• |
ide | kryesore

Zbulohet letra që Ngjela i dërgonte nga burgu Ramiz Alisë në mars ‘86

Arkiva, Dossier
ngjela.jpg



Jo rastësisht një letër nga burgu e Spartak Ngjelës në mars të vitit ’86 për kreun e partisë Ramiz Alia dhe Foto Çamin, asokohe sekretar i Komitetit Qendror për ideologjinë dhe propagandën, ka vënë në lëvizje strukturat më të rëndësishme të regjimit.

Më shumë se emri i të dënuarit, i njohur për frymën rebeluese dhe qëndrimin antikomunist në burg, lidershipin politik e trondiste përmbajtja e çështjes që transmetonte korrespodenca në fjalë. Këtë herë i dënuari i Burrelit rezervonte të papritura befasuese për një ngjarje delikate të shumëpërfolur prej vitesh nën zë për jetën e Partisë Komuniste. Që në krye të letrës i burgosuri VIP shpërfaq mesazhin therës: Ju njoftoj se procesverbali i mbledhjes së themelimit të partisë, i konsideruar i humbur, ekziston!

I futur si papritur në debatin e kahershëm për dokumentet misterioze për krijimin e partisë, Ngjela vë në vë- mendjen e “baballarëve” të saj se jo vetëm ka dijeni për vendndodhjen e tij materiali, por di sakaq se bashkë me të ndodhet edhe një dokument prej disa qindra faqesh që ka të bëjë me veprimtarinë e grupeve komuniste para themelimit të Partisë. “Nëse ju nevojitet kjo dosje që flet për faktogjenezën e partisë suaj,- e mbyll letrën Ngjela jo pa ironi,- jam i predispozuar të bisedoj. Pra, vetëm të bisedoj(!), jo t’ju përgjigjem në mirëbesim”!

Ajo çfarë ka ndodhur pas kësaj në kreun e udhëheqjes politike të regjimit ka mbetur e koleksionuar në një praktikë zyrtare me siglën “top sekret”. Në të bie në sy angazhimi i drejtpërdrejtë i Ramiz Alisë, i cili pasi vë në dijeni anëtarët e Byrosë Politike me përmbajtjen e letrës autorizon Hekuran Isain, në atë kohë ministër i Brendshëm të vërë në lëvizje Sigurimin e Shtetit për të mësuar diçka më shumë mbi korrespodencën në fjalë. Ky i fundit i përgjigjet flakë për flakë dhe po atë ditë nis në drejtim të Burgut të Burreli të besuarit e tij të shërbimit të fshehtë, të cilët pas takimit me autorin e letrës kthejnë një përgjigje që as e ngroh dhe as e ftoh Isain.

Në shpjegimet që ministri i Brendshëm i adreson për çështjen shefit të tij bie në sy mënyra si është tallur me misionarët e Isait i burgosuri i Burrelit. “I dënuari u takua me zyrtarët tanë,- i raporton Alisë kreu i Sigurimit,- dhe pretendon se dokumentet që bëjnë fjalë për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare nuk dëshiron t’ia japë cilido punonjës të organeve tona, por vetëm një të dërguari, që të jetë anëtar i PPSH që nga themelimi dhe të ketë një funksion shtetëror ose Partie”.

I njohur rishtas me raportin e Isait, kreu i parisë mjaftohet me një fjali që e ka shkruar me dorën e vet në krye të dokumentin: “Mos u merrni me këtë armik, sigurisht bllofon!”. Ky shënim i Ramiz Alisë përmbyll kështu praktikën e çelur rishtas për letrën tronditëse që Spartak Ngjela i shkruante nga Burgu i Burrelit Ramiz Alisë dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt/ Afrim Imaj