• |
ide | kryesore

Marëveshja SHBA-Kubë/ A ka paqe mes vëllezërve Kastro?

Arkiva, Planet
fidel_raul_ismael_francisco.jpg



Nga David A. Grahamjan/ Që prej shpalljes që habiti shumëkënd dhjetorin e shkuar, se SHBA dhe Kuba po shkonin drejt rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike normale, njerëzit në të dyja anët e ngushticës së Floridës kanë diskutuar ethshëm mbi atë se çfarë mendon për këtë babai i revolucionit, dhe për më tepër nëse ai ishte ende gjallë, për të patur një opinion.

Një letër e botuar të martën e shkuar në gazetën zyrtare shtetërore “Granma”, ofron disa detaje për të dyja pyetjet. Mesa duket Fidel Kastro është ende gjallë. Ai mbetet ende jashtëzakonisht skeptik mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por gjithësesi shfaqet me kujdes i gatshëm, për të mbështetur rilidhjen e marrëdhënieve diplomatike.
Pa marrë parasysh çfarë mendon Fideli, duket se vëllai më i ri dhe pasuesi i tij si presidenti i vendit Raul Kastro, po shkon realisht drejt një ndryshimi historik në marrëdheniet med dy vendeve. Në letrën që formalisht i drejtohet Unionit të Studentëve në Universitetin e Havanës, që e kishte ftuar liderin historik me rastin e festimeve të 70 vjetorin të krijimit, Fidel Kastro shkruante: Unë nuk kam besim në politikën e Shteteve të Bashkuara, as kam shkëmbyer ndonjë fjalë me ta, edhe pse kjo në asnjë mënyrë nuk përbënte një refuzim për çdo zgjidhje paqësore të konflikteve apo kërcënimeve të luftës. Mbrojtja e paqes është detyrë e të gjithëve. Çdo zgjidhje e negociuar paqësore e problemeve, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe populli tonë apo dhe me çdo komb tjetër të Amerikës Latine, që nuk nënkupton përdorimin e forcës, duhet të adresohet në përputhje me parimet dhe normat ndërkombëtare.
Më tutje, pa përmendur Raulin, ai shfaqet dukshëm i mërzitur nga komentet se vëllai i tij nuk është leva kryesore e pushtetit sikurse është zyrtarisht, porse në të vërtetë, sic supozojnë disa, është Fideli që drejton ende vendin në prapaskenë. “Presidenti i Kubës ka ndërmarrë hapat përkatëse, në përputhje me prerogativat dhe vendimet e pranuara më parë nga Asambleja Kombëtare dhe Partia Komuniste e Kubës” – thekson në letrën e tij Kastro.
Në një farë mënyre, pozita e tij nuk është aq shumë e largët nga ajo e presidentit amerikan Obama apo e Raul Kastros, i cili duket se po ecën me kujdes në linjën e re politike, ndërsa pala tjetër ishte shumë dyshuese nëse ”status quo ante” po i shërbente dikujt.
Gjatë konferencës së tij për shtyp në fund të vitit të shkuar, presidenti Obama tha: “Unë bashkohem me shqetësimet e disidentëve në Kubë dhe të aktivistëve të të drejtave të njeriut, që ky është ende një regjim që shtyp popullin e tij… por ajo që unë di mjaft mirë, është se nëse ju keni bërë të njëjtën gjë për 50 vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar, ju duhet të provoni diçka të ndryshme, në qoftë se doni një rezultat të ndryshëm”. Ky ishte pranimi i hapur i rreziqeve që mund të vijnë nga një pakt me djallin.
Vëllai i tij ka marrë kontrollin e vendit, ai liberalizoi ligjet e pronësisë, dhe tani është afër paqes me armikun më të madh historik të Fidelit. Megjithatë, gjuha e plakut Kastro është e mjaftueshme për të trazuar ujërat mbi këtë marrëveshje, ndërsa natyrshëm lind pyetja sesa të përzemërta mund të jenë tani raportet dhe çfarë diskutohet kur vëllezërit darkojnë së bashku ?
Gjatë bisedës së tij telefonike me Obamën në dhjetorin e shkuar, Raul foli gjatë për vëllain e tij legjendar e të pathyeshëm. Pasi presidenti amerikan kërkoi ndjesë se mos po bëhej monoton, homologu i tij ia ktheu: “Mos u shqetësoni për këtë, zoti President. Ju jeni ende i ri, dhe keni ende shansin për të thyer rekordin e Fidelit. Ai njëherë foli për 7 orë resht”.
Por muralet e Fidelit zbukurojnë ende Kubën dhe një mesazh i tillë zyrtar mbetet një problem i madh (megjithëse letra mori në fakt më shumë klikime në faqen e Granma-së në gjuhën angleze, sesa në atë spanjolle). Ndërkohë që Fideli më herët kishte përshëndetur vëllain e tij, për shtrëngimin e duarve me Obamën, gjatë funeralit të Nelson Mandelës.
Por jo të gjithë besojnë se kjo provon që Fideli është i gjallë. Përse ai nuk del ndonjëherë në publik? Pse nuk mund të nxjerrë një foto të tijën mbi këtë çështje në gazetën “Granma”? A mundet dikush në mënyrë efektive të imitojë stilin e Fidelit në këtë pikë?
Është e vërtetë që pjesa kryesore e e letrës, me përsëritjet e saj të mërzitshme, me litanitë e gjatë të nderimeve ndaj figurave të dikurshme e të lavdishme të socializmit, mund të ishte shkruar në çdo kohë. Herën e fundit, Fideli është fotografuar në gushtin e vitit të shkuar, por ai shkruan letra të tilla herë pas here, për të provuar ekzistencën e tij. Mësohet se në fillim të këtij muaji, ai i shkroi një letër legjendës argjentinase të futbollit, Diego Armando Maradonës, në mënyrë specifike për të provuar se ai nuk kishte vdekur.
Duke supozuar se ai është gjallë (ndonëse jo mirë me shëndet), kjo mbetet sërish një kthesë e çuditshme për Kastron. Një burrë legjendar i veprimit, revolucionari i dhunshëm që pëlqente të luante bejsboll dhe orator i famshëm, dhunti kjo e reduktuar shpesh në një llafazanëri gjatë komunikimeve me kombin, ai shkruan vetëm përmes letrave të rastit. Ndërkohë, vëllai i tij ish-toger ka marrë në mirëbesim kontrollin e kombit, liberalizuar ligjet e pronësisë, dhe tani është pranë paqëtimit me armiqtë historikë të Fidelit.
Për arsye të forta, janë të paktë ata që ndjejnë shumë simpati për Fidel Kastron. Gjithësesi kjo e tija është një zhdukje disi për të ardhur keq, aq më tepër kur ke parasysh një njeri që dikur ushtronte një ndikim aq të madh mbi kombin dhe historinë e tij. /The Atlantic/www.bota.al/