• |
ide | kryesore

Lu foli si për herë të fundit!

Arkiva, Ide, Lajme



Sot amabasadori Lu, foli më shqip se cdo herë që ka folur troç në Shqipëri. Madje seç ndihej dicka si “pishman” brenda shqipes me të cilën ka folur që ditën e parë që ka shkelur në vendin tonë. Deklarata e fortë për bandat që drejtojnë ende me shumë prezencë, aktivitetin kriminal në Shqipëri, sikur i alarmoi të gjithë, edhe pse, në kontekstin e lajmeve shqiptare, ne kemi stërdëgjuar fjali të tilla. Madje aq shpesh i kemi dëgjuar, saqë na duket se ambasadori nuk na tha ndonjë gjë që nuk dihet. Por të pafuqishëm për të vënë “kujen”, e kemi pranuar realitetin ulëritës, duke i futur zhargonin e zakonshëm: hajt se në Shqipëri jemi.
Lu me deklaratën që për nga karakteri “shpërthyes” me të cilën u servir nga ne, mori përcaktimin “deklaratë bombë”, me sa duket e kishte lënë për në fund të mandatit, të fliste për klane mafioze dhe familje që drejtojnë trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit, në vendin tonë. Lu përmendi me emra klanet që drejtojnë kriminalitetin, duke theksuar se Shullazi drejton nga qelia e burgut trafikun e drogës, se magjistari Klement Balili vijon të tallet prej 16 muajt me drejtësinë, e se krimineli Lul Berisha u lirua gabimisht dhe se po vijon aktivitetin e paligjshëm. Të gjitha këto, i paravendosi në tablonë, diçitura e së cilës është: Kujdes me Vetting-un që nis pas 1 jave. Sepse, sipas tij, Vetting-u i ka vërtet punët pisk. E kur diplomati amerikan renditi emrat dhe veprat e tyre kriminale, ne si reporterë mbajtëm frymën, gjyqtarët e magjistratët e pranishëm në takim, lëvizën sikletshëm në vend, e përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, u “kapërdinë” me vështirësi. Ta kish thënë dikush tjetër atë që tha ambasadori amerikan, do të dëgjonim maratona të lodhshme debati politik, me akuza e stigmatizime, që nisin me emra politikanësh, e që përfundojnë, brenda krevatit të tyre. Por e tha Donald Lu…i njëjti që na lëvdoi për parlamentin më të “pastër” të mundshëm nga kriminaliteti. i njëjti që na tregoi se duhet të ndihemi krenarë që larguam elementë të inkriminuar nga vendimmarrja. Për fat, ambasadori nuk do përkthim gjuhësor. Ne e dimë se politika, do ta “përkthejë” sipas interesit, fjalimin e tij, e se palët partiake, do ta drejtojnë nga njëra-tjetra, gishtin e fajit për këtë situatë. Ama ne njerëzit, ne të thjeshtët që jemi të rëndësishëm vetëm për kohë zgjedhjesh, ne e dëgjuam shqip, atë që tha. E në këndvështrimin tonë, cdo deklaratë politike, do të “nënqeshet” me keqardhje, sepse ne e dimë tani “realitetin origjinal”. është e sigurtë se Lu thotë gjithnjë të vërtetën. është e sigurtë se ambasadori s’e ka për gjë të ngrejë alarme të qenësishme. i vetmi pishman që kemi me të, ndoshta…ndoshta…mund të ketë të bëjë, me kohën e shfaqjes së këtij qëndrimi…që përkon me fundin e mandatit të tij. (Laps.al)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *