• |
ide | kryesore

Skandali i përgjimeve, Italia tërheq shefin e Interforce

I pakategorizuar
shefi-interforce.jpg



Autoritetet italiane kanë tërhequr nga Shqipëria shefin e Interforce, Michele Grillo. Ai u përmend nga gazeta italiane “Corriere Della Sera” si njeriu që kishte bërë të mundur futjen në mënyrë të paligjshme të pajisjes së përgjimit “IMSI Catcher” në Shqipëri.

“Kompania dyshohet se ka përdorur kanale mbështetëse për të hyrë në tregun shqiptar: ka kaluar përmes ambasadës italiane dhe në veçanti nga ish –shefi i polices Anna Poggi”, shkruan “Corriere Della Sera”, duke iu referuar Michele Grillos.

Vec kësaj, gazeta theksonte se zyrtari i Interforce, në Tiranë, dyshohet se ka lidhje familjare me kompaninë që prodhon pajisjen, pasi bashkëshorja e tij është e punësuar në pozicion drejtues pranë saj.

Tërheqja e Michele Grillos nga drejtimi i misionit policor Interforce vjen pak ditë pas takimit që zhvilloi kryeprokurori Ardiatik Llalla me ambasadorin italian, Alberto Cutillo, të cilin e siguroi se prokurori nuk po heton veprimet e policisë italiane në lidhje me pajisjen e përgjimit.

Hetimet për pajisjen e përgjimit bënë që edhe shefi i policisë italiane, i zëvendësuar pak ditë më parë nga detyra, t’i dërgonte një letër kryeprokurorit Llalla, përmes të cilës e njoftonte se pajisja ishte futur në bazë të një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2007 për bashkëpunimin policor në luftën kundër krimit të organizuar dhe se policët italianë gëzonin imunitet nga hetimet. / Tv Klan