• |
ide | kryesore

Hipokrizia me fitoren e Skënderbeut

Arkiva, Blog
Gezim-Sinemati.jpg



Nga Gëzim Sinemati/ Ato ditë që Skënderbeu mori dënimin, të diktuar më shumë nga zemërimi i UEFA-s sesa nga shpirti zyrtar, i bënim qejfin botës, duke thirrur në kor: “Bëjini shembull! Mos i hiqni vetëm pikët dhe trofeun e kampionatit, por edhe lëkurën”. Nuk e dinim, dhe nga ta dinim, se i dënuari me emrin e vjedhur nga historia, Skënderbe, shumë shpejt do të na dënonte të gjithëve.

Një dënim tjetër nga ato që s’jemi mësuar t’i vuajmë zakonisht. Pale kur mendon se UEFA dhe “spiunia” e saj, Sport-Radari, na kishin “premtuar” se Europa, pak nga pak, do t’i ngjasonte ferrit për ekipin e përkëdhelur plot me vese. Ato që ndodhën pas tri tureve s’kishte burrë që t’i parashikonte, i huaj apo shqiptar.

Si për dreq, këtë herë, edhe vetë shefi i madh, zoti Duka, nuk ishte ulur në tribunë, te vendi i tij i origjinës, por ishte zhytur në një kabinë pa ndriçim, si për të na kujtuar tradhtinë e spikatur që i kurdisi Skënderbeut në fundin e kampionatit. Dhe kë të besosh tani, ca thonë se kishte frikë nga zemërimi i tifozëve, ca të tjerë thonë se e kishte dënuar veten në kabinë, ngaqë ishte veshur me një uniformë vija-vija dhe jo me kostumin zyrtar, i cili dyfishon peshën në stadium.

Cili e pësoi tjetër? Skënderbeut iu deshën 120 minuta për të mundur Mladën e fortë, që për fatin tonë ishte aq e pafat, ndërsa disave iu desh më pak kohë për të flakur parullën “Poshtë Skënderbeu” dhe për të ngritur tjetrën, atë që na shkon sipas modës: “Rroftë Skënderbeu”.

Ku s’të shkon mendja tani, kur mendon se Europa po na përgjon, gjoja sikur jemi të aftë vetëm për lojë me hile dhe me prapaskenë pazaresh. Po sikur Skënderbeu të kalojë edhe turin tjetër? Kjo nuk është një pyetje e ndaluar, aq më shumë kur ne nuk e prisnim, madje, një pjesë as nuk e dëshironin, vazhdimin kaq larg në aventurën në Europë.

Dhe kur? Pikërisht në një sezon me dënime, për të cilat thuhet se nuk paskan mbaruar akoma. Dhe më e bukura, këtë herë s’kemi pikën e dyshimit nga virgjëria e lojës, ngaqë ajo ishte e garantuar, me hir dhe me pahir, veç nga diçka tjetër nxitet frika jonë.

A do të pranojnë korçarët ta ndajnë tortën e triumfit me gjithë shqiptarët e futbollit? Kur në ditën e zezë të dënimit, ndëshkimi për korçarët na dukej më shumë si një lugë mjaltë, sesa një grusht i fortë, në mendjen tonë, na pëlqente t’i mbyllnim në qeli. Dhe s’kishte shans të dëgjoje frazën pretenduese se “dënimi i Skënderbeut, ishte dënim edhe për gjithë Shqipërinë”. Në raste triumfi, kur edhe hipokrizia shfaqet me hipotekë, siç ndodhi, shpërthen ekrani se fitorja e Skënderbeut është fitore e gjithë Shqipërisë…

 “Panorama Sport”