• |
ide | kryesore

Raporti sekret i SHISH/ Kë përgjoi pajisja italiane

I pakategorizuar
pajisja111.jpg



Prokuroria e Tiranës ka në dorë një raport të ri për pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher” të futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe të dyshuar se është përdorur për të përgjuar drejtues të shtetit, deputetë, diplomatë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë e biznemenë.

Ky raport është hartuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe përveç Prokurorisë së Përgjithshme i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrit Edi Rama.

Agjentët sekretë shqiptarë japin informacione mbi zonat ku ka lëvizur dhe është stacionuar makina që ka të instaluar pajisjen e përgjimit, shkruan Panorama.

“IMSI Catcher” ka patur lëvizje intensive në zonën pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Për disa ditë me radhë ajo është stacionuar pranë organit qëndror të akuzës, në qendër të Tiranës. Raporti i SHISH duket se përmban edhe materiale filmike të makinës tip MBW me targa italiane në të cilën gjendet aparatura përgjuese.

Veç Prokurorisë së Përgjithshme pajisja ka qëndruar gjithashtu për disa kohë pranë Bashkisë së Tiranës dhe disa ministrive të tjera pranë saj. Ajo është parë edhe pranë rrugës së Elbasanit dhe pranë Televizionit Publik Shqiptar ku gjithashtu gjenden zyrat e disa personaliteteve dhe selive diplomatike të huaja si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ky fakt ka ngritur dyshime se drejtuesit e institucioneve pranë të cilave ka qëndruar pajisja, mund të jenë përgjuar.

SHISH, saktësohet në raport, është vënë në ndjekje të pajisjes së përgjimit prej muajit prill kur agjentët kishin marrë për herë të parë informacion se ajo ishte futur në Shqipëri pa u regjistruar më parë në doganë dhe pa marrë lejen e Prokurorit të Përgjitshëm, siç e kërkon ligji.

Përpara se të jepte alarmin, SHISH e ka verifikuar informacionin duke mbledhur prova të tjera. Më pas vetë kreu i SHISH ka sinjalizuar Prokurorin e Përgjithshëm, për të kryer hetime në lidhje me rolin e aparatit që mund të kryente përgjime të të gjitha llojeve të komunikimit telefonik.

Raporti i SHISH përmban të dhëna edhe mbi personat që kanë qenë në makinën ku ndodhej pajisja e përgjimit gjatë lëvizjes së saj nëpër Tiranë.

Që me zbulimin e faktit se pajisja ishte futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, Prokroria e Përgjithshme ka kërkuar sekuestrimin e saj. Por autoritetet italiane e kanë mbajtur atë të fshehtë. Pajisja iu fsheh prokurorëve edhe më 13 maj kur ata shkuan ta sekuestronin në zyrat e Forcës Operacionale të policisë. Kur prokurorët hynë në zyrat e Forcës Operacionale, specialisti Entiol Xhelilaj doli me makinën e “IMSI Catcher” edhe pse ai ligjërisht nuk kishte të drejtë ta lëvizte atë.

Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj tij, ndaj eprorit të tij dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos. Ky i fundi u pezullua nga detyra, por një ditë më parë Gjykata e Apelit e ktheu në detyrë, duke pranuar si provë një shkresë të policisë italiane, në të cilën thuhet se “IMSI Catcher” nuk ka kryer përgjime.

Prokuroria shqiptare dyshon që përgjimet janë kryer nga punonjës të policisë shqiptare që janë trajnuar nga italianët për ta përdorur pajisjen dhe jo nga efektivët e policisë italiane. Për të vërtetuar të gjitha dyshimet e ngritura nëse është përgjuar apo jo me pajisjen, prokurorët thonë se është e domosdoshme që ajo të sekuestrohet.

Sipas disa të dhënave të siguruara nga lapsi.al, makina me pajisjen gjendet në ambasadën italiane dhe nuk e ka lënë territorin shqiptar. Ndonëse nga prokuroria shqiptare është kërkuar me shkresa zyrtare që ajo t’i vihet në dispozicion, italianët refuzojnë, për arsye që ende nuk i kanë bërë të qarta. Edhe pse dy drejtues të policisë italiane kanë deklaruar zyrtarisht se nuk janë kryer përgjime, autoritetet fqinje nuk pranojnë t’ua vënë në dispozicion pajisjen hetuesve për të provuar realisht që ajo nuk ka kryer përgjime.

Drejtues të policisë së shtetit, të marrë në pyetje gjatë hetimeve, kanë pohuar se një pajisje e tillë është e aftë të kryejë përgjime. Sipas tyre, një pajisje e këtij lloji është pëdorur në qershor të vitit 2015 për të kapur Vladimir Gjutën, i cili kërkohej për vendosjen e triitolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. 

Fshehja e pajisjes i ka shtuar dyshimet se ajo nuk është përdorur vetëm për qëllime trajnimi, siç thuhet nga policia italiane dhe ajo shqiptare. Këto dyshime përforcohen nga fakti se ajo iu mbajt e fshehtë edhe autoriteteve doganore shqiptare dhe Prokurorit të Përgjthshëm, të vetmit që mund të autorizojë përdorimin e saj, qoftë edhe për trajnime. /Lapsi.al