• |
ide | kryesore

Rudi Vata: De Biasin e tradhëtuan. Panucci vështirë ta arrijë

Arkiva, Sport
Rudi-vata-470x291.jpg



Ish –kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Rudi Vata, thotë se ajo çfarë i ndodhi Gianni De Biasi-t me largimin nga kombëtarja ishte një tradhëti.

Unë mendoja se De Biazi do të largohej mbas Kampionatit Europian. Atij i ndodhi pak a shumë ajo që unë e mendoja. Diku me tradhti dhe diku nuk u vlerësua, kjo ishte pak a shumë ajo që i ndodhi atij me Shqipërinë.

U tradhtua nga njerëz të ndryshëm. Bëri maksimumin me Kombëtaren, por më la shije të keqe largimi i tij. Nuk ishte mënyra e duhur për të ikur. Provoi edhe ngjitjen, edhe zbritjen në vendin tonë. Por, të paktën iku duke bërë diçka që nuk e realizoi askush tjetër. Megjithatë, nuk iku si kampion dhe i lumtur, por në një mënyrë që nuk la fare shije të mire”, shprehet Vata për Panorama, në një intervistë ku hedh të tjera dyshime mbi largimin e teknikut italian që bëri historinë me Shqipërinë.

“Ai besoi më tepër se duhej. Dikush i ka bërë premtime që nuk kanë qenë të vërteta. Kur një trajner mbërrin kulmin me një vend të vogël dhe një skuadër si Shqipëria, mendoj se bëri zgjedhjen e gabuar që vazhdoi. Por, tashmë edhe është harruar. Këtë të mirë kemi ne shqiptarët, të ngremë shpejt në qiell, pastaj të harrojmë po kaq shpejt. De Biazi është një histori e kaluar. Tani të shohim se çfarë do të bëjë Panuçi.”

Përsa i përket Panucci-t, Vata thotë se e ka të pamundur të bëjë atë që bëri De Biasi.

“Në aspektin e emrit që ka si lojtar, të gjithë e dinë se kush është dhe nuk ka nevojë për koment.…Për mendimin tim, është thuajse e pamundur që të arrijë atë që bëri De Biazi duke e çuar Shqipërinë në Europian. Ka përvojën si lojtar, por edhe si trajner ka mësuar nga Kapelo. Ka punuar me lojtarë të niveleve të mëdha, ndërsa futbollistët e Kombëtares janë disi më poshtë. Mbetet për t’u parë se si do të adaptohet. Si lojtar ka arritur majat duke provuar profesionalisht nivele shumë të larta.

Të shohim se si do të gatuhet me “gjellën shqiptare” dhe a do të jetë i kënaqur me mënyrën si do pritet dhe do komunikohet me të. Shpresoj që të bëjë mirë pasi do ishte investim i shkuar dëm. De Biazi e kuptoi që mentaliteti ynë ishte i gabuar dhe punoi dy vite për ta ndryshuar atë. Ai eliminoi shumë lojtarë që konsideroheshin të mëdhenj dhe krijoi grupin. Të shpresojmë që edhe Panuçi do të bëjë mire.”