• |
ide | kryesore

KQZ padit penalisht 70 numërues, Zguri: Përgjegjëse për këtë janë partitë politike

I pakategorizuar
Klement-Zguri-ABC.jpg



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të kallëzojë penalisht 70 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit në Tiranë dhe Berat për manipulim të zgjedhjeve të 25 qershorit. Sipas KQZ, numëruesit kanë konsumuar elemente të veprës penale të falsifikimit të materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve, pavarësisht se votat në fjalë nuk ndryshuan mandate në tabelën përfundimtare. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, fajësoi partitë politike si përgjegjëse për nxitjen e numëruesve për tjetërsimin e votave.

Këta nuk do të ishin në një pozitë të tillë, nëse nuk do të inkurajoheshin nga subjektet zgjedhore. Kjo është një bindje e imja, por i ngelet Prokurorisë për të vlerësuar. Numëruesit dhe komisionerët duhet të kuptojnë më në fund se vjen një moment që do të përballesh vetë personalisht me ligjin, edhe pse intimidohesh dhe tërhiqesh nga të tjerë faktorë”, – deklaroi Zguri.

Kallëzimin penal për 70 numëruesit KQZ e bëri pasi shqyrtoi dy ankimimet e paraqitura nga partitë politike, PDIU dhe PS, të cilat kundërshtuan rezultatin në disa zona zgjedhore në qarkun e Tiranës, duke kërkuar rinumërimin e rivlerësimin e votave me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit.

Nënkryetari i KQZ, Denar Biba, theksoi se duhet të merret Prokuroria me çështjen e numëruesve dhe kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen të shkojë drejt zhdukjes. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën shumë mirë që e ndërmerr këtë hap. Shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme fenomeni të jetë sa më minimal dhe ndoshta të shkohet drejt zhdukjes”, deklaroi Biba.