• |
ide | kryesore

Letra e italianëve shton telashet me pajisjen e përgjimit

I pakategorizuar
45_big.jpg



Drejtoria e Doganave nuk e ka regjistruar pajisjen e përgjimit që u fut në Shqipëri më 11 mars 2016 nga dy ekspertë të policisë italiane nëpërmjet portit të Durrësit. Ajo nuk ka patur dijeni për ekzistencën e saj. Pajisja përgjuese ishte në bordin e një autoveture, siç thotë në një letër dërguar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, kreu i policisë italiane Alessandro Pansa, një ditë më parë e la këtë detyrë.

Më 11 mars 2016 u dërguan në Tiranë  dy specialistë të policisë italiane për të kryer trajnime të policisë shqiptare. Për trajnimet, personeli italian mori me vete një autoveturë të pajisur me një aparaturë të quajtur “IMSI CATCHER, me modelin Vortex prodhuar nga Ditta Ercom, të instaluar në bordin e saj”, thuhet në shkresën e Alessandro Pansa.

Një aparaturë e tillë duhej të ishte regjistruar në zyrat e doganës dhe për më tepër, për përdorimin e saj duhet të ishte njoftuar edhe Prokurori i Përgjitshëm, thotë opozita.

Një rasti i ngjashëm ka ndodhur në vitin 2015. Kjo pajisje përgjimi rezulton të ketë hyrë në territorin e Shqipërisë një vit më parë, është regjistruar në doganë, është njoftuar dhe prokurori i Përgjitshëm dhe në fillim të verës, me vënien në përdorim të saj, është arritur të kapet një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Po përse kjo pajisje nuk u deklarua në doganë kur u fut sërish një vit më vonë? Pëse nuk u ndoq e njëjta procedurë? Përse e mbajtën të fshehtë specialistët e policisë italiane?

Shefi i policisë italiane, Alessandro Pansa, nuk jep sqarime në lidhje me këtë çështje në letrën për kryeprokurorin. Por ai kujdeset t’i sjellë në vëmendje atij se ekspertët e policisë italiane gëzojnë imunitet dhe nuk mund të hetohen për futjen e pajisjes në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

“Personeli i forcave të policisë italiane gëzon, sipas nenit 8 të saj, iminutetin e juridiksionit civil, penal dhe administrativ për aktet e kryera në ushtrimin e funksioneve të tij”, shkruan Pansa, duke theksuar se në trajnimet e 5 policëve shqiptarë në Tiranë, Elbasan e Vlorë, aparatura është përdorur vetëm për aktivitete mësimore.

Edhe pse përpiqet të sqarojë se me aparaturën nuk janë kryer përgjime, letra e kryepolicit të Italisë i shton më shumë dyshimet ashtu si edhe lëvizja e tij nga kjo detyrë dhe emërimi në një pozicion më të ulët në hierarkinë policore italiane. Ai thotë se aparatura nuk ishte e programuar për të kryer përgjime të asnjë lloji. Vë në dukje se ekspertët e policisë italiane që e kishin marrë atë me vete nuk mund ta ndryshonin programimin e saj. Pra, ata nuk mund ta vinin në punë për përgjime. Kujdeset të tregojë se kjo aparaturë ka qenë gjithnjë në duart e ekspertëve italiane dhe se, edhe kur nuk është përdorur, ka qëndruar në zyrat e Interforce brenda ambasadës italiane.

Kur garancia ka qenë kaq e madhe që ajo nuk mund të përdorej për përgjime edhe sikur policët italianë apo shqiptarë të kishin tentuar të shkelnin rregullat, atëherë, përse ajo nuk duhej treguar në doganë? Çfarë u ka fshehur policia italiane dhe ajo shqiptare doganave? Përse zyrtarët e doganave nuk duhet të ishin në dijeni të futjes së saj, siç e kërkon ligji?

Alessandro Pansa, i shkarkuar tashmë nga detyra e kryepolicit të Italisë, përpiqet të japë idenë se gjithçka është bërë në dijeni të autoriteteve shqiptare, të paktën përsa i përket futjes së apraturës në Shqipëri. Jo më kot ai shkruan se më 11 mars ekspertët italianë u pritën në portin e Durrësit nga zyrtarë të policisë shqiptare.

Por a ishin shefat e policisë shqiptarë ata që ndërhynë pranë doganave për të mos u kontrolluar makina e kolegëve italianë? Apo italianët e kaluan pajisjen fshehurazi duke shkelur në këtë mënyrë ligjin?

Alesandro Pansa nuk jep asnjë nga këto përgjigje në letër. Por ai e lë të kuptohet se pajisja u fut në shkelje të ligjit kur i përmend kryeprokurorit se ai nuk mund ta hetojë personelin italian që kishte marrë aparaturën me vete për trajnime, për shkak se gëzon imunitet.

Edhe pse jep garanci se aparatura nuk ka qenë asnjëherë larg duarve të ekspertëve të policisë italiane, Pansa nuk mundet të heqë një dyshim tjetër. A u përdor pajisja nga vetë italianët për të përgjuar zyrtarët shqiptarë gjatë kohës që ka qëndruar në ambasadë apo në lëvizje në Tiranë, Elbasan e Vlorë?

Në gusht të vitit 2014, disa dokumente sekrete që rrodhën në mediat botërore treguan se shërbimi sekret gjerman BND kishte përgjuar zyrtarë të lartë në Shqipëri që prej vitit 2009, përshirë edhe kryeministrin e kohës, Sali Berishën. Përgjime ishin kryer edhe mbi grupet e krimit të organizuar që vepronin në të dy vendet. Pajisja që kreu këto përgjime dyshohet se ishte stacionuar brenda territorit të Shqipërisë, por për këtë nuk pati të dhëna në mediat që publikuan lajmet.

Të gjitha këto pikëpyetje mbi futjen në mënyrë të paligjshme të aparaturës dhe përdorimin e saj mund të sqarohen vetëm nëse ajo do të lejohet të ekzaminohet. Por deri tani italianët kanë refuzuar t’ia japin atë Prokurorisë Shqiptare dhe janë mjaftuar vetëm me një shkresë të një kryepolici të shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë pasi pajisja ishte futur në Shqipëri dhe pasi SHISH kishte marrë dijeni për ekzistencën e saj. /Lapsi.al

Alessandro Pansa