• |
ide | kryesore

Gëzim Sinemati: Paradokset e ndeshjes me Zvicrën, gafat dhe koka lart

I pakategorizuar
Gezim-Sinemati.jpg



Të ulur në gjunjë, si në një skenë masone të marrë borxh nga futbolli, futbollistët e Kombëtares sonë kanë dëgjuar tërë sy e vesh fjalët e kapitenit Cana.

Kjo skenë spektakolare, në prag të ndeshjes me Zvicrën, sepse na ndolli kur Loriku veteran, i shtrirë në fushë, tundi “krahët e shqiponjës” për t’u vetëflijuar me kartonin e dytë të verdhë.

Një episod që ngjalli shumë frikë dhe pasiguri, sidomos kur kujton se ndeshja kishte filluar me një dalje pa busull të Berishës, pikërisht në minutën e pestë.

Për 36 minuta, në ndeshjen debutuese në një finale të Europianit, Shqipëria përjetoi rrëzimin e “dy kullave binjake”. Cili ekip tjetër, debutues, do të shfaqej me një bujari të tillë në Francë? Si në një film, të cilin nuk e kupton dot edhe kur mbaron, derbi i shqiptarëve u shndërrua në një përballje me shumë mistere.

Shqipëria me 10 futbollistë dukej më e zonja dhe më e arsyeshme, sesa kur ishte e “mangët” me 11 futbollistë.

Cili do të besonte se futbollistët e De Biazit, edhe pse në inferioritet, do të fitonin garën për zotërimin e topit në pjesën e dytë!

Dhe me cilët? Zvicra bën pjesë në grupin e ekipeve që dominojnë lojën në zotërimin e topit, ndaj edhe zbukurimi ynë i papritur duhet të kuptohet edhe me bujarinë e tyre.

De Biazi ka të drejtë kur thotë se zviceranët morën dhurata në fillim të ndeshjes, por, nga ana tjetër, trajneri Petkoviç nuk i fal futbollistët e tij për disa sjellje të çuditshme gjatë pjesëve. Ka shumë arsye që kjo ndeshje të kujtohet gjatë, ndryshe nga humbjet e tjera.

Disa, të mësuar me lojën e skedinave, ku të gjithë ngushëllohen me sloganin “u dogja për një”, mendojnë se rasti i Gashit ishte mallkimi i kësaj ndeshjeje.

Nëse do të kishte shënuar, sipas logjikës pragmatiste, shumë gabime do të harroheshin nga entuziazmi i golit të parë, i pikës së parë.

Në një futboll, ku iluzioni dhe euforia janë një ushqim i pandryshueshëm, logjika sikur ndalon më shumë tek episodet, sesa te tërësia e 90 minutave.

Kjo që ndodhi, ka të mirën e vet në prag të ndeshjes me Francën. Me pretendentët e fronit në këtë Europian, nuk mund ta nisësh ndeshjen në gjumë, aq më shumë kur ata janë provokuar vazhdimisht nga media për “gjelat që u therën” në miqësoren e Elbasanit. Në Marsejë do të jetë krejt ndryshe.

Edhe sikur Zoti me De Biazin të kombinojnë për të shmangur gafat që nuk po na ndahen./marrë nga gazeta Panorama-sport/