• |
ide | kryesore

Reportazh i “Le Iene”, kamera të fshehta me familjarët e xhihadistëve kosovarë

I pakategorizuar
image.jpeg



"Kaçaniku, qyteti i luftëtarëve të ISIS", kështu e ka quajtur reportazhin 10 minutësh emisioni investigativ "Le Iene" transmetuar këtë mbrëmje në Canale 5. Përmes udhëtimit të gazetarit të këtij programi në qytetin kosovar me mbi 30 mijë banorë, zbulohen dritëhijet e personazheve të cilët shpesh janë shfaqur në media si terroristët shqiptarë që luftojnë në Siri, për llogari të Shtetit Islamik.

Mbi 30 kaçanikas thuhet me siguri se janë rreshtuar krah ISIS, ndërsa ai që njihet si më i rrezikshmi, Lavdërim Muhaxheri, është objekti kryesor i këtij reportazhi. Shoqëruar nga një taksist vendas, gazetari italian arrin të flasë me familjarët e të ashtuquajturit "kasapi", për shkak të një fotoje që bëri bujë, ku Lavdërim Muhaxheri shfaqej duke i prerë fytin me thikë një djali.

Vëllezërit e xhihadistit shohin një video ku "kasapi" ekzekuton një tjetër djalë të vogël, por ata nuk e besojnë duke thënë se bëhet fjalë për një montazh filmik. Nga shtëpia e xhihadistit kosovar, gazetari dhe shoqëruesi i tij vendas marrin dëshmi nga të tjerë persona në qendër të qytetit të cilët pranojnë rrezikshmërinë e terroristit të njohur.

Imami i Kaçanikut i pyetur në prani të kameras pranon se personazhi në fjalë është terrorist dhe gjithshtu shpjegon se rregullat e islamit në Kaçanik, janë më ekstreme.

Reportazhin që me sa duket nga veshjet e protagonistëve është realizuar në verë, "Le Iene" e mbyll me mesazhin e një prindi kosovar, fëmija adoleshent i të cilit ka ikur pa aprovimin e tij në Siri. Babai nuk është dakord me luftën në krah të ISIS, ndaj dhe kërkon të sensibilizojë këdo që mund të mashtrohet. Shihni më poshtë reportazhin: