• |
ide | kryesore

Altin Basha: Padia ime për drejtorin e akuzuar të Teatrit Kombëtar

Arkiva, Blog
image.jpeg



Drejtor, Para disa ditësh i ktheve një përgjigje shkrimit tim (TK, Pandi, Çuli dhe Mirela). Shkrimi im ishte një PADI (Accusa) për problemet që më shqetësojnë mua dhe kolegët e mi, në lidhje me punën tënde dhe të Mirelës (Ministre Kulture) në Teatrin Kombëtar. Përgjigjja jote duhet të ishte normalisht në lidhje me temën, por më rezultoi një fletërrufe e shkruar me PADIJE (Ignorantia). Për mua ajo përgjigje pa përgjigje ishte në fakt stili më i përhapur në gazeta dhe politikë, duke synuar të rrëzojë dhe zvogëlojë kauzën time me probleme personale, foshnjarake, të vogla, nxitur nga “ligësia” ime. E pudrosur nga ty me pluhur respekti, që mos të kutërbonte, fletërrufeja rezultoi të ishte një ujëvarë PADIJE. Kauza ime është një: TEATËR KOMBËTAR me ARTISTË DINJITOZË.

Me ndërhyrjen brutale në një debat parimor t’i bëre një hap para për të pritur valën që mund të lagte këmbë e krye edhe ministren. Por, le të vijmë te thelbi. Në rastin e incidentit me gazetarin Eni Shehu ti rezulton edhe i PADITUR si Accusatus për dhunë, por edhe i PADITUR si Ingorans, për të mbrojtur veten, duke u shmangur nga thelbi: DHUNA NDAJ GAZETARIT. Ishte ky rasti pse unë të PADIS (Accusa) se shkurtove një vend pune që i duhej TK dhe se për ironi ti përfundove ta bësh vetë atë punë. Ti me PADIJE (Ignorantia) më thua se “luaj me vdekjen duke tallur të vërtetën” duke më porositur të mos t’i trazoj emocionet e familjes së të ndjerit.

Ti shqetësohesh për familjen e Pandit? Po përgjigje nuk jep nëse bëre mirë apo keq. Unë PADIS (Accusa) Ministren se është e turpshme që ajo të vajtojë gjendjen e artistëve, sepse ajo vetë e ka përkeqësuar atë, duke hequr “shpërblimin artistik” i cili jepej vetëm për aktorët që bënin role. Ti me PADIJE (Ignoratia) i del asaj përpara dhe më përgjigjesh se ky është “masivizëm artistik” dhe se këtë gjë nuk mund e duhet ta kem seriozisht. Unë PADIS (Accusa) Ministren dhe ty se nuk e realizuat angazhimin për kthimin në buxhetin e TK të 90% të biletave.

Ti “harron” të përgjigjesh dhe me PADIJE (Ignorantia) më thua se “përpiqem të shpërndaj helm për të krijuar pakënaqësi në komunitet”. Unë të PADIS se politika selektive e ndjekur për kontratat i shkaktoi dëm ekonomik TK dhe u katandis vetëm me dy pushime nga puna. Ti me PADIJE përgjigjesh me inicialet e tyre se njëri është në barrikadë me mua dhe tjetrën mund ta marr me vete në punë te “Top Channel”. Të PADIS se duke shfrytëzuar pozitën e drejtorit bllokove skenën e TK për 4.5 muaj me shfaqjen “Tri motrat”. Nëse një sezon artistik zgjat 9 muaj ti përdore gjysmën e kësaj kohe për vete dhe ke lënë 4.5 muaj kohë për projektet e tjera. Ti me PADIJE e me thirrje “Allah – Allah” (edhe pse nuk je mysliman) përgjigjesh se nuk është faji yt që punon shumë, duke na treguar se ke një problem serioz me aritmetikën. Të punosh gjatë nuk do të thotë se ke punuar shumë, por pak dhe ngadalë. Të PADIS për konceptin joproduktiv që ke për stimulimin e dramës shqipe dhe nëpërkëmbjen e saj. Ti me PADIJE (Ignorantia) deklarove mbi mungesën e dramës shqipe në repertor (gazeta SOT), se “TK nuk është kosh plehrash”, duke aluduar pa t’u dridhur syri se dramat e paraqitura janë plehra. Kështu pra, i ngarkuar me mllef dhe agresivitet shkruan në fletërrufe se unë paskam qenë sulltan në TK e shumë llallalla të tjera. Gjatë karrierës sime 20-vjeçare unë kam realizuar rreth 30 regji teatrore nga të cilat vetëm dy i kam realizuar në TK. ALLEGRETTO ALBANIA është realizuar në 2008 kurse AMADEUS pesë vite më vonë në 2013. Si mund të isha unë sulltan vetëm me dy premiera në pesë vjet? Nëse TK qenka udhëhequr nga një anëtar bordi siç ti më PADIT (Accusatus) me PADIJE atëherë sipas kësaj logjike (meqë e paska këtë fuqi) i bie që TK nuk drejtohet nga ti. Cili nga anëtarët e bordit e drejton TK? Elsa Demo, Jonila Godole, Andi Tela, Preç Zogaj, Milena Selimi, Përparim Kabo apo Sotir Kokeri? Nëse unë paskam dalë nga mbledhja e bordit duke dhënë dorëheqjen për t’i lënë anëtarët e tjerë të vendosin pa praninë time, ti si veprove DREJTOR? Cilin nga këto dy veprime bëre? Dole jashtë apo dhe dorëheqjen? Unë të PADIS se anëtaret e bordit janë të pazotë të gjykojnë, sepse duhen ekspertë që merren me prodhimin teatror për të kuptuar dhe gjykuar kompleksitetin e projekteve. Ti me PADIJE më rendit emrat dhe aftësitë duke vërtetuar faktin që katër prej tyre janë gazetarë. Asnjë profesionist praktikues i fushës? Madje shkon më tej duke thënë se projekti im MADE IN ALBANIA është skualifikuar, sepse unë shpërfilla bordin, duke mos u paraqitur në intervistë. Si mund ta skualifikosh një projekt për mosparaqitje? Po edhe gjykata e shtyn seancën për mosparaqitje, o DREJTOR. Çfarë i ndodhi dramaturgjisë së pjesës së Stefan Capalikut nga mosparaqitja ime? Ti mërzitesh kur unë të PADIS se je bërë drejtor për të menaxhuar krijimtarinë e të tjerëve dhe jo tënden. Për çfarë je intervistuar në konkursin për drejtor të TK? Për shfaqjet që do vësh në skenë apo si do ta menaxhosh institucionin? Meqë je kaq transparent, pse nuk e boton platformën tënde për drejtimin e TK? Është institucion publik dhe e ke për detyrim ta bësh publike. Më e lehtë duket se është të lexosh draftin e reformës në drejtësi sesa platformën tënde. Apo nuk ke fare platformë? Unë të PADIS se në dy vjet nuk ke realizuar asnjë projekt me TK e KOSOVËS dhe po të sjell edhe si një argument më tepër refuzimin që i bëre para pak kohësh shfaqjes NANA DHE FËMIJA me regji të BEKIM LUMIT. Unë të PADIS se nuk u tregove i sinqertë për shpenzimet e shfaqjes time AMADEUS, borxhet e së cilës nuk i ke shlyer edhe sot e kësaj dite. Ti me PADIJE më përfole nëpër televizione, (gjë që thua se e ke bërë vetëm pozitivisht) duke fshehur të vërtetën. rekordin e kostove që kishte FRANKU V i Arben Kumbaros. Gjithashtu, me PADIJE e lexove mbrojtjen time si përpjekje për të të paraqitur ty si Salier dhe veten time si Moxart. Jo zoti DREJTOR, unë prej se jam në këtë zanat PADIS çdo anomali që më ka shqetësuar në Teatrin Shqiptar. Kam folur në media të ndryshme vazhdimisht. Të ftoj të kërkosh dhe do gjesh kudo dëshmi të këmbënguljes time për një Teatër me Artistë dinjitozë. Me qeveritë e kam pasur më shumë inatin, të djathta dhe të majta. Ndërkaq ti me PADIJE shkruan se kam heshtur. Përmend madje edhe kohën kur ti ishe i flakur. Për ty, nuk kam folur shumë. Ndoshta kjo vjen nga fakti se unë jam neutral karshi teje si artist dhe si njeri por, një gjë nuk e kam bërë… atë që kanë bërë shumë të tjerë që janë rreth teje sot. Ti e di shumë mirë. Thonë se drama e përbashkët e të gjithë personazheve të Çehovit qëndron te një dashuri e mohuar. Ndoshta ke filluar t’u ngjash atyre. Ndryshe nuk mund ta shpjegoj faktin që këtë fletërrufe duket se e kanë shkruar dy persona.

Njëri shkruan se jam i LIG dhe tjetri më fton të bashkëpunojmë. Cilin prej tyre të besoj DREJTOR? Po e mbyll këtë përgjigje, të cilën nuk do doja ta shkruaja, por qeshë i shtrënguar kur pashë sesi pa ma devijoje kauzën. Ndaj më duhet të ta përsëris. Kauza ime është: Teatër dhe artistë dinjitozë. Mua mund të më baltosësh, por jo kauzën time. Ajo është vetëm parimore, jo personale. Nuk shkruaj “kundër…”, por shkruaj “për…”. Nëse “Ligësia” ime është një PADI pse them të vërtetën, atëherë kjo gjë ka të bëjë me PADIJEN tënde. PADIJA është mallkim nga Zoti, DIJA është flatra me të cilën ne fluturojmë për në parajsë. Uilliam Shekspir (1564-1616, poet dhe dramaturg anglez)



4 Comments

  1. Shkrim i jashtezakonshe,

    Shkrim i jashtezakonshe, Pergezime  z>  Altin Basha.  

  2. Altin, kam një vërejtje të

    Altin, kam një vërejtje të madhe për juve, si  intelektual dhe si regjisorë që jeni. Të hargjosh kohë dhe të mirresh me një grindavec, pijanec dhe kurvar të vetëdeklaruar. Më beso, ka mjaftuar vetëm shkrimi i parë për atë palo drejtoro-regjisoro-mu.!

  3. Altin, kam një vërejtje të

    Altin, kam një vërejtje të madhe për juve, si  intelektual dhe si regjisor që jeni. Të hargjosh kohë dhe të mirresh me një grindavec, pijanec dhe kurvar të vetëdeklaruar. Më beso, ka mjaftuar vetëm shkrimi i parë për atë palo drejtoro-regjisoro-mu.!

     

     

  4. Me sa duket  linja e punes se

    Me sa duket  linja e punes se drejtorit maskara,por dhe ministres grua te kee,eshte sa me shume dhune fizike,shpirterore,vjedhje dhe pastaj si per kapak genjeshter dhe mashtrim.  Por une te pergezoj shume per kurajon dhe vendosmerine  qe po tregoni duke vazhduar t'iu bini kokes ketyre lapangjoseve qe po vene hunj ne rrotat e artit dhe kultures shqiptare.