• |
ide | kryesore

Dëshmitë e udhëtarëve të huaj/ A ka qenë Ali Pashë Tepelena homoseksual?

Arkiva, Dossier
liu.jpg



 

Përshkrimi i vecantë i sundimtarit të Janinës. Dëshmi që duke shfrytëzuar 

burimet letrare e paraqet pashain mitik me tipare femërore.

Zhburrërimi për shkak të ndikimit të dhunshëm të së ëmës dhe prirjet e panatyrshme seksuale

Gjatë një udhëtimi në Greqi, në kohën e fëmijërisë Katherine E. Fleming, dëgjoi për të parën herë të flitej për Ali Pashën. Gjatë endjeve nëpër Janinë, i kishin zënë sytë një punëtor  që s’merrej vesh nëse po restauronte apo po shkatërronte një ndërtesë të vjetër. “Eshtë xhami” ishte përgjigjur ai kur e kishin pyetur se përse po bënte një punë që kërkonte një ekip inxhinierësh. Vite më pas, Katherine do të kuptonte se ishte mentaliteti nacionalist ai që i dënonte ato objekte, fakti që ndërtesa lidhej me Islamin e dënonte të kthehej në grumbull plehurinash. Më vonë ajo mësoi se një nga fushat ku kjo antipati nacionaliste është më e dukshme, është pikërisht ajo e Pashait të Janinës. Ende sot ai konsiderohet në Greqi si shembulli më i plotë i mizorisë dhe i grykësisë turke, si një anti-Krisht.

“Të çuditshëm, ja kështu e imagjinoj Alinë. Nga një anë pushteti dhe mizoria… Dhe tjetra anë, hijeshi, balli me urtësi tekanjoze… Me sytë e kaltër përfshirës dhe fytyrë bukuroshe”. Në vitin 1973, James Merril botoi poemën e vet “Janina”, si fillim në Antlatic Monthly dhe më vonë në një botim monografik. Një poemë e cila ndonëse ishte bazuar mbi një nga biografitë e shumta të shkruara mbi pashain e Janinës, nuk kishte mundur t’u shmangej tregimeve të udhëtarëve. Tregime të cilat joshnin Evropën me përshkrimin e një bote orientale e sidomos me veset e zakonet e figurës më mitike të kësaj bote, Ali Pashë Tepelenës. Më tepër se sa të merreshin me kushtet historike e politike në të cilat Ali Pasha arriti të fuqizohej, apo të lidhte aleancat edhe me Francën dhe me Anglinë, të qëndronte mes Lindjes e Perëndimit e të shkëputej më vonë edhe nga Porta e Lartë, evropianët preferuan ta përshkruanin si mishërimin e “Orientit të mistershëm”; seksual, mizor tekanjoz, të paarsyeshëm, e mbi të gjitha të pakuptueshëm. Në këtë mënyrë nga një njeri që po fuqizohej politikisht, Ali Pasha nisi të shndërrohej në një personazh të preferuar letrar. Në vitin 1973, me poemën e tij James Meril lë një tjetër dëshmi letrare në vargun e gjatë që kishte nisur me “Çajlld Haroldin” e Lord Bajronin dhe kishte vazhduar me një sërë autorësh të tjerë të mëdhenj si Gëte, Dyma, Balzak. I bazuar kryesisht në një biografi të shkruar nga Qilliam Plomer në vitin 1936 (më akademikja ndër biografitë e shkruara për Ali Pashën), Meril ka bërë në vargje të njëjtin përshkrim që kishte bërë edhe biografi: “Aliut, kur ishte njëzetë vjeç nuk i rezistoje dot, ishte i bukur, me flokë të gjatë e të verdhë dhe me sy të kaltër, plot me zjarr dhe joshje, i zgjuar, i hijshëm dhe i gojës. Nuk ishte shumë i gjatë, por trupin e kishte të formuar mirë”. Një përshkrim që biografi nuk e kishte bërë për herë të parë, literatura biografike evropiane për të në fakt është e mbushur plot e përplot me referime për karakteristikat femërore të tij. Të gjitha këto referime, së bashku me dëshmitë për homoseksualitetin e Pashait të Janinës, përfshijnë një nga kapitujt e një botimi historik të Katherine. E.Fleming, “Bonaparti Mysliman”. Duke ndjekur gjurmët e gjithë biografëve apo shkrimtarëve evropianë, Fleming ka sjellë një portret të pashait të Janinës ashtu siç ka dashur ta paraqesë perëndimi: vetitë kryesore përmes të cilave është përshkruar Ali Pasha po t’i shohim mirë janë krejtësisht e kundërta e asaj, që nga pikëpamja perëndimore është ideale. Teksa autorët e këtyre teksteve i kushtojnë vlerë të madhe virilitetit heteroseksual, mendimit racional, moralit dhe dashurisë së krishterë për të afërmin, Ali Pasha paraqitet pikërisht e kundërta: i dhënë pas praktikave homoseksuale, fare i paarsyeshëm, egërsisht koprac, pa fe dhe me moral të shthurur.

 

Çuditërisht sfondi në të cilin ndodhi ai që është quajtur feminilizimi  i Ali Pashës, përbëhet nga po të njëjtat ngjarje që konsiderohen si vendimtare në transformimin e tij në “njeri të vërtetë”, dhe “luftëtar”. Ngjarja thelbësore është vdekja e të atit dhe nevoja e Aliut të ri që të mbante të ëmën Hankon, dhe të motrën Shanishanë. Pikërisht tek figura e të ëmës, ata që përshkruajnë tiparet femërore të Ali Pashës, gjejnë edhe shpjegimin për “paburrërinë” e tij.

Tregimet e biografëve perëndimorë përputhen thuajse krejtësisht në historinë e nënës së Ali Pashës, Hankos: pas vdekjes së të shoqit ajo udhëhoqi një sërë fushatash kusarie dhe banditizmi. “Me shpirtin e një amazone, u vu në krye të pjesës së mbetur të bandës të të ndjerit burrë dhe thuhet se nuk i kurseu lajkat dhe favoret personale për të shtuar numrin e pasuesve të saj”, shkruan Davenport në vitin 1878. Të tjerë biografë e përshkruajnë me terma krejtësisht mashkullore. Tasos Vurnas shkruan në vitin 1987 se “Aliu kishte marrë nga e ëma të gjitha cilësitë fizike dhe psikike. Ajo grua këmbëngulëse shqiptare, në fakt ishte burrë-grua… Kishte një karakter të pathyeshëm dhe shpirtin e një burri”. Madje edhe në tregimet mbi vdekjen e Hankos, aludohet se ajo nuk ishte femër e vërtetë: thuhet se gjeti vdekjen nga një kombinim i “hidrotoraksit” (një sëmundje e kraharorit) dhe i kancerit të mitrës. Ndër cilësitë kryesore të Hankos, në biografitë e ndryshme bie në sy prepotenca dhe autoritarizmi, zhburrërimi ndaj të birit. Pasiguria seksuale e Ali Pashës shpjegohet pjesërisht si pasojë e raportit “mosfunksionues” me të ëmën. Kështu, shumë vjet përpara se të dilte teoria frojdiane, biografët e parë duket se e kishin kuptuar në mënyrë intuitave se shpjegimi për veçantitë e moshës madhore të Ali Pashës i kishte rrënjët pikërisht në fëmijëri.

Pas fitoreve të para në krye të bandave plaçkitëse, Hankoja së bashku me të bijën kishin rënë rob në duart e banorëve të Kardhiqit dhe të Hormovës. Në librin e saj, Flemming, e përshkruan këtë episod si ngjarjen që do të kishte një jehonë vërtet të gjatë. Kur ishte në duart e kardhiqjotëve, Hankoja siç thuhet në shumë tregime, u përdhunua disa herë nga banorët e fshatit, prandaj e kaloi pjesën e mbetur të jetës duke u përpjekur të hakmerrej. Dhe Aliu duhej të ishte mjeti i hakmarrjes së saj. Për këtë gjithë kronistët bien dakord: sapo Hankoja u lirua nga torturat e kardhiqjotëve, ajo filloi të shtynte Aliun që të shlyente dënimin. Dhe kur fillimisht Aliu nuk ia doli mbanë të hakmerrej, kjo u pa nga e ëma si shenjë zhburrërie dhe pafuqie.

Pikërisht ky imazh i Ali Pashës, sikur të ishte vajzë, biografëve perëndimorë u është dukur mjaft kuptimplotë, aq sa të gjithë në rrëfimet e tyre kanë përfshirë histori të fëmijërisë së tij. Dhe që të gjithë rrëfimet vënë në dukje ndërlikimet e tij seksuale, të lidhura me periudhën e fëmijërisë dhe ndikimin e Hankos. Shkrimtari hungarez Mor Jokai, në vitin 1953 rrëfen se Aliu, pas vdekjes së të atit filloi të plaçkiste fshatrat për të mbajtur nënën dhe motrën. “Sa herë kthehej në shtëpi pa para”, tregon Jokai, “e ëma, Hankoja, i bërtiste, e shante dhe nuk e linte të qetë derisa të bënte grabitje të tjera më fitimprurëse. Aliu, sipas Jokait, kishte kaq pak sukses, saqë u detyrua të shesë shpatën e vet për dhjetë xekina, në mënyrë që t’i çonte ca para nënës së tij kërkuese. Dhe kur ajo mori vesh se i biri kishte shitur shpatën, kapi një çomangë dhe e qëlloi deri sa u lodh. “Tani e sheh atë furkë leshi?, bërtiti zonja Hanko. Mëso të tjerrësh dhe rrotulloji shpejt boshtet. Dembelët nuk hënë bukë në shtëpinë time, ja kështu të them. Një burrë që shet shpatën, nuk bën për gjë tjetër veçse të rrijë ulur ndanë furkës”. Dhe Aliu u ul të tirrte”. Pa u futur fare në analizat frojdiane, për Katherine Fleming, simbolika është mjaft e kuptueshme: “Si dënim që kishte shitur shpatën, simbolin e qëndrimit luftarak e burrëror(për të mos folur për mundësitë e dukshme të saj për  t’u përdorur si simbol mashkullor), Aliu u urdhërua të merrte furkën simbolin e feminilitetit. Në anglisht fjala “distaff” nuk nënkupton vetëm objektin specifik, furkën për të mbajtur leshin apo linin gjatë tjerrjes, por edhe punën femërore në përgjithësi apo fushën femërore”. Një tjetër autor, Davenporti në 1878, rrëfen gjithashtu ngjarjen e furkës. Sipas tij, i thyer në një nga sulmet e para kundër hormovitëve, Ali Pasha u kthye tek Hankoja e cila priste me ankth lajmin e hakmarrjes. Por kur Aliu i tha se kishte dështuar “e plagosur në zemër nga zhgënjimi dhe nga turpi për të birin, e ëma e vuri përpara me qortimet dhe sharjet më të hidhura. Duke i dhënë furkën e vet i thirri me tërbim “Shko mor burracak! Shko të tjerrësh me gratë e haremit; ky zanat të shkon më shumë për shtat sesa ai i armëve”. Atë që Jokai e kishte lënë të nënkuptohej, Davenporti e thotë hapur: Ali Pasha ishte më i prerë për shoqërinë dhe punet e grave, sesa të burrave.

Tregimet për zhburrërimin e Ali Pashës ishin popullore edhe gjysmë shekulli më pas, kur Plomeri përdori gjithashtu episodin e tjerrjes: “Hankoja ishte tërbuar dhe i tha se do të ishte më mirë të përdorte furkën sesa pisqollën dhe se vendi për një pulë të lagur ishte haremi”. Plomeri ishte më i drejtpërdrejti: e ëma e persekutonte Ali Pashën, e trajtonte si një çupëlinë dhe e zhburrëronte, sepse ai kishte dështuar në hakmarrjen ndaj përdhunuesve të saj.

Historitë e fëmijërisë, të përsëritura pa fund në rrëfime biografish letrare, u bënë bazë për t’u mbështetur gjithë diskutimet e mëpasshme mbi prirjet dhe orekset e tij seksuale dhe mbi tendencën për mizori. Për Katherine Flemming, më të rëndësishme akoma janë tregimet mbi tendencat e supozuara homoseksuale të Aliut të rritur: për biografët perëndimorë, homoseksualiteti përfaqëson rezultatin logjik të sjelljeve që nuk i përkisnin seksit të tij. “Ashtu siç kishte përdorur i ri furkën, shkruan Flemming në libër,-(tamam sitë ishte grua) ashtu dhe më vonë, shkruajnë biografët e tij, Aliu do të kishte raporte me burra, (tamam si të ishte grua)”.

Historiania Fleming ka gjetur megjithatë një biografi ku Ali Pasha nuk përshkruhet me tipare femërore, e as Hankoja nuk është ai përbindëshi gjysmë mashkull. Jo rastësisht kjo biografi është joperëndimore. Autori i saj Ahmet Myfiti nuk bën asnjë aluzion për shijet seksuale të Pashait të Janinës, ndoshta edhe sepse ai gjaku i tij rridhte nga Shanishaja, motra e Ali Pashës.

 

Në librin e saj “Bonaparti mysliman”, Katherine Fleming shkruan se ndonëse kishte më tepër se njëqind gra në harem, Ali Pasha preferonte më tepër shoqërinë e djemve. Në biografinë e tij, Plomeri citon një tejtër shkrimtar, Vodonkuri që për Aliun shkruante: “Si u kushtohej pothuajse vetëm kënaqësive sokratike, ndaj për këtë qëllim mbante një saraj me rioshë, ndër të cilët zgjidhte njerëzit e tij më të besuar, madje edhe oficerët e tij më të lartë. Ndërsa në haremin e tij kishte pesë a gjashtëqind gra”. Perversiteti seksual i Pashait të Janinës, sipas një doktori

 

anglez që e mjekoi vetëm një herë Aliun: “Në plotësimin e orekseve të tij të shthurura, Ali Pasha, ndër të gjithë sensualistët modernë ishte më seksuali, ai tejkalonte gjithçka që mund të çojë nëpër mend edhe imagjinata më e shthurur, qoftë edhe kur e merr repertorin e tij të ndyrë nga orgjitë e botës, e cila e konsideron veten elegante, qoftë edhe kur zhytet në perspektivat e errëta, ku pakkush guxon të kuturiset, të turpit dhe të vesit”.

Në librin e Flemmingut, gjendet edhe një tjetër dëshmi, që ndonëse nuk flet për tendencat homoseksuale të Ali Pashës, e përshkruan gjithsesi sundimtarin si një njeri që para të gjithash vlerësonte oreksin seksual. Bëhet fjalë për shkrimet e vitit 1805 të një kapiteni të këmbësorisë, francezi Beler. Ai, teksa tregon veprimtarinë ushtarake franceze në ishujt jonianë, gjithashtu informon edhe për orekset seksuale dhe epshet e Ali Pashës. Duke përshkruar një takim midis përfaqësuesit francez Shefer dhe Aliut, (një takim ku ai nuk kishte qenë i pranishëm), Beleri shkruan se gjatë takimit Aliu shkoi disa herë tek një ndarëse e gdhendur, e cila luante rolin e një muri të dhomës ku bëhej takimi, për të shikuar vjedhurazi gratë e haremit të tij, duke treguar kështu që ishte fare i pazoti që të pengonte që oreksi seksual të mos i tërhiqte vëmendjen nga puna.

Por më e famshmja dëshmi vjen prej Bajronit, prej poemës së tij epike “Çajlld Haroldi”. Dëshmi që në fakt shkon në të njëjtën linjë me të gjithë ata që kanë shkruar për shijet homoseksuale të Ali Pashës. Jo vetëm për faktin se Bajroni e ka përshkruar aliun si një njeri që mizoritë i maskonte me pamjen femërore të “ëmbëlsisë”, me një fytyrë me tipare të hijshme, të vendosur në një sfond të butë edhe epshor, por edhe për shkak të miqësisë së tij me Pashain, në sarajet e të cilit kishte bujtur. Ishte ai i pari që e kishte mbiquajtur “Bonaparti mysliman”, kishte blerë madje një shtëpi në Janinë. Duke qenë një nga shkrimtarët e vetëm të mëdhenj që e kishte njohur nga afër pashain shqiptar, Bajroni duhet të jetë bërë edhe referim për të tjerët pas tij për të pikturuar portretin “e ëmbël” dhe seksual të Ali Pashës: “Në qoshk të shtruar me mermer, ku kroi/ Me ujë rrjedhës që nga mez i trollit/ Gurgullon freski plot andë, dhe divani/ i butë epshor i fton mysafirët t’ulen, / Rri pshtet’ Aliu, burrë luftrash e mizor, /Po tash ëmbëlsia rrezat hedh/ Në ballin e nderuar t’ati plak,/ Nëpër tipare nuk i duken gjurmat/ E kobit që fsheh dhe e njollos me turp”.