• |
ide | kryesore

Ortaku i Olsi Ramës qëndron pas kërkesës së koncesionit të TVSH-së

I pakategorizuar
Olsi-Rama.jpg



MCN Services Sh.p.k – kompania e ortakut të vëllait të kryeministrit Edi Rama, qëndron së bashku me një kompani nga Hong Kong prapa një propozimi për një koncesion qindramilionësh për menaxhimin e TVSH-së.

Ministria e Financave pritet të hapë në mesin e muajit shkurt një tender ndërkombëtar për përzgjedhjen e një kompanie koncesionare për një periudhë 10-vjeçare, e cila do të ofrojë një sistem teknologjik monitorimi dhe transmetimi të dhënash për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Kompania që ka më shumë gjasa që ta fitoi këtë tender, e cila ka bërë dhe propozimin e pakërkuar për koncesionin, quhet M.POS Limited dhe ka seli në Hong Kong.
 
Megjithatë, BIRN ka zbuluar se partneri lokal i M.POS Limited është një kompani shqiptare e quajtur MCN Services Sh.pk, pronari i së cilës, Endri Meksi, është gjithashtu ortak në një kompani tjetër të regjistruar në Tiranë me vëllain e Kryeministrit, Olsi Rama.
 
Informacioni për përfshirjen e MCN Services në koncesionin e TVSH-së është mbajtur sekret nga Ministria e Financa, e cila e pyetur disa herë nga BIRN ka dhënë vetëm emrin e partnerit të saj nga Hong Kong, M.POS Limited.
 
Lidhja e Olsi Ramës me kompaninë që po kërkon koncesionin me një vlerë mbi 100 milion dollarë, ngre pikëpyetje lidhur me konflikt të mundshëm interesi në qoftë se kjo kompani do të shpallet fituesi i tenderit ndërkombëtar që pritet të mbahet nga qeveria Shqiptare.
 
I kontaktuar nga BIRN, zyra e kryeministrit tha se gara për koncesionin nuk është hapur dhe si rrjedhim nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi, diçka që kryeministri Edi Rama nuk do lejonte kurrë.
 
“Në momentin që flasim nuk ka asnjë garë apo tender të çelur për partneritetin publik privat në fjalë. Nëse Ministria e Financave do të vendosë ta hapë një garë të tillë, aty do të mund të konkurrojnë të gjitha kompanitë e interesuara,” tha zyra e kryeministrit.
 
“Nga ana tjetër siç lehtësisht mund të konstatohet, Kryeministri Rama nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë në asnjë rast e për asnjë arsye marrjen e ndonjë vendimi nga qeveria shqiptare që përbën konflikt interesi. Çdo insinuat e paraqitur si fakt është thejsht një spekulim,” përfundon reagimi.
 
Endri Meksi, pronar dhe administrator i MCN Services, nuk iu pwrgjigj një kërkese për koment nga BIRN mbi koncesionin.
 
Sipas kushteve të koncesionit, kur të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të rriten më shumë se sa 11 për qind mbi vitin paraardhës, do të duhet të ndahen mes shtetit dhe kompanisë koncesionare. Në rast se rriten nga 11 në 15 për qind, ndarja do të bëhet në raportin 90 me 10 ndërsa nëse rriten nga 15 në 19 për qind, ndarja do të bëhet në raportin 65 me 35. Me një llogaritje të thjeshtë, koncesionari do të marrë mbi 140 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme ndërsa shteti mund të marrë 40 milionë euro.
 
Ndryshe nga Meksi, kreu M.POS Holding Limited, Allen Cheng, i tha BIRN nëpërmjet postës elektronike, se partneri i tij në Tiranë ishte pikërisht kompania MCN, dhe është kjo kompani që i ka drejtuar negociatat me qeverinë shqiptare. [Kliko këtu për të lexuar email nga Allen Cheng]
 
“Skuadra jonë nga Hong Kong bëri qasjen e parë dhe prezantoi zgjidhjen, që më duhet të nënvizoj është testuar në vende të tjera me sukses,” Cheng i tha BIRN. “Diskutimet më pas u ndoqën nga partneri ynë lokal MCN,” shtoi ai.
 
Sipas Cheng, gjatë këtyre “diskutimeve” projekti është zgjeruar në mënyrë që të adoptohet sa më mirë me situatën në Shqipëri, sepse çdo vend ka veçantitë e veta.
 
MCN është një kompani e teknologjisë së informacionit që operon në sektorin e telekomunikacioni, internetit dhe ëeb-dizajnit. Kreu i MCN, Endri Meksi, ka dhe katër kompani të tjera të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKR.
 
Në një nga këto kompani, e quajtur Pegasus Communications, Meksi është ortak me Olsi Ramën, vëllain e vogël të kryeministrit Edi Rama. Olsi Rama zotëron 35% të aksioneve të kompanisë Pegasus Communicatios, 35% kontrollohen nga Endri Meksi, dhe pjesa e mbetur zotërohet nga Amant Josifi. [Kliko këtu për aktin e themelimit të Pegasus]
 
Cheng i tha BIRN që për të operuar koncesionin, M.POS dhe partneri i tyre lokal do të përdorin një kompani që do ta regjistrojnë në Tiranë.
 
“M.POS Hong Kong dhe partneri ynë lokal do të regjistrojmë një kompani të formatit SPV në Shqipëri, siç është zakon për këtë lloj projektesh,” tha ai.
 
Entiteti për Qëllime të Posaçme (SPV sipas akronimit në anglisht) është një ent ligjor (zakonisht një kompani me përgjegjësi të kufizuara) që krijohet për të përmbushur një objektiv specifik apo të përkohshëm. SPV-të zakonisht përdoren nga kompanitë për të izoluar firmën mëmë nga çdo rrezik financiar.
 
Sipas Allen Cheng, propozimi që i është dërguar qeverisë shqiptare nga M.POS bazohet në produktin e tyre VAT Raffle. M.Tax Raffle është një sistem monitorimi i TVSH-së i cili ka gjithashtu të integruar lotarinë e kuponit.
 
Kreu i M.POS shprehet se si grupi i tij në Hong Kong dhe partneri i tyre në Tiranë janë shumë të ndjeshëm ndaj privatësisë së të dhënave që ato do të administrojnë, dhe që zgjidhja e propozuar prej tyre është konform me ligjin 9987/2008 për mbrojtjen e të dhënave personale. Cheng shtoi që projekti është gjithashtu në linjë me direktivat e BE-së për “E-invoice” si dhe udhëzimet OECD-së për programe kompjuterike kontabiliteti.
 
Cheng i tha gjithashtu BIRN se propozimi i tyre i bërë për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të kërkonte ndërrimin e kasave fiskale në Shqipëri.
 
“Që të funksionojë, nevojitet që makineri të reja POS të futen në treg, jo domosdoshmërish nga M.POS, por ne kemi propozuar tonat, së bashku me disa kasa fiskale,” tha ai.
 
Cheng mohoi të kishte politikan të përfshirë në skemën e saj dhe tha sa ky ishte një projekt teknologjik që do të ndihmonte Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të rriste kapacitetet për të mbledhur TVSH-në.
 
“Ju konfirmoj me forcë që nuk ka asnjë politikan të lidhur me këtë projekt,” përfundoi ai.
 
BIRN