• |
ide | kryesore

IMSI Catcher/ U përgjua në Seman për avionët me drogë

I pakategorizuar
pajisja-e-pergjimit.jpg



Pajisja përgjuese “IMSI Catcher”, për të cilën Prokuroria ka nisur hetimet, dyshohet se është dërguar në zonën e Semanit pak javë më pare. Pas sinjalizimeve se në këtë zonë po ulen avionë me drogë, drejtuesit e policisë dyshohet se urdhëruan përdorimin e IMSI Catcher. Panorama raporton se hetuesit kanë dyshime se pajisja e përgjimit u dërgua një ditë në zonën ku ishte raportuar për fluturimin e një avioni të vogël në Seman.

Dyshohet se të pranishëm kanë qenë policë shqiptarë dhe punonjës të “Interforce”. Dërgimi i pajisjes në zonën e Semanit mësohet se është pranuar se ka ndodhur edhe nga efektivë të policisë shqiptare, që janë pyetur si persona me dijeni për çështjen e “IMSI Catcher”. Pavarësisht këtij fakti, nuk është e qartë nëse pajisja përgjuese është dërguar në zonën e Semanit për arsye hetimore, pra për të skanuar IMEI-t në zonë vërtet apo për arsye trajnimi. Zyrtarët e akuzës thanë se po hetojnë të dyja variantet, pra mundësinë që pajisja të jetë përdorur për përgjime në lidhje me çështjen e avionit, por edhe mundësinë që në situatën e dhënë, pajisja të jetë përdorur për trajnim me qëllim lokalizimin e personave të dyshuar në zonë.

Në të dyja rastet, sipas Prokurorisë, ka dyshime se pajisja është përdorur me kapacitetin e saj skanues të celularëve dhe me programe përgjuese. Më 21¬ 22 maj 2016, disa qytetarë raportuan se kishin parë avionë të vegjël sportivë në zonën e Semanit. Raportimet u shoqëruan edhe me disa foto të avionëve, për të cilët u tha se ishin ulur në zonën e Semanit. Policia i hodhi poshtë këto raportime dhe tha se atë ditë në itinerare që përfshijnë Semanin kanë fluturuar tre avionë sportivë, me leje, për qëllime turistike. Ndërhyrja në rrjet Nga ana tjetër, Prokuroria bën me dije se veç hyrjes së pajisjes pa kaluar në doganë dhe pa autorizim nga Prokuroria, një tjetër shkelje është gjetur në procedurën e ndjekur. Sipas akuzës, Policia nuk ka njoftuar AKEP-in në lidhje me ndërhyrjet që mund të bëheshin në rrjetin e telefonisë celulare nga pajisja “IMSI Catcher”, qoftë edhe për arsye trajnimi.

Edhe në këtë rast, sipas Prokurorisë, organi që ka sjellë pajisjen në Shqipëri duhej që minimalisht të njoftonte Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP. Sipas Prokurorisë, në çdo rast pajisja ndërhyn në rrjetin e telefonisë celulare duke u sjellë si antenë valësh e rreme e duke nxjerrë jashtë funksioni antenat e vërteta./panorama