• |
ide | kryesore

Një ambasador si Lu edhe për Kosovën

Arkiva, Blog
Capture.PNG



ARDIAN HAXHAJ​/Çdo projekt që bëhet për ta rregulluar, tejkaluar ose përmirësuar prishjen, ngecjen, stagnimin etj., gjithmonë fillon nga analizimi i kushteve reale që ekzistojnë në çdo rrethanë. Ky është hapi përcaktues si në projektet teknike, ashtu edhe në projektet politike e sociale. Për shembull: për trasimin e një rruge të re së pari nevojiten studimet e fizibilitetit: aty ku ka nevojë për urë thuhet se ka nevojë për urë, aty ku është e pamundshme trasimi për shkak të reliefit, përcaktohet hapja e tunelit, etj,. etj. Edhe në projektet e përmirësimit të politikave qeverisëse, sociale e politike, së pari nevojitet procesi i inventarizimit të gjendjes ekzistuese në të gjithë sektorët. Pastaj, varësisht nga gjetjet reale, gjithsesi reale, zhvillohen projektet për përmirësim, tejkalim dhe rregullim të ngecjeve, stagnimeve, stërkeqjeve etj.

Tashmë shumica e dinë, si brenda, si jashtë, se: shoqëritë në Kosovë dhe në Shqipëri (dy vende në Evropë ku jetojnë shqiptarët etnikë) sundohen nga parapolitika oligarkike kriminale. Termi sundim nënkupton përvetësimin e të gjitha të mirave materiale nga oligarkët-kriminelë dhe mujsharët e tyre dhe bërjen e gjeja shtetit përmes taksimit të shumicës, vjeljen e kontributeve profesionale të shumicës, uzurpimin e të gjitha pozitave dhe institucioneve, madje duke i shumëfishuar edhe pozitat e vendet e punës vetëm për një anëtar të oligarkisë kriminale, apo mujsharëve të tyre, ndërkohë që statistikat e papunësisë në dy vendet tona është më e larta në Evropë. Në anën tjetër, shoqëria shqiptare, e tromaksur shumë gjatë nën mentalitetin bizantino-otoman e më vonë atë komunist, deri më tani nuk ka mundur ta tejkalojë psikozën e të shtypurit, mentalitetin e robit. Prandaj, shoqëria shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, ashiqare ende nuk ka elan dhe forcë të organizimit për ndaljen dhe përmbysjen e sistemit oligarkik, ku sunduesit i përvetësojnë dhe i hanë të gjitha të mirat e vendit e shumica tjetër mbesin me gishta në gojë.

Faktet kokëforta historike na tregojnë se që nga ndërtimet e shteteve tona (Shqipërisë para më shumë se një shekulli dhe Kosovës para një dekade), kanë qenë faktorët dhe rrethanat e jashtme gjeopolitike ato që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimet e brendshme, aq sa roli i shoqërive shqiptare këndej e andej kufirit ka qenë shumë i vogël. Të kujtojmë vetëm kohën kur Serbia e zbatonte “Zgjidhjen Finale” me spastrimin etnik të Kosovës (1999), ndërkohë që u desh ndërhyrja e Perëndimit dhe e Amerikës përmes NATO-s për ta shpëtuar qenien biologjike, sociale dhe më vonë politike të shqiptarëve të Kosovës. Pa projektin amerikano-evropian për shpëtimin e Kosovës nga masakra serbe dhe për bërjen e shtetit, me fat do të konsideroheshin ata që do ta kishin shpëtuar kryet të degdisur nëpër botë, ndërkaq që të tjerët do t’i kishte përlarë holokausti. Madje Kosova, njëherë për njëherë, as nuk mund të paramendohet pa praninë ndërkombëtare të forcave të sigurisë dhe të institucioneve të tjera juridike dhe politike. Ky është realiteti të cilën e dinë edhe oligarkët-kriminelë. Duhet ta dimë dhe ta pranojmë se jemi shoqëri e vonuar në procese dhe se si shoqëri ende nuk kemi takat ta trembim macen prej përsheshi. Paramendoni kur një shoqëri nuk mund të çlirohet nga një grusht oligarkësh-kriminelë me mentalitet cubi e sharlatanë, që në konditat normale të një shoqërie me nocione të qarta juridike dhe demokratike, karriera e më të mirëve prej tyre do të ishte pozita e ndonjë mësuesi katundi, ndërkaq që shumica e të tjerëve do ta bënin jetën e zakonshëm të miletit.

Paramendojeni një Shqipëri të pavarur si shtet më shumë se një shekull, të cilën e sundojnë oligarkët-kriminelë nëpër shumicën e periudhave të saj të historisë shtetërore. Asnjëherë shoqëria shqiptare e Shqipërisë nuk ka mundur ta ndalë vetë të keqen, por kanë qenë rrethanat e jashtme përcaktuese të ndryshimeve eventuale. Në qoftë se oponentët e Ahmet Zogut e kanë quajtur “satrap” gjatë kohës së tij si mbret të Shqipërisë, rënien e tij e ka mundësuar pushtimi italian e askush tjetër. Në qoftë se shoqërinë shqiptare e kanë mbajtur të mbërthyer në varfëri, mjerim e terror gjatë epokës së komunizmit, prapë kanë qenë rrethanat e jashtme ato që e kanë cofur komunizmin dhe establishmentin komunist në Shqipëri. Komunizmi në Shqipëri u përmbys atëherë kur është përmbysur ideologjia komuniste në mbarë botën dhe kur komunizmi është kalbur vetvetiu. Ndërkaq tash, në epokën e integrimeve evropiane, prapë se prapë shoqëria shqiptare nuk ka elan dhe forcë të organizimit për t’i përmbysur oligarkët-sunduesit e vet, por shpresat janë të varura përsëri te faktorët e jashtëm. Në Shqipëri është dashur që për formatizimin demokratik të institucioneve dhe të shtetit shqiptar të ndërhyjë në formën e administratorit ndërkombëtar ambasadori i një vendi mik dhe të fuqishëm, hija e të cilit e mbanë gjallë nga ndikimet gllabëruese anti-Shqipëri. Prandaj Ambasadorin Lu shoqëria shqiptare (edhe këndej në Kosovë) e sheh si shpëtim për dekriminalizimin, jo vetëm të drejtësisë shqiptare, por edhe bërjes së Shqipërisë shtet funksional. Shoqëria shqiptare ende nuk ka takat t’i mund oligarkët-kriminelë të veshur me pushtet. Shoqëria shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri ende është nën psikozën bizantino-otomano-komuniste në raport me sunduesit.

Krejt njëjtë është momentumi i shoqërisë në Kosovë, që nuk ka takat për t’i mundur cubat. Prandaj, njëherë për njëherë, e vetmja shpresë është që ta kemi edhe ne një Ambasador Lu në Kosovë.



2 Comments

  1. ardian ty edhe mao ce dunin

    ardian ty edhe mao ce dunin me ta vu e stalinin  i thu i mir.i ke shit trut tek negjmija.

  2. O lapsi mos e degradoni fare

    O lapsi mos e degradoni fare faqen me shkrime te tilla debilesh.