• |
ide | kryesore

Përplasje e ashpër/ Çili: Fuga komunist i vjetër. Akademiku: A ka moral ky njeri me reklamën që bën?

I pakategorizuar
fuga cili.JPG



Dy ditë pas ish-kryeministri Berisha sulmoi ashpër Universitetin Europian të Tiranës, për shkak të një reklame ku i bëhej thirrje të rinjve ‘të mos harxhojnë kohën kot në universitetet shtetërore’, ka reaguar sot përmes një shkrimi të gjatë administratori i UET, Heni Çili.

Por ky i fundit në përgjigjen për Berishën, ka përmendur edhe akademikun Artan Fuga, të cilit i referohet si ‘komunisti i vjetër’.

“Ruajtja e sektorit shtetëror në thuajse të njëjtët parametra dhe vonesa e pafundme e aplikimit të reformës së arsimit të lartë, është një nga dëmet më të pallogaritshme që po i shkaktohet vendit dhe rinisë shqiptare. Si i tillë, një debat idesh mbi vazhdimin e monopolit shtetëror në arsimim e lartë, arsimin e lartë falas që e propozojnë komunistët e vjetër si Artan Fuga dhe komunistët e rinj si Arlind Qorri, është ta vendosësh veten në pozita shumë regresive për interesin publik.”, shkruan Çili.

Më tej administratori i UET thotë se Berisha gjithnjë e më shumë ka braktisur sot idetë për liberalizimin e arsimit të lartë dhe i është afruar ‘ideve të komunistëve të vjetër si Artan Fuga dhe të komunistëve të rinj si Arlind Qorri për “arsimin e lartë falas”, për monopolin e sistemit shtetëror e shumë e shumë gjëra të kësaj natyre. Kjo në të vërtetë është shumë zhgënjyese, për mua personalisht, por dhe për këdo besoj që e ka parë Sali Berishën si një aleat për tregun e lirë në këtë vend me traditë të gjatë osmane dhe puniste”.

Pas këtij shkrimi të Çilit, nuk ka vonuar edhe reagimi i ashpër i Artan Fugës, i cili shpreh habi se përse administratori i UET e përfshin atë në përgjigjen që ka ndaj Berishës. Me ironi dhe nënvlerësim, Artan Fuga i referohet në shkrim Henri Çilit si ‘njeriu me mbiemër Çili’, ndërsa universitetit të tij i referohet si ‘qendra për arsim’

“E ka një hall ky njeri ! Ky njeri që sot pas z. Sali Berisha sheh Artan Fugën! Para disa muajsh, ju kujtohet, pas Lulzim Bashës shihte Artan Fugën! Tani pas reagimit të kryeministrit Rama ndaj akademisë të shkencave, edhe pas Edi Ramës gazeta pa Artan Fugën! Edhe pas Enver Hoxhës sheh Artan Fugën! Edhe pas komunistit Karl Marksi, si mishërim i tij, sheh Artan Fugën! Cfarë t’i bëj këtij njeriu që kudo i del si fantazmë fytyra ime?’, shruan Fuga.

Më tej akademiku vazhdon sulmin ndaj Henri Çilit, për të cilin thotë se vetëm liberal që nuk është.

“Pastaj sa për etiketën që i ve vetes si liberal, që nuk është, sikundër provohet nga sa thashë më sipër, ka një të vërtetë. Gjithçka bën është fund e krye e ideologjizuar. Kur shoh emëtimet e lëndëve në qendrën arësimore që thotë se menaxhon e që janë me orientim ideologjik, pyetja ime nuk është si ajo e z. Sali Berisha : a ka moral ky njeri me reklamën që bën? Unë e kam tejkaluar këtë gjë më parë, e kam zgjidhur atë dilemë me veten tim. Sa mirë do të ishte poqese unë do të isha komunist dhe ky Cili liberal, por as unë nuk jam komunist dhe as ky nuk është liberal! Se poqese do të ishim vërtet në kapitalizëm, do ja tregonte “qefin” kapitalizmi Henri Çilit!”, thotë Fuga, duke paralajmëruar më tej se në Senatin e Universitetit të Tiranës do të kërkojë drejtësi “përpara paturpësive që i hedhin në imazh”, duke nënkuptuar këtu reklamën e fundit të UET.

/LAPSI.AL/