• |
ide | kryesore

DOKUMENTI/ Paratë për Velierën direkt në xhepat e Vangjush Dakos

I pakategorizuar
10629311-10152927673831523-7340411090778229949-o.jpg



Kur mbron Velierën, Vangjush Dako mbron biznesin e tij, mbron paratë e veta. Jo më kot, kur flet për projektin, kryebashkiaku i ngjan tregtarit, të kapur nga ethet e shitjes së mallit, reklamimit, nxitimit për ta shitur dhe për të marrë paratë, sa më parë.

Nuk janë pak para. Vlera e projektit kap 6 milion euro dhe pjesa më e madhe shkon për beton. Sepse Veliera është një punë betoni.

Është afërmendsh se nëse kryebashkiaku do të kishte pasur dikur një kompani xhami, projekti do të ishte me xham, nëse do të kishte pasur një kompani mermeri, në qendër të Durrësit do të kishim plot punë me mermer e kështu me radhë. Por qëlloi që Vangjush Dako të kishte pasur një kompani betoni dhe Veliera është një punë betoni.

Kompania e betonit që furnizon sot punimet e projektit është administruar deri në vitin 2003 nga Vangjush Dako. Pas përfshirjes në politikë, kompaninë e kaloi në emër të të vëllait, Edmond Dako. Vangjushi u bë politikan po dashuria për betonin mbeti.

Targat e betoniereve që furnizojnë kompaninë e ndërtimit në zonën arkeologjike, në Durrës, janë fiksuar në këto fotografi.

Me një hulumtim të thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, bie në sy se në listën e pronave që ka kompania e betonit me administrator vëllain e Vangjush Dakos, mjetet e tonazhit të rëndë janë të Dakove.

Shumëkush që ka pasur kuriozitetin ta dëgjojë kryetarin e Bashkisë së Durrësit si e mbron projektin e Velierës në Durrës, paçka se ndërtimi ngrihet përmbi rrënojat arkeologjike, e ka menduar një injorant ose një burokrat të verbër, i gatshëm t’i bindet edhe dëshirave më absurde të shefit të tij. Por Vangjush Dako i ka bërë të gjithë për budallenj.

Gjithçka qenka një biznes i pastër. Kryetari i Bashkisë së Durrësit është vënë në lëvizje nga parime të tjera, të njëjtat parime që vënë në lëvizje sipërmarrjet e lira në të gjithë botën, dëshira për fitim.

Vetëm se në këtë rast paratë e fituara vijnë direkt nga buxheti i Bashkisë së Durrësit, nga taksat që paguajnë durrsakët dhe që kalojnë direkt në xhepat e Kryetarit të tyre të Bashkisë.

Jo më kot, ky fliste për projektin sikur të ishte një punë gjeniale, që do të sillte turistë në Durrës jo sot, por pas 2 mijë vjetësh, njësoj si rrënojat antike.

Jo më kot, Dako mbronte me zjarr Velierën dhe pranoi që të ndërtohej edhe mbi zonën e mbrojtur A të sitit arkeologjik.

Për punimet mbi zonën arkeologjike në Durrës, kanë nisur hetimet nga prokuroria. Me përfshirjen e kompanisë së familjes Dako, konflikti i interesit është i pastër dhe sfidues, jo vetëm për autoritetet, por për të gjithë qytetarët e Durrësit/ Lapsi.al