• |
ide | kryesore

Kush po e kërcënon lagunën e Karavastasë?

Arkiva, Blog
Laguna_Top-view-701x364.jpg



Nga Artan Rama/Në të dalë të dimrit, në një prej ditëve të fundit të shkurtit, përgjatë vijës së Plazhit të Divjakës, diku në ranishte, shquhej në largësi një njollë e zezë. Skena i ngjante një zbrazëtie pa fund dhe njolla nuk ishte tjetër veçse një grup i vogël njerëzish që kishin mbërritur nga Tirana qysh herët në mëngjes.

Ndonëse jo turistë, vizitorët ishin sidoqoftë të pazakontë. Mes tyre ndodhej një ministër i Republikës, Zonja Milva Ikonomi, një deputet, Zoti Erjon Braçe, disa zyrtarë të lartë ministrish dhe tre inxhinjerë të kompanisë MABETEX, themeluesi i së cilës konsiderohet si shqiptari më i pasur i botës, Behgjet Pacolli.

Kur vëren dylbitë dhe hartat që inxhinjerët mbajnë në duar, vëzhguesi i paanë e i painformuar e ka të pamundur të shpjegojë se çfarë po ndodh në këtë humbëtirë. Ndoshta kureshtja mund të ketë prekur dhe një pjesë të vizitorëve, por megjithatë ky hamendësim nuk vlen aspak për të tre përfaqësuesit e MABETEX. Kjo, sepse ata dinë gjithçka.

Tre vjet më parë, kur qeveria e re shqiptare sapo kishte siguruar një mandat 4-vjeçar, Behgjet Pacolli nuk vonoi të prezantonte projektin e tij: ndërtimin e një resorti turistik elitar në Parkun Kombëtar të Divjakës. Por Parku është një prej zonave më të mbrojtura të vendit, një stacion ndërkombëtar për shpendët migratorë, vendi ku rritet i vetmi pyll magjepsës halor mesdhetar në vendin tonë, me pishë të butë e të egër dhe në zemër të tij ndodhet e famshmja, Laguna e Karavastasë, ku mbi një ujezë të vogël ka ngritur folenë një tjetër mrekulli: Pelikani kaçurrel.

Pikërisht në këtë përrallë, në parajsën që strehon përqëndrimin më të madh të shpendëve, ku 89 lloje gjallesash rrezikojnë të humbasin përgjithmonë, qeveria po mendon të ndërtojë një resort me përmasa të jashtëzakonshme. Ndaj dhe për këtë arsye, në këtë mëngjes me erë të ftohtë, njerëzit e qeverisë kanë mbërritur në Lagunë.

Pak ditë më pas, në Tiranë, ambientalistë, biologë dhe shkencëtarë i dorëzuan ministrit të Mjedisit, Zotit Lefter Koka një letër. Dymbëdhjetë organizata dhe grupe ekspertësh kishin arritur në një përfundim: resorti prek territorin dhe vlerat e Parkut. Ai bie ndesh me ligjet dhe me planet e menaxhimit të hartuar në përputhje me kriteret e një zone kaq të mbrojtur.

“Nëse do të miratohet, e tërë përpjekja e deritanishme për mbrojtjen e Parkut do të shumëzohet me zero,” thotë Sajmir Hoxha, specialist i natyrës dhe i biodiversitetit.

“Zbatimi i këtij projekti e shndërron peizazhin natyror në një mjedis urban,” thotë Taulant Bino, ekologjist dhe pedagog në Universitetin POLIS.

Reagimi ishte i pritshëm dhe ndoshta, qëllimisht, u shkelën procedurat e transparencës. Në takimin e parë publik të 17 marsit, ku u diskutua mbi startegjinë mjedisore, një pjesë e grupeve të interesit nuk u lajmëruan në kohë. Të tjerë nuk u njoftuan. Tani, nën presion, Ministria e Mjedisit ka njoftuar një datë të dytë: 6 prill 2017, ora 12:00.

Ambientalistët po presim detajet teknike të projektit. Në faqen e ministrisë nuk ka asgjë konkrete, përveç fotografive të Ministrit Koka dhe të kabinetit të tij. Takimet bilaterale dhe propaganda mjedisore, që nuk i hyjnë më punë askujt, nuk mungon.

Duhet të jesh një kërkues i stërvitur faqesh në rrjet për të shtrydhur sidoqoftë pak informacion në lidhje më Resort Divjaka Albania.

Publiku duhet të dijë se në Parkun Kombëtar të Divjakës do të ndërtohet një resort turistik me sipërfaqe rreth 1170 ha dhe me kapacitet prej 18,280 turistësh. Plazhi, pylli i pishave, toka bujqësore dhe lagunat të cilat mbulojnë rreth 2/3 e kësaj sipërfaqe do të jenë në fokus të një investimi me vlerë 1,5 miliardë euro prej kompanive të huaja, me përmasa ndërkombëtare.

Por pjesa qëndrore e Parkut është shpallur zonë Ramstar. Ndërsa territori në tërësi, është vlerësuar si pjesë e rrjetit Emerald. Për më tepër, Ligji Për Zonat e Mbrojturanuk e lejon ndërhyrjen dhe shfrytëzimin e tokës me intesitetin që parashikohet prej zbatimit të këtij projekti.

Megjithatë joshja prej një propozimi të tillë nuk po refuzohet prej qeverisë. Por projekti ka dhe mbrojtësit e tij mjedisorë, të cilët, të kontraktuar prej MABETEX, shprehen në favor të tij.

Prof. Dr. Sulejman Sulçe, një specialist nga Universiteti Bujqësor, i kontraktuar nga Kompania MABETEX, shprehet se “në analizë të fundit, duke i konsideruar të gjithë elementët e përfitimeve sociale dhe ekonomike në raport me interesat mjedisore, rezulton se projekti është i bëshëm dhe i pranueshëm”.

Më tej specialisti përmend disa kushte apo kufizime të nevojshme kundrejt projektuesve, si lartësia, distancat dhe intesiteti i ndërtimeve.

Por Sajmir Hoxha, një prej ekspertëve i cili ka kontribuar në hartimin e legjislacionit të zonave të mbrojtura, bashkëhartues i disa prej planeve të menaxhimit të Parkut është i drejtëpërdrejtë e i prerë: “Ndërtimet masive kanë ndikim. Rruga që do të ndërtohet për të çuar njerëzit deri atje e dëmton totalisht Parkun. Shtrirja e rrjetit të energjisë elektrike e shkatërron zonën. Ndërtimi i një porti skafesh që do të ndërtohet aty, gjithashtu e shkatërron Parkun Kombëtar”.

Jamarbër Malltezi, një kundërshtar i politikave mjedisore qeveritare, ishte prej të parëve ambientalistë që e kundërshtuan projektin. Por më pas ai ndryshoi mendim.

“Sepse plani fillestar u ndryshua totalisht duke respektuar zonimin funksional”, shprehet ai,

Pjesë e një ekipi ekspertësh, Zoti Malltezi u kontraktua nga MABETEX për të vlerësuar përputhshmërinë e Master Planit me kufizimet mjedisore.

Dhe kritikat e tij për një “projekt të fshehtë” u zëvendësuan me një zhvillim të projektit me kushte: “Nëse do evoluojë, ky projekt i madh do ketë nevojë për studime të hollësishme e të thelluara dhe do duhen angazhuar edhe studio ndërkombëtare për të kryer të paktën disa prej studimeve të detajuara që nuk realizohen në Shqipëri”.

Behgjet Pacolli është ndër të paktët kosovarë që përfitoi prej shpërbërjes së Jugosllavisë. Por më shumë, ishte rënia dhe hapja e Bashkimit Sovjetik ndaj ekonomisë së tregut që shenjoi suksesin financiar të MABETEX, kompanisë që ai themeloi në Zvicër në vitin 1990.

Me Kremlinin e ri, MABETEX nënshkroi kontrata disa milionëshe për restaurimin e ish pallatit të Carëve. Kompania mori përsipër edhe Zyrën e Presidentit Jelcin, me një vlerë kontrate 350 milionë dollarëshe. Por bashkë me milionat mbërritën edhe skandalet.

Në vitin 1999, Prokuroria e Zvicrës, bastisi zyrat e MABETEX dhe sekuestroi një kartë krediti, në llogarinë e të cilës rezultuan 11 milionë dollarë. Karta i përkiste vajzës së Presidentit rus, Boris Jelcin.

Në Rusi shpërtheu skandali, por familja presidenciale u mor në mbrojtje nga një oficer i shërbimeve sekrete. Hetimet dështuan dhe spiuni i FSB-së mori vlerësimet personale prej Presidentit. Por ky ishte vetëm fillimi. Një vit më vonë, në 7 maj, ish oficeri i Shërbimit Sekret, Vladimir Putin, u betua si President i ri i Rusisë, në të njëjtën zyrë të rikonstruktuar nga MABETEX, hetimet ndaj së cilës i kishte mbyllur ai vetë. Rrethi i shpërblimeve ishte plotësuar.

 

Kur për herë të parë, tetorin e shkuar, në emisionin Opinion, Behgjet Pacolli foli publikisht për Resort Divjaka Albania, ai pohoi se biznesmenë rusë do të ishin investitorë të mundshëm të këtij projekti.

Ky shkëmbim interesash mund t’i rifreskojë marrëdhëniet me ish oficerin e Shërbimit Sekret që prej afro dy dekadash drejton Rusinë dhe mund të shërbejë vërtet si një marrëdhënie e vlefshme pikërisht tani që Rusia vuan sanksione të imponuara prej amerikanëve.

Por Pacolli nuk është i vetmi. Nëse i hidhni një sy faqes online të Ambasadës Ruse në Tiranë, kontaktet e biznesmenëve shqiptarë me administratën ruse janë shtuar. Njëri prej tyre, i famshmi, Samir Mane, Presidenti dhe themeluesi i Balfin Group, një kompani private me një xhiro vjetore mbi 500 milionë euro (sipas faqes së saj në rrjet), zotërues i disa prej koncesioneve strategjike në vend, u takua pak ditë më parë me ambasadorin rus. Por takime të ngjashme janë shtuar javët e fundit. Sipas deklaratave të publikuara, fusha e preferuar e bashkëpunimit mbetet investimi në turizëm.

Një javë më parë, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke iu kundërvënë paranojës perëndimore se Rusia po futet tani në Ballkan, konfirmoi se “shohim një përputhje interesash me vendet e rajonit”.

Por investimet ruse në Ballkan nuk përputhen me interesat në Departamentin e Shtetit. Dhe në një vend të NATO-s, thellësisht proamerikan, ky trend është një ndërmarrje më të vërtetë e guximshme.

Sidoqoftë përtej barrierave të ngritura dhe sanksioneve, një tjetër shqetësim mbetet: çfarë paraje po investohet?

Nëse shfletoni vendimet e muajve të fundit të qeverisë do të zbuloni një situatë shpërthyese. Përmes termave “heqje nga fondi pyjor dhe kullosor” apo “pakësim volumi” autortitetet po çregjistrojnë me mijëra hektarë pyje, duke lëshuar me dhjetëra licenca të reja për shfrytëzim minieralesh. Falë kësaj “bamirësie”, inisiativa private po rezulton një batërdi mjedisore, në kurriz të shtretërve të lumenjve, vijave bregdetare dhe pyjeve.

Vetëm njëzet kilometra mbi kufirin verior të Lagunës, qeveria ka lejuar krijimin e një zone të lirë ekonomike e cila përfshin ndërtimin e një porti gjigant për hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, një terminal të rigazifikimit natyror, si dhe ngritjen e një centrali për prodhimin e energjisë. Marrëveshja u aprovua në Kuvend me një ligj të veçantë.

Brenda 2020, vetëm pesëmbëdhjetë kilomentra nën kufirin jugor të Lagunës, tubat e Gazsjellësit TAP, përmes Adriatikut do të furnizojnë Evropën. Diku në afërsi do të ndërtohet edhe një stacion për kompresimin e gazit.

Kështu, në emër të zhvillimit, natyra ka dalë në ankand.

“Zonat e mbrojtura janë nën presion”, thotë specialisti mjedisor Sajmir Hoxha. “Nuk po kërkojmë të mbrojmë tërë Shqipërinë, natyrisht, por në Divjakë, le t’u japim banorëve atë ekonomi që duan; ata duan turizmin ditor, restorantet e vogla, peshkimin me varka me lopata, pra gjithçka që shkon në harmoni me Parkun”.

Po tani në Kopështin e Edenit, në Lagunë, kanë mbërritur vizitorë të paftuar. Inxhinierët e MABETEX, me harta e dylbi në duar, kanë një tjetër perspektivë. Pas tyre fshihen buldozierët, teknologjia, zhvillimi… Qetësia e banorëve vendas, që prej shekujsh kanë jetuar në harmoni me natyrën, rrezikon të prishet papritur.

Dhe ndoshta, si në të famshmin Avatar të Cameron-it, këtij “zhvillimi” të imponuar ata mund t’i përgjigjen me zemërim. Me të vetmin ndryshim: armiku nuk vjen nga jashtë. Armiku jemi ne!