ide | kryesore

A jemi ne shqiptarët antisemitë?

Arkiva, Blog
idro.jpg

Arben Idrizi/                                                 

Këto ditë ka pasur goxha do akuza për antisemitizëm ndaj një kandidati për kryetar komune. Përfolja më bëri të tmerrohem edhe më tepër nga një grafit në rrugë, të cilin jam duke e ndeshur sa herë që po kaloj andej pari.

Grafiti në fjalë është një svastikë e bërë me ngjyrë të zezë, mbi asfalt, në Germi, më saktësisht në rrugën e asfaltuar që çon lart tek antenat. Mbi grafit është shënuar, bazuar në ngjyrën dhe mënyrën e shkrimit, një emër, me shkronja të mëdha: RINOR. Me gjasë ai do të jetë autori i grafitit. Përsëri me gjasë: edhe mund të jetë një i ri, që ndoshta as nuk e di saktësisht se çka nënkupton shenja të cilën ia ka shoqëruar emrit të vet. Por, mbase e di. Dua të them se ai e di. E di. Nëse nuk ka lexuar, sigurisht nuk ka pasur si të mësojë çfarë tmerresh e tragjedish ka prodhuar ajo shenjë, nëse s’ka pasur prind a mësues që t’ia shpjegojë atë fatkeqësi që nuk duhej të ndodhte as nuk duhet të ndodhë kurrë më, atëherë mbase prindi (nuk do të doja të besoja se edhe mësuesi), ose ndokush tjetër me ndikim përreth tij, do ta ketë bindur, me ndonjë aludim ose drejtpërdrejt, se holokausti, pra gjenocidi ndaj hebrenjve është një vepër e pranueshme. Do të thotë, për t’u përsëritur.

Nga përvoja, e them me përgjegjësinë time, ndër myslimanët e devotshëm e të padevotshëm, janë me bollëk, në vendin tonë, ata që atë holokaust e konsiderojnë të pranueshëm. Përkatësisht, që do të donin që Izraeli të rrafshohet përtokë.

Ndër përjetimet e mia (ju mund të thoni se janë të kufizuara dhe nuk shënjojnë asnjë tendencë), kam një që më ka lënë aq shije të hidhur sa s’do ta harroj për jetë. Si çdonjëri, kisha një berber ku qethesha rëndom. Është një ritual praktik. Një herë, teksa po prisja të qethesha, berberi po bisedonte me një myshteri për një person të tretë, i cili duhej të ishte një banor i interesant i lagjes së tyre. Doli se ai kishte pas qenë pjesëtar i formacionit namkeq nazist të shqiptarëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër, paska shenjën e svastikës të SS-ve. Akoma për më tepër, na qenka i mbijetuari i fundit i atyre shqiptarëve nazistë. Në atë moment, berberi u kthye nga unë dhe më tha: «Mund të jetë interesant të shkruash për të». Paksa i revoltuar, ndoshta pa i gjetur të gjitha fjalët e duhura, por duke e kuptuar ku donte të dilte, i thashë: «Nuk ka asgjë për t’u krenuar në atë gjë». «As për t’u turpëruar», ma ktheu sakaq, ndoshta edhe më i prekur nga reagimi im. U çova dhe ika. Kaq mund të bëja. Të ikja dhe të mos ia shihja kurrë më surratin.

Tani, të tillët, janë njëmend një pakicë? Apo janë shumicë? Janë thjesht injorantë? Apo janë tamam antisemitë dhe kjo i bën edhe më kafshëror?

Sigurisht, ashtu siç nuk pranova më t’ia shoh më surratin, as të lejoj të më dërdëllis për afinitetet e tij kafshërore, atij personi, po ashtu mund të shkoj dhe ta fshij atë grafit. Porse, ta fshij sot më duket sikur të përpiqesha ta fshija të vërtetën, dmth gjithë atë kafshëri që ekziston mes nesh.

Në një skenar më ideal, do të doja ta shihja atë tipin e akuzuar për antisemitizëm, qoftë edhe duke i mbledhur të gjitha mediat pas vetes, të shkojë të fshijë dhe të manifestojë pak më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe humanizëm.

Ndoshta për shumicën ai grafit do të duket një incident pa kurrfarë peshe. Ka pasur të tillë dhe do të ketë, në vendet e tjera më shumë se te ne. Unë mund të them vetëm një gjë: për vendin tim, për shoqërinë time, kjo “shkëndijë” është fatale. (Gazeta Express)

 

 

 

 

Kthehu