• |
ide | kryesore

Kulisat / Marrëveshja e fshehtë me Thaçin që ktheu Pacollin në qeveri

I pakategorizuar
pacull.PNG



Tashmë është e konfirmuar: Politikani milioner Behgjet Pacolli, ish presidenti pakditor i Kosovës, i shkarkuar nga Gjykata Kushteuese, njeriu që për tre vite e pak i mungoi parlamentit sepse partia e tij nuk e kaloi pragun e 5%, jo vetëm do të rikthehet në politikën parlamentare, por do të jetë edhe numri 2 i qeverisë Haradinaj.

Për të arritur deri këtu, atij iu desh të bënte një kapërcim të paparë ylberi: Tradhëtoi koalicionin me LDK-në e Isa Mustafës, nga i cili pat deklaruar se nuk do të ndahej kurrë, dhe priti një kohë të gjatë me sensin e tij të theksuar të biznesmenit për të rritur ndjeshëm pazarin. Sot Partia e tij AKR, me vetëm 3 deputetë të artë (të mjaftueshëm për të bërë një shumicë me 62 -63) vota do të marrë 4 ministri; të Jashtmen, të Brendshmen, të Ekonomisë dhe të Mjedisit. Vetë njeriu që u pasurua në oborrin e Jelcinit duke rikonstruktuar Kremlinin do të jetë zv.kryeministër dhe shefi i diplomacisë kosovare.

Në fakt zëra të besueshëm në Prishtinë, bëjnë me dije se e gjithë kriza kosovare është zgjidhur përmes marrëdhënies së ngushtë të Presidentit Thaçi me Pacollin gjatë një takimi të tyre të fshehtë në bregdetin e Shqipërisë. Kjo marrëveshje që i ka siguruar Pacollit, të cilin analisti Enver Robelli e konsideron si një lojtar rezervë në shërbim të PDK-së, 4 ministri me vetëm tre deputetë, e zgjidhi përfundimish krizën kosovare që vazhdon që prej zgjedhjeve të qershorit.  

“Kosova arriti të shmangte një krizë që po përsëritej dhe që nuk zgjidhej as me zgjedhje të parakohshme, sepse nuk do të prodhohej asgjë e ndryshme. Një parti mund të rritej, por në kushtet e peshës së partive të tjera, askush nuk mund të bënte qeveri i vetëm. Distanca mes palëve është e madhe. Dhe kriza që do zgjatej pikërisht kur Perëndimi pret që Kosova të bëjë mirë, sepse Serbia po bën mirë, kur pritet një fazë e re në bisedimet shqiptaro-serbe…” ka shkruar në Konica.al, Mentor Nazarko, një gazetar shumë pranë milionerit kosovar.

Dhe kjo ide është hapur gjërësisht. Njerëzit e Pacollit thonë se shefi i tyre e bëri kapërcimin nga një koalicion tek tjetri për hir të interesave të Kosovës.

Por paralel me këtë ekziston edhe një version i dytë. Sipas tij në thelb të zgjedhjes së AKR-së, partisë së Pacollit që është ngritur vetëm për t’i shërbyer një njeriu, është sensi i biznesit i presidentit të saj. Duke përmendur faktin se Behgjet Pacolli është sjellë gjithmonë si tregtar, madje edhe atëherë kur mori avionin nga Moska, për të negociuar me shqiptarët që të pengohej bombardimi i Millosheviçit, Mero Baze ka këtë këndvështrim:Pacolli nuk ka dëshirë të jetë shqiptar i keq, por ka dëshirë të jetë i pasur, dhe si i tillë është bërë në Lindjen e korruptuar. Korrupsioni të mban peng dhe të mban peng dhe kur ke të bësh me çështje më të mëdha se paraja, siç është fjala vjen, qëndrimi ndaj kombit tënd. Ai nuk do kishte ardhur me qejf me avion nga Moska në Kosovë, sikur të mos ishin në mes paratë e Kremlinit dhe tenderi i tij problematik me vajzën e Jelcinit. Ai po ashtu nuk do ishte kaq pro oriental dhe pro liderëve të korruptuar të ish- republikave të Kaukazit, sidomos asaj të Kazakistanit, sikur dhe aty të mos ishte përdorur si biznesmen oborri. Dhe në këtë rast, ai ka vepruar si tregtar. Kur e pa që dy blloqet politike, nuk po mundnin të formonin dot qeverinë, ai bëri pazar, shiti aleatët e tij dhe shkoi “dhëndër” tek pala tjetër, duke marrë paraprakisht një pajë të majme…”

Ndërsa gazetari Enver Robelli në faqen e tij Dialogplus.ch komenton se Pacolli po rikthehet në vendin e tij të zv.kryeministrit të Kosovës, si shpëtimtar i ish -komandantëve të luftës. Por duke parë gjithnjë interesin e tij…

“Deri më sot marrëveshjet politike që i ka bërë Pacolli kanë qenë në dobi të tij dhe në dëm të Kosovës. Në fund të viteve ‘90 tentoi të bëjë shumë dëm, duke pranuar rolin e emisarit të regjimit të Boris Jelcinit në «zgjidhjen e koniktit të Kosovës». Në këtë mision u pengua sidomos nga Fehmi Agani, atëherë nënkryetar i LDK-së. Pas luftës Pacollit filluan t’ia ledhatojnë egon komandantët e shndërruar në politikanë dhe ia hapën rrugën për të hyrë në politikë me një qëllim: shkatërrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës….A do të vazhdojë Pacolli «lobimin» për Kosovën aty ku e la kur ishte zëvendëskryeministër? Me nënshkrime kontratash me rma të dyshimta në Afrikë, duke ngatërruar rolin e tij. Me «dhurata» (kompjuterë dhe kolltukë) për sundimtarët në Mali. Me sigurimin e njohjeve, të cilat pastaj rezultonin të jenë të pasigurta apo të pavërteta. Duket se të gjitha këto nuk do të luajnë rol në politikën e Kosovës, me rëndësi që Pacolli të kryejë punën e patericës politike”.

A është në fakt Behgjet Pacolli një milioner që përpiqet të mbarojë punët e veta duke i shërbyer si patericë interesave të Hashim Thaçit? Ky është një opsion që po përhapet gjërësisht. Sipas Mero Bazes “Korrupsioni duket i vetmi motiv që mund ta shtyjë para këtë shumicë të re, por mund të kthejë mbrapa Kosovën”. Sepse sipas tij patitë që përbëjnë mazhorancën e sotme kuk i bashkojnë as programet dhe as qëllimet politike.

Prandaj bëhet edhe më i fortë dyshimi se kjo është një shumicë interesash. nga njëra anë e ish komandantëve të luftës, që duan të kenë role dominuese në qeverisje përpara fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe nga ana tjetër e Behgjet Pacollit. që nuk di ti ndajë kurrë interesat e tij private nga ato politike.

Mbi këtë bazë është arritur edhe kompromisi i fshehtë mes ish “kundërshtarit” Pacolli dhe presidentit Thaçi në bregdetin shqiptar.

Ajo që ndodhi më pas ishte vetëm një shfaqje. Mbledhja e liderëve politikë, në vilën e Pacollit në hajvali, për të nënshkruar koalicionin ishte maja e sipërme e ajsbergut. Gjithçka ishte dizajnuar më parë në fshehtësi mes presidentit aktual dhe atij, të cilit i është premtuar se do ta pasojë në këtë post. (lapsi.al)