• |
ide | kryesore

Zyrtari i lartë amerikan Yee: SHBA angazhim për të forcuar Ballkanin, kujdes nga Rusia

I pakategorizuar
Hoyt-Yee-933x445.jpg



Ndërsa nënpresidenti amerikan Mike Pence është në prag të vizitës në Mal të Zi ku do të mbajë bisedime me udhëheqësit e Ballkanit, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan vazhdon të jetë i fortë. Ky mesazh është lajm i mirë për udhëheqësit e vendeve të rajonit, mes shqetësimeve se shkurtimet e thella të parashikuara në projekt-buxhetin e Departamentit të Shtetit mund të dobësojnë rolin e Uashingtonit në këto demokraci të brishta të ekspozuara ndaj ndërhyrjes ruse. Zoti Yee thotë se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë në fushat me interes të ndërsjellë si anti-terrorizmi, por kur kanë pikëpamje të kundërta.

Përsa i takon Ballkanit Perëndimor, zoti Yee thotë se Uashingtoni nuk do që ta ekzagjerojë seriozitetin e ndërhyrjes së Rusisë, por mendon se është e rëndësishme të ruhet vigjilenca.

Po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo, burime, vende dhe faktorë të tjerë”, – thotë zoti Yee.

Zyrtari i lartë veçon rastin e Malit të Zi, ku ai thotë se siç tregojnë të gjitha të dhënat, Rusia ndërhyri për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia, dhe se edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë“, – thotë ai.

Moska është përpjekur të frenojë afrimin e vendeve të Ballkanit me institucionet Euro-Atlantike, përfshirë ndërhyrje në politikën e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e ngushta me aleatin tradicional, Serbinë që po kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian. Zoti Yee thotë se takimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me nënpresidentin Mike Pence në Uashington dhe vizita e zotit Pence në Mal të Zi, rikonfimojnë angazhimin e administratës së re në Ballkan. Ai thotë se integrimi i rajonit në BE dhe NATO, është pa dyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara.