• |
ide | kryesore

Rama kryeministër apo administrator Facebooku?

Arkiva, Blog
DALINA_400x400.jpg



Nga Dalina Buzi/Reagimet e tij të fundit në Facebook, krijojnë përshtypjen se Rama nuk mban dot presion.

Nuk është hera e parë që kryeministri Rama (të paktën besojmë se është ai, ose duhet të pushojë kabinetin nga puna) futet në diskutime me komentuesit në faqen e tij. Kohët e fundit, sidomos që pas zgjedhjes së Metës president, biseda e nisur për të qenë qytetare dhe demokratike dhe një bashkëbisedim me popullin, në epokën hi-tech-ut, ka degjeneruar në një hedhje-pritje mes sharjesh e batutash.

Unë e kuptoj qëllimin e kryeministrit për të qënë më afër shqiptarëve, duke përdorur rrjetin social ku praktikisht jeton treçereku i popullsisë, por nuk arrij të shpjegoj dëshirën e liderit tonë për t’ju përgjigjur e për t’i bërë moral edhe disa komentuesve noname, gjuha e të cilëve, do të bënte me turp edhe Ujkun e Cërrikut.

Nuk e di kush i sugjeron kryeministrit të sillet si administrator faqeje, sepse kjo teknikë është krejtësisht e gabuar, për më tepër që tani, në një pikë vlimi të politikës shqiptare, ku kryeministri dhe kryetari i opozitës, Basha, ende nuk po bien dakord për zhvillimin e zgjedhjeve, ai nuk mund të shfryjë gjithë mbingarkesën e trurit tek anonimët, por duhet të dëshmojë lidership në zgjidhjen e situatës.

Nuk ka rëndësi nëse Rama komenton në makinë, duke u ngjitur në një skenë mitingu, duke hyrë në zyrë, në banjo, duke ngrënë apo përpara gjumit. Unë kam aq eksperiencë në administrimin e faqes “Revista Anabel” në Facebook, sa të garantoj që leximi i të gjithë komenteve në një faqe me dendësi replikash, klasifikimi i tyre, përgatitja e një përgjigjeje dhe kontrolli i herëpashershëm për reagime ndaj përgjigjes, të kërkon shumë kohë. Ndaj ‘admin-ët” e faqeve të mëdha, nuk e shohin më si hobi, por si punë me kohë të plotë menaxhimin e faqeve. Është e çuditshme të shohësh kryeministrin e vendit që të harxhojë kohën e tij për t’i thënë një anonimi me emrin e një producenti hip-hopi amerikan se “po përpiqet të trashë zërin” dhe një anonimeje të quajtur “Grejsi” se “po shan si një pijanec i dehur.”

Këtu nuk ka asnjë bisedë konstruktive, asnjë sqarim për probleme të caktuara që shqetësojnë qytetarët, asnjë këshillim. Kjo që po bën kryeministri është thjesht një format i zakonshëm prej administratori të llojit “Ma ndjen dhe s’ma ndjen që më shan.” Madje, këto lloj përgjigjesh të frikësojnë se mos ndoshta kryeministri ka humbur durimin dhe vetëpërmbajtjen, aq sa të harrojë që në fund të fundit, është një Burrë Shteti dhe s’ka përse t’u japë llogari si qytetarëve, ashtu edhe palaçove që pjell liria e tepërt e Facebook-ut.

Vetëm në rast se Rama e trajton në mënyrë krejt sportive faqen e tij, pra kap një koment çfarëdo, i kthen një batutë dhe nuk e kontrollon më Facebook-un, do të mund të qetësoheshim për kohën e humbur të njeriut që ne kemi votuar të drejtojë vendin. Por nëse ndodh kështu, atëherë automatikisht bie poshtë pretendimi i tij fillestar se ai është kryeministër i qytetarëve dhe rrjetin social do ta përdorë për të dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur ankesave të tyre.

Z.Rama mund të ketë ADHD (Attention Deficit Hyperactivity Disorder) më të admirueshëm në univers, por sërish, ky lloj mikromenaxhimi i një hapësire që shpesh nxit diskutime boshe dhe aspak frytdhënëse për zhvillim, i shfaqur kaq publikisht, është shumë i panevojshëm dhe hera-herës të krijon një lloj pasigurie.

Nëse një sardele “injorante” në Facebook të nxit të reagosh, çfarë mund të themi për të gjithë ata peshkaqenë në detin e politikës? E mban dot presionin vallë? /Anabel.al/



1 Comment

  1. kryeqytetas

    Znj. Buzi! Fuksioni i kryeministrit dhe qytetari Rama jane goxha larg nga njeri tjetri! Ramen analizoheni si Rame e jo si kryeminister!