• |
ide | kryesore

Një raport që fsheh vjedhjen e madhe

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET_35.jpg



Raporti i ministrave të dorëhequr të opozitës po tenton të krijojë një zhurmë të kotë rreth vjedhjes së zgjedhjeve, për të justifikuar në një farë mënyre humbjen katastrofike të PD-së. Edhe sikur të gjitha sa thuhen në faqet e tij të merren të mirqëna, edhe sikur punësimet në shtet, lëvizjet në administratë, pasiviteti i policisë ndaj banditëve, tenderat fiktivë, harxhimet për kaldajat, litrat e karburantit të ministrave, pra edhe sikur të gjitha këto të jenë të vërteta, në fund të fundit ato nuk thonë asgjë. Opozitat në Shqipëri janë ndeshur gjithmonë me shtrëmbërime të tilla, që mund të jenë ulëritësë për Suedinë, apo Danimarkën, por kurrë nuk kanë dalë kaq keq sa PD e Bashës në 2017.

Prandaj, i gjithë efekti që po krijon raporti i ministrave të dorëhequr është një pasqyrë e shtrëmbëruar e asaj që kulmoi në 25 qershor. 74 mandatet e Edi Ramës dhe qafëthyerja e paprecedentë e Bashës nuk u vendosën as nga ata njerëz që u punësuan në doganë, as nga ata militantë që morën rrogën në tatime, dhe as nga ata policë që bashkëpunuan me bandat. Natyrisht ata kanë pasur rolin e tyre minor, por të duash të shpjegosh përmes tyre zgjedhjet e kësaj vere është një miopi e pafalshme.

Në këtë kuptim, raporti duket vërtet një produkt teknik i njerëzve teknikë, që nuk kanë as kapacitetin dhe as instrumentat që të shikojnë me distancë reflektive pikturën e madhe.

Ajo që tregon kjo e fundit është krejt tjetër. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk u përcaktua as nga faullat e vegjël, as nga një penallti e dhënë gabim, as se gjyqtari ishte i prirë të ndihmonte njërën palë. JO dhe JO. Ai u përcaktua nga fakti se të gjithë rregullat e lojës ishin shkruar që të kishte vetëm një fitues: Jo ai që arrinte të punësonte dy njerëz më shumë, por ai që e kishte qepur gjithë sistemin si një kostum “sur mesure”.

Këto zgjedhje u vendosën nga fakti që Edi Rama kishte blerë në avancë të gjitha televizionet e mëdha. Ai mund të jetë i vetmi rast në botë, kur një lider sillet në fushatë si një klloun dhe të gjithë ekranet e mëdha transmetojën live “one man show-un” e tij, pa bërë rolin e ndërmjetësit me publikun, pa i bërë kurrë një pyetje për premtimet e pambajtura dhe për mungesën e tyre për të ardhmen. Pra vetëm ky episod tregon se kryeministri u fut në një garë, ku pushtetin e katërt, që garanton barazinë dhe ndershmërinë e saj, e kishte të kapur.

Por le të shkojmë më tej. A ka pyetur njeri se si janë paguar këto televizione nga partitë? Se si transmetoheshin nga katër mitingje të Ramës në ditë, që më së pakti (vetëm në një televizion) kushtonte nga tre mijë euro? A ka hetuar njeri nëse këto lekë janë paguar me bankë dhe me kontrata të rregullta, apo thjesht janë dhënë në të zezë? Sepse nëse rezulton sipas të gjitha gjasave kjo e dyta, del një pyetje tjetër: Nga u gjetën në duart e qeveritarëve këto euro jashtë sistemit (që e çuan monedhën europiane në minimimun historik të këmbimit në raport me lekun)? Dhe këtu dalim automatikisht  tek aleanca okulte që Rilindja ka vendosur me oligarkët. Me të gjithë ata që kanë marë koncensionet marramendëse në shëndetësi dhe mbi 160 lejet e ndërtimit në Tiranë. Përse e ka bërë këtë? Natyrisht jo vetëm për përfitime personale, por edhe për të blerë zgjedhjet në bashkëpunim të plotë me biznesin e madh të këtij vendi.

Dhe kur kemi thënë këtë, natyrshëm lind pyetja: po si mund të kishte zgjedhje normale kur edhe mediat e oligarkëve edhe paratë e zeza të tyre shkonin në favor të njërës nga palët?

Natyrisht një gjë të tillë e kishte kuptuar edhe Lulzim Basha, i cili shpalli si devizë të çadrës faktin se nuk mund të kishte zgjedhje me Edi Ramën, pikërisht sepse duheshin shkëputur lidhjet me këta faktorë me të cilët zgjedhjet e ndershme ishin të pamundura.

Eshtë puna e tij se pse e tradhëtoi këtë kredo natën e  18 majit. Ndoshta se fitimi i shpejtë i zuri sytë për të mos parë projektin afatgjatë. Ndoshta sepse rilindasit u treguan aq perfidë, sa shantazhuan dhe zunë peng vendimmarrësin real në PD.

Këto hamendësime mbase nuk vërtetohen kurrë.

Por ajo që dihet me siguri është se në ditën që firmosi paktin me Ramën, Lulzim Basha nënshkroi edhe shitjen e zgjedhjeve. Ai pranoi të hyjë në to, duke u nënshtruar para rregullave të vëna nga trekëndëshi, Kryeministër, pronarë mediash, oligarkë. Të imagjinoje se mund t’a pengoje këtë koalicion me vullnetin e mirë të ministrave teknikë, ishte në rastin më fatlum një donkishotizëm.

Koha e vërtetoi këtë. Ajo i dha të drejtë Bashës së çadrës, jo Lulit të marrëveshjes. Por, ky i fundit vazhdon të këmbëngulë edhe pas zgjedhjeve se pakti me Ramën qe i mirë, porse ky i fundit u tregua i pabesë dhe nuk e zbatoi atë (lexo shkrimin poshtë).

Raporti teknik, me detaje teknike, i ministrave teknikë mëton të argumentojë këtë linjë politike. Dhe ky është mëkati më i madh i tij. 

Ai sjell plot detaje të manipulimeve të vogla, me punësime, tendera dhe polici të anshme, por ai nuk tregon vjedhjen e vërtetë, atë që ishte nënshkruar shumë kohë përpara nga aleanca e Edi Ramës me televizionet e gënjeshtrës dhe oligarkët e koncensioneve dhe lejeve të ndërtimit. Me këtë koalicion, Rilindja do të fitonte edhe sikur asnjë doganier të mos kishte futur në punë. Prandaj numërimi i tyre nuk ka vlerë. Ai mund t’i duhet vetëm burokratëve të OSBE-ODHIR-it për të hartuar një raport metikuloz, por jo shqiptarëve që duan të kuptojnë e ç’ndodhi këto zgjedhje. /lapsi.al/