• |
ide | kryesore

Profil/ Haki Çako, dritëhijet e një drejtuesi policie

I pakategorizuar
cako-tahiri1.jpg



Atë e shohim fare pak të flasë në publik. Thuasje asnjëherë të japë sqarime për çfarë ndodh me kriminalitetin, me drogën, me grabitjet spektakolare të miliona eurove, me atentatet mafioze, me korrupsionin. Gjithnjë larg përgjegjësive.

Para kamerave, shfaqet gati çdo herë pas shpinës së Ministrit të Brendshëm.  Saimir Tahiri ngjan se i është shndërruar në mburojë politike në momentet më të vështira të karrierës së tij në polici.

Por në të vërtetë, Haki Çako është polici në karrierë që po bën mburojën politike me qëndrimet e tij ndaj fenomentit të kanabisit, krimit, korrupsionit e pandëshkueshmërisë.

Haki Çako po e drejton Policinë e Shtetit prej afro 2 vjetësh, në një prej periudhave më të errëta të saj. Drejtues të lartë të policisë rezultojnë të lidhur me kultivuesit e trafikantët e drogës; kanabisi lulëzon në mbarë vendin dhe me tonelata po kapen në Itali e Greqi; vrasjet e bujshme mbeten pa autorë; paratë e bankave grabiten në mes të ditës dhe patrullat e policisë që janë fare pranë e nuk ndërhyjnë; korrupsioni mbetet galopant dhe thuajse asnjë zyrtar nuk është çuar para drejtësisë nga krimi ekonomik.

Kjo është pasqyra në të cilën e sheh veten sot Policia e Shtetit nën drejtimin e oficerit që e nisi karrierën në vitin 1988 dhe në 31 mars të vitit 2015 do të arrinte majën, duke zënë vendin e lënë bosh nga Artan Didi, pas përfshirjes së tij në skandalin e fshehjes së urdhër-arrestit belg për deputetin Mark Frroku.

Për herë të parë emri i Haki Çakos do të lakohej mediatikisht në operacionin e policisë në Lazarat, në vitin 2014, si drejtor i Policisë së Gjirokastrës.

Por prej “rënies” së Lazaratit, nën drejtimin e tij Policia e Shtetit ka dështuar në rang kombëtar në luftën kundër kanabisit.

Vetëm pas një viti në detyrë, në verën e vitit 2016, Shqipëria pa sipërfaqen më të madhe të mbjellë ndonjëherë me bimën narkotike.

Sot njihet ndërkombëtarisht si “kryeqyteti i kanabisit”.

Haki Çako nuk mbajti asnjëherë përgjegjësi se përse policia dështoi në parandalimin e kultivimit, përse nuk arrestoi asnjëherë trafikantët që futën me tonelata me farë kanabisi në Shqipëri, përse injoroi paralajmërimet e shërbimeve të inteligjencës se drejtues të policisë ishin të lidhur me narkotrafikun dhe po favorizonin mbjelljen e drogës, përse policia kap vetëm punëtorë të kanabisit dhe asnjëherë kokat e kultivimit dhe të trafikut.

Nëse mbi Saimir Tahirin bie pesha e përgjegjesisë politike, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përgjegjësi ligjore. Ministri i Brendshëm është akuzuar nga opozita për lidhje me grupet më të mëdha të trafikut të drogës, me kushërintë Habilaj, siç thotë ajo, që zotërojnë pjesën më të madhe të kanabisit në Vlorë apo me Emiljano Shullazin që drejton një prej grupeve më të rrezikshme kriminale në vend.

A mund të vepronte Çako kundër tyre në të tilla kushte? Rasti i Emiljano Shullazit provoi hapur se ai ishte në vështirësi. Hezitoi në arrestimin e tij edhe kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar urdhër – arrestin, hezitim që me gjasë vinte për shkak të dijenisë së lidhjes së Shullazit “me shefat e tij”, siç pretendon opozita.

Haki Çako zgjodhi të mos e rrezikojë karrigen edhe pse me koston e shndërrimit të tij në mburojë politike dhe pse me rrezikun e përgjegjësisë ligjore kur Saimir Tahiri të mos jetë më në pushtet.

Ai e ka bërë këtë zgjedhje edhe me emërimet në polici, ku postet janë ndarë politikisht mes PS e LSI, por janë ligjëruar me firmën e tij.

Ai është në dijeni se në polici janë rikthyer njerëz të përfolur si të lidhur me krimin dhe drogën që në kohën e qeverisë së Fatos Nanos. Por ka heshtur. U është bindur urdhërave të politikës, për të ruajtur postin.

Për këtë arsye drejtorët e policisë së Durrësit, Vlorës, Tiranës, Tepelenës, Gjirokastrës, Malësisë së Madhe, Krujës, Lezhës, Kurbinit Fierit, Beratit, Gjirokastrës, Dibrës, Elbasanit etj, vazhdojnë të jenë në detyrë, edhe pse plantacionet më të mëdha të drogës u zbuluan në këto zona në vitin 2016, edhe pse ata dështuan në parandalimin e kultivimit.

Opozita thotë se kultivimi është i organizuar nga qeveria Rama, e cila sipas saj merr gati në 30 % të fitimit, para këto që do t’i përdorë për të vjedhur zgjedhjet e qershorit.

Por sado që një “vendim” i tillë të jetë politik, përgjegjësia për humbjen e betejës me trafikantët i mbetet policisë.

Për herë të parë në Shqipëri droga nisi të transportohej me avionë dhe për herë të parë u ndërtuan edhe pista të improvizuara, si ajo e Ishmit.

Për herë të parë pas vendosjes së moratoriumit nga qeveria Berisha, skafet u rikthyen në det duke transportuar tonelata me drogë drejt Italisë e Greqisë. 8 ton drogë kaluan këtë javë në portin e Durrësit, me një maune.

Opozita hedh dyshime se trafiku, ashtu siç ndodhi me kultivimin, kryhet në bashkëpunim me drejtues të policisë. Asnjëri prej tyre nuk është lëvizur nga detyra. Haki Çako duket i pafuqishëm të vendosë për këto vartës, aq më tepër kur përflitet se disa prej tyre kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Saimir Tahiri, apo Edi Ramën e Ilir Metën. Disa të tjerë kanë bekimin e vetë atij.

Ai ka zgjedhur sërish të mbajë detyrën.

Ai bëri këtë zgjedhje edhe kur u përball me drejtësinë për aferën e përgjimeve me pajisjen e “IMSI Catcher”. Prokuroria e mori të pandehur dhe me kërkesë të saj gjykata e Tiranës vendosi pezullimin nga detyra. Dyshimet e prokurorisë shkonin deri tek Ministri i Brendshëm.

Ishte kjo ndoshta kjo arsyeja që Haki Çako u vendos të përdorej sërish si mburojë politike. Me justifikimin se po mbronte drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ministri i Brendshëm nisi furtunë të paprecedentë akuzash ndaj gjyqtarit që dha vendimin për pezullimin nga detyra. Policia nisi edhe një hetim kryesisht për pasurinë e tij.

Në të vërtetë, duke e orientuar të gjithë debatin ndaj Haki Çakos, ministri po ai ngarkonte atij të gjithë përgjegjësinë për IMSI Catcher. Ai po e mbronte publikisht që Haki Çako të mos e dëmtonte ligjërisht duke treguar se kush e dha udhërin për futjen e paligjshme të pajisjes me të cilën dyshohet se janë përgjuar krerët e disa institucioneve kushtetuese, presidenti, kryeprokurori, gjyqtarë, diplomatë, gazetarë e biznesmenë. A mundej ai ta kishte marrë këtë vendim vetë, pa e vënë në dijeni Ministrin e Brendshëm? Për llogari të kujt do t’i kishte lejuar ai këto përgjime të mundshme?

Haki Çako u bë kështu mburoja reale e Ministrit të Brendshëm. Ai zgjodhi sërish të mbajë postin për të mbrojtur ata që urdhëruan përgjimet, ndoshta pa e menduar gjatë se sa shumë e ka rënduar pozicionin e tij.

Disa ditë më parë presidenti i Republikës, Bujar Nishani, lëshoi alarmin për farën e kanabisit që po futet sërish në vend. Narkotrafikantët po bëhen gati ta hedhin atë anembanë Shqipërisë si në 2016 -ën.

Dhe siç duken të gjitha gjasat, policia do të duhet të përballet me fenomenin me të njëjtët drejtues, pikërisht me ata që dështuan në këtë betejë dhe e kthyen të gjithë Shqipërinë në hambarin e drogës së Europës, pikërisht me të njëtin drejtues, që për të mbajtur një karrige, po shkatërron një polici. /Lapsi.al