• |
ide | kryesore

Shqiptarët të varfër, por shpenzojnë si europianët në veshje, 34 mln euro vetëm në 2 dyqane

Arkiva, Të fundit



Zhvillimi i qendrave po tërheq dhe linjat e tregtimit të veshjeve, dy prej të cilave, ITX ALBANIA dhe LC Waikiki kanë konsoliduar ndjeshëm biznesin në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Tatimet, dyqani më i madh i veshjeve në Shqipëri ka arritur që të jetë brenda pak kohësh ITX ALBANIA, në pronësi të grupit Zara Holding B.V., me dyqanet e saj Zara, Massimo Dutti, Bershka, Pull & Bear, Stradivarius. Në vitin e tretë të plotë të aktivitetit, të ardhurat e kompanisë ishin rreth 2.5 miliardë lekë, apo rreth 18 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc në QKB). Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat u rritën me rreth 30%.

ITX Albania ka dyqane aktualisht vetëm në qendrën tregtare TEG.

LC Waikiki Retail AL sh.p.k. është operatori i dytë më i madh i tregtimit të veshjeve në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi i saj vjetor në 2016-n ishte 3.1 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro) me një rritje prej 30% me bazë vjetore. Fitimi para taksave ishte 402 milionë lekë, me një normë fitimi prej 18%. Ndryshe nga Zara, që segmenton shtesën e mesme dhe të rinjtë, dyqanet e Waikiki tregtojnë veshje më të lira dhe për të gjitha moshat.

Në total, vetëm në këto dy dyqane, shqiptarët kanë shpenzuar për veshje rreth 34 milionë euro.

Shqiptarët shpenzojnë për veshje njësoj si europianët

Ndonëse shqiptarët janë një nga popujt më të varfër të Europës, ku të ardhurat janë sa 30% e mesatares së Bashkimit Europian, ata nuk kursejnë për t’u dukur.

Të dhënat krahasuese të INSTAT dhe Eurostat, lidhur me peshën e shpenzimeve sipas qëllimit të konsumit, kanë trgeuar se konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 4.9% të totalit për veshje e këpucë, ndërsa edhe për europianët kjo peshë është pothuajse e njëjtë në 5% dhe për 19 shtetet e zonës euro është njësoj me Shqipërinë.

Të dhënat janë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve 2015 të INSTAT dhe anketës së familjeve të BE-së, të publikuara nga Eurostat, të matura të dyja sipas nomenklaturës  COICOP. (Classification of Individual Consumption According to Purpose – Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit).

Shqiptarëve u del që të shpenzojnë 4.9% të totalit për t’u veshur, një produkt relativisht luksi, ndonëse ata, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave, kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime, një produkt i domosdoshëm, me gati 49%, nga 12.3% që harxhojnë europianët për t’u ushqyer.

Por, cilat janë vendet që harxhojnë më shumë për veshje, në raport me totalin e shpenzimeve? Nuk është asnjë surprizë që në vend të parë është Italia, me 6.3% të totalit. Në vendin që njihet për modën e lartë, italianët nuk kursehen. Të dytët janë portugezët, me 6.1% të totalit, të ndjekura nga Austria. Vendet baltike, si Lituania, Letonia i kushtojnë gjithashtu rëndësi veshjes.

Peshë më të ulët se Shqipëria kanë 14 shtete, ku më pak rëndësi dukjes i kushtojnë çekët, grekët, hungarezët, rumunët.

Të dhënat tregojnë që ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë gati gjysmën e shpenzimeve (48.7%) për ushqime dhe pije joalkoolike, konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen vetëm me 12.3% të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme të të ushqyerit të një jetese normale.

Me gjysmën tjetër të buxhetit, që u mbetet pasi konsumojnë për nevoja ushqimore, familjet shqiptare kanë pak alternativa zgjedhjeje dhe ndonëse për veshjet nuk kursehen, për të tjerat e mbledhin rripin. Ndryshe nga europianët, që për argëtim dhe kulturë shpenzojnë gati 9% të buxhetit, për familjet shqiptare kjo peshë është vetëm 3%. Edhe për restorante, europianët harxhojnë 8.2% të parave, nga 3.6% për shqiptarët (gjithsesi në Shqipëri, në vlerë absolute, të drekosh në një restorant është shumë më lirë se në vendet e tjera të Europës)./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *