• |
ide | kryesore

Profil/ “Nga Lushnja në Milano”, historia e panjohur e Rey Manaj (foto)

I pakategorizuar
rey-manaj.jpg



Është dhjetori i vitit 1996 kur në Lushnjë, një qytet me më pak se 130 mijë banorë në jug të Tiranës, vjen një nga ikonat e futbollit argjentinas, Mario Kempes.

Rapush Xhaferri, presidenti i KS Lushnja e prezantoi El Matador të Bell Ville si trajnerin e ri të, falë edhe rrogës së mirë prej 200 mijë dollarë në sezon. Aventura  trajnerit të parë të huaj në Shqipëri zgjati vetëm 3 muaj. Premtimet ekonomike nuk u respektuan dhe për më tepër vendi po shkonte drejt një lufte civile.

Kjo për faj të investitorëve si Xhaferri dhe një sistemi ekonomiko-fonanciar totalisht të gabuar. Njerëzve u premtohej një fitim 300% e kursimeve të tyre. Në fillim metoda dukej premtuese, por më pas arkat e investitorëve u boshatisën duke i lënë qytetarët e Lushnjës, ashtu si edhe pjesën më të madhe të shqiptarëve pas asnjë kacidhe.

Ajo që qytetarët e Lushnjës nuk dinin ishte se pikërisht në atë shkurt të vitit 1997 do të niste një histori e re që do ta çonte qytetin pak vite më vonë në dritat e skenës së madhe. Pikërisht kur Mario Kempes përshëndeste tokën e shqiponjave në 24 shkurt 1997 lindi në Lushnje Rey Manaj. Momenti i vështirë në të gjithë vendin e shtyu familjen e tij të largohej nga vendi drejt Italisë. Aty i vogli Rey zbuloi pasionin e tij për futbollin.

Dhuratat e ditëlindjes filluan të ishin vetëm topa futbolli të cilat shoqëroheshin me frazën: “Dua të bëhem futbollist”

Milan dhe Atalanta janë mundësitë e para të mëdha për Rey, por që të dyja nuk kanë një fund të mirë. Madje të dyja aventurat nuk arritën të nisin fare sepse djaloshi shqiptar u skualifikua në provime.

Shansi i parë konkret erdhi në moshën 11-vjeçare kur në vitin 2008, kur Manaj hyn të të rinjtë e Piaceza.

(në foton sipër është i pari në të djathtë me bluzë të kuqe)

Me emilianët rrëmben disa trofe dhe vlerësime personale, tashmë të ruajtur me kujdes nga nëna dhe babai i tij në shtëpinë e tyre në Shqipëri. Në verën e vitit 2012, kompania e presidentit Garilli falimentoi dhe Manaj iu bashkua Cremonese, ku edhe do të zbulonte talentin e tij futbollistik.

Në Cremona, Rey Manaj do të njihej me Gigi Simoni (foto poshtë) që shumë shpejt do të bëhej babai i tij në fushën e futbollit.

Dhe pikërisht nga ai që e njeh mirë talentin shqiptar “MondoFutbol” kërkoi të mësojë më shumë.  Ish-trajneri i Inter, Napoli dhe Torino thotë: “Është një djalosh tashmë i gatshëm për të arritur suksesin e tij. Nuk ka frikë dhe ka një besim në veten e tij, por duke qëndruar me këmbë në tokë. Edhe me mua pati një debat te Cremonese. Firmosi një kontratë 3-vjeçare, por kërkoi të largohej që vitin e parë. Unë i thashë se kjo nuk ishte e mundur dhe se ai duhet të punonte më shumë përpara se të largohej. Më kuptoi dhe filloi të jepte më shumë për skuadrën”.

Kjo sepse Rey Manaj është gatuar në këtë mënyrë.

Ka një karakter shpërthyes, por që kupton shumë shpejt se çfarë është e mirë për të dhe e mbështet. Ka qenë pikërisht ai debat që e bëri Gigi Simoni ta ketë si pikë referimi. Edhe tani që ai është te Inter raporti i tyre nuk ka ndryshuar as një presje.

“Pas atij episodi u bëra “babai i tij mbrojtës”. Ka një konsideratë të madhe për mua dhe më telefonon shpesh, si në momentet e lumtura dhe në ato të vështira. Mes nesh është vendosur një raport i mirë” – konfirmon trajneri i Crevalcore.

Në nisje të sezonit të ardhshëm është Sampdoria që trokiti në derën e shoqërisë “gri-kuqe”.

Manaj u transferua në Genova si borxh me të drejtë blerje me një tarifë fikse 100 mijë euro.

Kokëfortësia e tij dhe vetëbesimi lë shënjë edhe këtu. Gjatë një miqësoreje me skuadrën e parë, Manaj provoi të kapë në befasi Da Costa me një goditje nga mesi i fushës duke e tërbuar trajnerin e tij Francesco Pedone, që e kërcënoi se do ta nxirrte menjëherë nga fusha nëse e provonte sërish. Javën që pasoi në kampionatin e moshave kundër Siena, Manaj e provoi sërish atë goditje dhe arriti të shënojë. Pas golit i afrohet trajnerit dhe i thotë: “Mister kështu mirë është?


Pavarësisht formës dhe paraqitjeve të mira në kampionatin e moshave, Sampdoria nuk e respektoi fundin e kontratës të caktuar me Cremonese dhe nuk e bleu atë pavarësisht se shuma ishte e ulët. Ai u kthye te skuadra e tij dhe nisi të luante me skuadrën e parë. Sampdoria u kthye sërish të pyeste për të pak javë më vonë, por tashmë në lojë ishin edhe disa klube të tjerë.

Simoni tregon: “Shifra e blerjes ishte e ulët, por Sampdoria nuk e respektoi fundin e kontratës. U kthye të interesohej për të pak javë më vonë, por tashmë kishte dalë lajmi për talentin e lojtarit dhe kishte interes edhe nga skuadra të tjera. Skuadra preferoi në këtë pikë ta mbante për vete dhe të investonte në të”

Sezoni 2014-2015 përfaqëson shpërthimin e Rey Manaj. 22 pjesëmarrje dhe 2 gola në Lega Pro, të shoqëruara edheme thirrjen në Kombëtare. Në fillim me U19 me një gol kundër Italisë U18 dhe më pas me U21 ku u prezantua me një gol kundër Lichtenstein.

Në Shqipëri, manaj ka dy fatsjellëse speciale, dy gjyshet e tij.

Janë tifozet e para në stadium kur Rey luan në Shqipëri. Familja ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në jetën e tij dhe një gjë e tillë u vërtetua edhe verën e kaluar kur shumë skuadra e kërkuan. ADN-ja interiste e familjes nxori krye edhe te Manaj duke bërë diferencën.

“Nëse do të më kërkonte Inter, do pranoja menjëherë” – kishte thënë lojtari 18-vjeçar. Dhe kështu ndodhi.

Vazhdimi i historisë është i njohur. Mancini e promovoi në Seria A, fillimisht në turneun Berlusconi ku e vendosi titullar përballë skuadrës së Milanit dhe më pas një debat me De Biasin. Edhe kjo është pjesë e karakterit të tij të vrrullshëm që reagoi pas një deklarate të trajnerit nga Veneto. Për fat të mirë, Manaj e kupton kur është në rrugë të gabuar dhe bën hapat pas për të kërkuar falje.

Me trajnerin e kombëtares shqiptare, gjithçka u sqarua në një darkë në Milano ku ishte i pranishëm edhe Paolo Tramezzani dhe agjenti i lojtarit Alberto Fontana. Ishte një keqkuptim nga dëshira për të hyrë në skuadrën e parë: krenaria e shqiptarit dhe nxitimi për të veshur bluzën “kuq e zi” sa më shpejt të ishte e mundur.

Tashmë me një Shqipëri të kualifikuar në Europian, më shumë se kurrë.

Prezantimi u bë në miqësoren me Kosovën. Një prezantim që ai as që e kishte menduar. Shënon gol vetëm 10 sekonda pasi ishte futur në fushë. Si në filmat më të bukur. Momente që ai i shijoi edhe pas ndeshjes. “Ia dedikoj familjes sime. Mbi të gjitha nënës dhe babait tim që janë jeta ime së bashku me motrën time” – tha ai.

Djaloshi tashmë është bërë burrë dhe ëndrrat janë kthyer në realitet. Kokëfortë dhe këmbëngulës sepse Rey Manaj i tillë është./Enxhi Ferro shkroi për MundoFutbol, përktheu lapsi.al/