• |
ide | kryesore

Ndryshimet në qeveri/ Ç’mendojnë Sokol Balla dhe Fevziu

I pakategorizuar
tahiri-manjani.jpg



Ndryshimet e mundshme në qeveri, largimi i mundshëm i Ylli Manjanit, apo këmbimi i kokës së tij me atë të Tahitit kanë yshtur sot edhe gazetarë të njohur televizivë të japin versionet e tyre. Kështu në një analizë të tij duke përshkruar këtë shkëmbim Sokol Balla shkruan: “Ajo që është e vërtetë, është se dy emrat, Tahiri dhe Manjani, janë dy zëra më “outspoken” të qeverisë së koalicionit të majtë, me shumë pak qime në gjuhë, kur vjen puna për të kritikuar, edhe vetë brenda familjes. Manjani me daljen e tij në Top Story, bëri publike klimën që ekziston mes dy partive, më shumë mosdakortësinë që zakonisht shfaqet vetëm në takimet e të mërkurave mes Ramës dhe Metës. Takime ku jo rrallë kanë qënë të pranishëm edhe Tahiri dhe Manjani. Por tashmë këto takime po bëhen kokë më kokë, dhe dy liderët supremë duket se janë të pakënaqur me sjelljen e “oficerëve” respektivë. Dhe meqë të dy emrat janë të rëndësishëm për të dy kampet, duket se askush nuk është duke lëshuar pe’. Dikush kërkon kokën e Manjanit para zgjedhjeve, dhe tjetri përgjigjet zjarr për zjarr me emrin e Tahirit. “Të jap një Yll, me jep një Saimir?”.

Ndërsa Blendi Fevziu ka analizuar tre versionet, se si mund të shkojë marrëdhënia mes Ramës dhe Metës pas konflikteve të fundit. Ai ka dhënë tre versione: 

“I pari, është që Rama të vendosë të bëhet Kryeministër dhe të shkarkojë një apo dy ministra të LSI që kanë sulmuar hapur qeverisjen qëndrore dhe lokale. Për të vendosur në vend autoritetin e tij ai duhet ta bëjë këtë pa konsensusin e Metës dhe kjo mund të provokojë largimin e LSI nga qeveria.

I dyti është që Meta të bindet, siç thonë edhe ministrat e tij, që qeverisja me PS është një dështim. Që LSI po merr kosto nga korrupsioni dhe arroganca e qeverisjes dhe të vendosë të largohet vetë prej saj. Ai mund ta bëjë këtë duke u larguar menjëherë, ose të distancohet duke deklaruar që në zgjedhje do të garojë më vete, jo në koalicion me PS e padyshim jo me PD.

I treti, më neveritësi politikisht është që Rama dhe Meta të ulen sërish. Të bien dakort për të prerë ndonjë kokë ministri “rebel” të LSI apo ndonjë tjetri të PS dhe të vendosin të shkojnë më tej. Do ta shtyjnë ca kohë, sa të dalë konflikti i rradhës dhe ta kuptojnë që dallimi mes tyre nuk është rastësor, por konceptual”.