• |
ide | kryesore

Serbia, vaterpolo dhe një ftesë e panisur për Edi Ramën

Arkiva, Blog
11226042_10156445363490133_6481289298518257332._n.jpg



16 muaj pas “ndeshjes së dronit” në Beograd, një tjetër përballje sportive u bë e famshme, ndonëse jo aq sa e para. “I ‘vramë’ kroatët!”, lexohej në faqe të parë të një gazete periferike, një ditë pasi Serbia fitoi mbi Kroacinë në garën hapëse të kampionatit europian të vaterpolos.

Pavarësisht se pati reagime kundër këtij titulli ekstremist të gazetës (e njëjta që titulloi: “Derrat shqiptarë” në tetor 2014), ndeshja e vaterpolos mbeti e famshme për një arsye tjetër. Në ceremoninë e nisjes së Europianit, presidenti serb Nikoliç dhe kryeministri Vuçiç u vërshëllyen nga shumica e 11 mijë tifozëve që gjendeshin në sallën e sportit.

(Shiko, min. 1:40. https://www.youtube.com/watch?v=imo…)

I surprizuar dhe i inatosur nga kjo situatë e pakëndshme, vetëm pak ditë më pas, kryeministri lajmëroi zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Sigurisht, ai e kishte ndërmend këtë gjë dhe e përdori reagimin e qytetarëve si një pretekst për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, thotë drejtori i lajmeve në televizionin “B92”. Veran Matiç është gazetar, por drejton një komision të përbërë prej policësh e prokurorësh, i cili po heton vrasjen e 3 gazetarëve serbë në 20 vitet e fundit. Kërcënimet nuk përbëjnë lajm për të, dhe ai ruhet nga policia 24 orë/7 ditë në javë. “Praktikisht, nuk kam jetë private”, thotë Matiç.

Kërcënimet nuk janë gjë e re as për Sonja Biserkon, kryetaren e Komitetit serb të Helsinkit. Ditën e vizitës së gazetarëve shqiptarë në zyrën e saj, disa punëtorë po punonin për zëvendësimin e xhamave të zyrës, që ishin thyer një natë më parë nga persona të panjohur.

Policia njoftoi se kamerat e sigurise nuk kishin arritur t'i filmonin ata qe goditen me gure zyrat e Komitetit serb te Helsnikit.

Policia njoftoi se kamerat e sigurise nuk kishin arritur t'i filmonin ata qe goditen me gure zyrat e Komitetit serb te Helsnikit.

Sonja është një aktiviste e thekur e të drejtave të njeriut, që me luftën e saj ka bërë shumë armiq në Serbi. E gjejmë të kërrusur mbi kompjuter; vazhdon të punojë e, megjithëse ka mbushur moshën e pensionit, nuk tregon më shumë se 50 vite. “Nuk besoj që Kosova do të jetë objekt debati mes partive në zgjedhje. Në thelb, elita serbe dëshiron ndarjen e Kosovës”, thotë ajo. Biserko shpjegon se prania e Rusisë është rritur dukshëm në 2 vitet e fundit duke hedhur në lojë shumë para për mediat, kishën dhe politikën serbe.

Një nga bluzat e stampuara më të shitura të kohëve të fundit nëpër kioskat e Beogradit, është ajo që paraqet Vladimir Putinin shoqëruar me mbishkrimin: Kosovo je Srbija. Pavarësisht kësaj, në rrugët e kryeqytetit serb askush nuk do të kthejë kokën nëse të dëgjon duke folur shqip. Përtej retorikës politike dhe mediatike, qytetarët e zakonshëm janë të prirur të shohin përpara.

Vladimir Putin i stampuar ne T-Shirt kushton 10 euro ne rrugicat e Beogradit.

* * *

Me një rritje ekonomike 1.3%, investime të mëdha nga Gjermania, Kina e Izraeli dhe çmime më të ulëta se në Tiranë, Serbia ka ngritur velat në një udhëtim drejt Europës. Të gjallë e të gjatë: si vajzat në rrugët e Beogradit.

Partia e kryeministrit Aleksandër Vuçiç e ka të sigurt fitoren në votimet që do të mbahen në pranverë. Ekuilibrist i konfirmuar, ai çuditi ambasadorët e rëndësishëm në Beograd kur hapi krahët dhe dyert për emigrantët që vërshuan nga Siria. Në kohën kur gjysma e Europës Qendrore mbyllte kufijtë e ndërtonte mure, qeveria e Vuçiçit lejoi mbi 700 mijë emigrantë të qëndrojnë dhe kalojnë nëpër territorin serb gjatë vitit të kaluar. Vetë kryeministri zbriti mes tyre, shpërndau ndihma dhe luajti tenis për bamirësi, përkrah kampionit të botës Novak Gjokoviç. Me pak fjalë, një lojtar i marrëdhënieve publike. Një njeri i dukjes, por i mbështetur te substanca. Sigurisht, Vuçiç nuk është një keqkuptim, e aq më pak një aksident politik.

Herën e fundit që isha në Serbi, më 2011, m’u desh të shkelja disa aeroporte të Europës, në kuadër të tranziteve dhe dëborës që pengonte fluturimet. Sot, Tirana është vetëm 1 orë e 10 minuta larg Beogradit. “Air Serbia” çon e merr pasagjerë një herë në dy ditë, për jo më shumë se 150 euro. Taksia nga aeroporti në qytet, kushton rreth 13 euro për një rrugë 20 km, pak a shumë sa ajo Tiranë-Rinas. Një birrë në qendër, 200 dinarë – 200 lekë të reja.

* * *

Sonja Licht është një personazh i jashtëzakonshëm dhe pas 5 minutash bisedë e kupton se ajo i simpatizon shqiptarët. Sociologe, politologe e filozofe, e nderuar nga Franca me urdhrin “Kalorës i Legjionit të Nderit”. E njeh Shqipërinë mjaft mirë, është dashamirëse dhe duket se nga prejardhja hebreje ka trashëguar të folurën e drejtpërdrejtë. “Besojeni ose jo, dita e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi ishte dita më e keqe e jetës sime. Pata një ndjesi aq negative, më rrodhën lot nga sytë dhe vetvetiu m’u kujtua dita e fillimit të luftës në Jugosllavi. Kur ia thashë këtë ambasadorit të BE-së, Michael Davenport, ai brofi dhe më tha ‘ishte njësoj edhe për mua! Dita më e keqe në karrierën time si diplomat’”.

Njësoj si aktivistët e tjerë të shoqërisë civile, Sonja Licht beson se marrëdhëniet Shqipëri-Serbi mund të përmirësohen, duke njohur njëri-tjetrin. “Ekonomia mund të jetë promotor i këtij afrimi, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Kosovën. Mund të ngjajë e habitshme, por shkëmbimet ekonomike Serbi-Kosovë janë më të larta se shkëmbimet Serbi-Rusi. Kjo tregon se biznesmenët, mund të bashkëpunojnë më lehtë se politikanët”, thotë ajo. Kushedi pse, Sonja Licht është “njëqind për qind e bindur” se vala e emigracionit sirian që përfshiu Serbinë, së shpejti do të zbresë në Shqipëri. “Immigrants are like water. You just can’t stop them”, pohon ajo. (Emigrantët janë si uji. Thjesht, nuk mund t’i ndalosh)

Sonja Licht është drejtuese e Fondit për Ekselencë Politike në Serbi. “Kam një ëndërr në sirtar. Të ul bashkë në një tryezë Aleksandër Vuçiçin dhe Edi Ramën në Forumin për Sigurinë e Ballkanit që do të mbahet këtë vit në Beograd. Ftesat nuk i kam nisur akoma, por uroj të pranojnë. Nëse duan të vijnë edhe kryeministra të tjerë të rajonit, janë të mirëpritur”, buzëqesh ajo.

* * *

Gjatë qëndrimit 3-ditor në Beograd, pata ndjesinë se 2 ndeshjet e futbollit Shqipëri-Serbi, pavarësisht tensionit maksimal që shkaktuan, shërbyen për diçka të mirë. Pasi zhurma u fashit, ne mund të thonim se e njihnim më mirë njëri-tjetrin. Përshtypja ime u konfirmua gjatë vizitës në Ministrinë e Jashtme. “Absolutisht po! Marrëdhëniet mes vendeve tona janë më të mira se përpara ndeshjeve, janë më të mira se 2 vite më parë”, pohoi një zyrtar i MPJ-së serbe. Me pragmatizmin e një diplomati ai shtoi: Parimi është, ekonomia e para, politika ndjek. Nëse ne do të vizitojmë bregdetin shqiptar në verë dhe ju do të shfrytëzoni banjat termale në Serbi, kjo do të ishte në dobi të të dy palëve”.

Përballë godinës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë gjenden zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila u bombardua nga NATO më 1999. Serbët e kanë lënë ndërtesën gjysmë të shkatërruar dhe nuk e rikonstruktojnë si dëshmi të luftës. Është një përpjekje për të kompleksuar diplomatët perëndimorë që vizitojnë MPJ-në dhe për t’u thënë atyre: Ju jeni përgjegjës për këtë!

Ne perpjekje per t'u veteviktimizuar, serbet nuk i rikonstruktojne ndertesat e bombarduara nga NATO me 1999.

* * *

Si çdo vend tjetër i Ballkanit, media serbe vuan të njëjtat simptoma.

Gjatë vitit të kaluar u shënuan 24 incidente: kryesisht raste dhune ndaj gazetarëve. “E keqja është se njerëzit këtu i ndajnë gazetarët në patriotë dhe mercenarë. Ata që shkruajnë lirisht, kritikojnë qeverinë dhe autoritetet apo kanë një qasje liberale për çështjen e Kosovës, shihen si tradhtarë apo të paguar nga Perëndimi”, shpjegon Vukashin Obradoviç, kryetar i shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë. Krahas dhunës e kërcënimeve, shtypi lufton me 2 armiq të tjerë: krizën ekonomike dhe portalet ‘on-line’.

Gazeta më e madhe në vend, “Blic”, në vitin 2011 shiste 150 mijë kopje në ditë. Sot, nuk i kalon 90 mijë.

Milorad Jovanoviç nuk është më shumë se 40 vjeç por drejton një revistë me emër të madh si “Newsweek”. “Deri pak muaj më parë kemi pasur 10 faqe reklamë, tani kemi vetëm 1. Jemi një revistë anti-qeveritare dhe kjo ka koston e vet”, thotë ai. Jovanoviç e përshkruan kryeministrin e vendit të tij, si një njeri të obsesionuar pas medias: Besoj se ai e kalon gjysmën e kohës duke bërë ‘zapping’ dhe duke u kujdesur të dalë bukur në televizor. Rreth 20 punonjës të Radiotelevizionit Shtetëror të Serbisë u vranë në bombardimet e NATO-s në Beograd, në vitin 1999. Sot, familjet e viktimave vazhdojnë të protestojnë kundër… shtetit serb. Ata pretendojnë se regjimi i Millosheviçit kishte dijeni për bombardimet, por i la qëllimisht gazetarët të vriteshin, për ta nxjerrë NATO-n në dritë të keqe.

* * *

“Na duhet stabilitet, një mandat i plotë për reformat. Është vendimi im, të shkojmë në zgjedhje… për të ardhmen e Serbisë”, tha Aleksandër Vuçiç kur shpalli zgjedhjet e parakohshme. Kjo ishte arsyeja që ai dha: Duket si një arsye – joarsye. Lajmi i mirë është se ka politikanë në këtë cep të Europës që i kërkojnë popullit votëbesim kur shohin se ky besim mund të ketë pësuar lëkundje. Lajmi i keq është se partia e ultra-radikalit Sheshel që ka mbetur pa deputetë, do të ketë këtë radhë përfaqësuesit e vet në parlament.

Ngjan qesharake se si një ndeshje vaterpoloje mund të shkaktojë një krizë politike në vend. Por, Serbia ka hapur negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Dhe për ta arritur këtë, ajo e di se duhet të mësojë të vrapojë në të njëjtën fushë me Shqipërinë dhe të notojë në të njëjtën pishinë me Kroacinë.

Nga Beogradi, Erl Murati