JO. Së paku në mënyrën e komunikimit, Presdienti i Republikës po dëshmon se nuk ngrihet dot mbi palët. Dhe kjo për dy arsye.  

Së pari sepse nuk i takon kreut të shtetit të hyjë në replika të përditshme me politikanët e votuar, qofshin këta në opozitë apo në pushtet. Në të gjitha këto raste, një president normal, do të ruante zotnillëkun e detyrës së tij. Ai do të fliste me akte, me dekrete dhe jo me gjuhën e rrumpallës së parlamentit. Dhe këtë qëndrim do të duhej ta mbante jo për t’u dukur simpatik  por, mbi të gjitha, sepse ia kërkon kostumi i tij. Edhe sikur të ishte i bindur se ato cka thoshte për Ramën janë të vërteta, ai do duhej të rezervohej dyfish. Jo për të ruajtur Ramën, jo për të mbajtur anën e kryeministrit, por për hir të njerzve që shefi i shumicës (e njëjta gje vlen edhe për shefin e opozitës, por me të Nishani ska këmbyer replika) ka pas vetes. Për ta, ai duhet te luajë simbolin e unitetit dhe jo atë të përçarësit. Në sytë e tyre, ai s’ duhet të luajë rolin e atij që i hedh benxinë zjarrit, por të atij që qëndron mbi flakët e kota.

Arsyeja e dytë se përse Nishani, nuk duhet të ulet në këtë nivel, ka të bëjë me hisorinë e afërt të presidencës shqiptare. Në këtë kuptim ai po thyen një traditë dhe po kthen pas një standart të lavdërueshëm të tre paraardhësve të tij.

Për ta nisur nga i fundit. Bamir Topi u quajt nga kryeministri i kohës, puçist dhe horr bulevardi, sekser tokash e vendesh në gjygjsor, hajn brenda familjes e bukshkalë, por kurrë nuk iu përgjigj në të njëjtën masë, përbaltjes që iu bë.

Po kështu edhe Alfred Moisiu, u sulmua në kohë të ndryshme nga Nano e Berisha, i pari me stilin e tij duke bërë humor me oreksin e presidentit dhe duke shkuar deri aty sa të përmendte edhe moshën e tij, e tjetri duke e quajtur mbrojtës të krimit dhe të lidhur me drogën.

Për të shkuar më tej akoma, edhe Rexhep Meidani, megjithëse president i zgjedhur nga njëra palë, megjithëse me kompetenca shumë më të forta dhe një mazhorancë të madhe, kurrë nuk ra në batakun e replikave edhe kur e akuzuan për krimet më monstruoze.

Natyrisht të vishnin këtë kostum, nuk ka qenë e lehtë edhe për këta ish presidentë. Kritikat e shigjetimet u dhembin të gjithëve njësoj. Por me sa duket, për ta, më e rëndësishme ka qenë të qëndrojnë në pozitën e simbolit të unitetit që u a kërkon posti që kanë marrë përsipër.

Megjithëse është anatemuar shumë më pak se paraardhësit e tij, Nishani rrezikon të shmanget nga tradita e tyre. Nga pikpamja e komunikimit publik, duke i’u përgjigjur flakë për flakë deklaratave, duke u bërë verbalisht simboli i vetëm njërës palë, ai duket sikur po e kthen presidencën, në kohën e njëanshme të sundimit të Berishës. Ndoshta jo për të ringjallur modelin e vjetëruar të së djeshmes.  Por, se nuk shpëton dot ende, nga hija e Berishës së sotëm. (Lapsi.al)