• |
ide | kryesore

Edi Rama mes “vëllait” Erdogan dhe BE -së

Arkiva, Kryesore, Të fundit



Recep Tayyip Erdoğan i bëri Edi Ramës një kërkesë të drejpërdrejtë: luftë kundër strukturave dhe njërzve të Fethullah Gülen në Shqipëri.

Më 5 maj të vitit 2015, teksa vizitonte Tiranën, presidenti turk u shpreh edhe publikisht.

  • Erdogan:“Ju jeni në dijeni që ne në Turqi po luftojmë kundër një strukturë paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht organizatë terroriste që kërcënon shtetin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate në vendin tonë dhe kudo do ta vazhdojmë pa ndërprerje.  Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë e vet edhe në Shqipëri, në këtë vend mik dhe vëlla.

I vetëdijshëm se nuk mund niste një gjueti shtrigash vetëm nga thirrjet lënguese të një njeriu që sheh komplote sa më shumë i rritet hija e pushtetit, por i pafuqishëm për t’i thënë “jo” “vëllait turk”, Edi Rama nis një lojë të dyfishtë.

Pas kërkesës së Erdogan ai nxorri një udhër për heqjen e të gjitha simboleve kombëtare të vendeve të tjera nga shkollat e universitetet në Shqipëri. (Lëvizja Gylen mbështet disa shkolla, kolegje e universitete në Shqipëri, të cilat kanë mbajtur më parë flamurin e Turqisë).

Lajmi tërhoqi vëmendjen e mediave, ashtu siç duhej për të arritur deri në zyrat e ambasadës turke. Por në realitet nga aktivitetet nuk u cënuan.

Lapsi.al mëson se ambasada turke ka pasur në vazhdimësi kërkesa të tjera për mbylljen e shkollave gyleniste në Shqipëri.

Por a mundej Edi Rama t’ia plotësonte këtë kërkesë “vëllait” edhe pse ai i ka premtuar t’i japë paratë për të ndërtuar aeroportin e Vlorës?

Si do ta justifikonte ai mbylljen e shkollave brenda dhe jashtë vendit?

Lapsi.al mëson se Rama po zbaton një strategji për t’i larguar gylenistët nga shkollat dhe universitetet private, të cilën e ka nisur në fillim të këtij viti. Në ndihmë po i vijnë biznesmenë pranë tij.

Por teksa kjo strategji do të kërkojë kohë, një zhvillim i pallogaritur e ka vënë në testim besnikërinë dhe devotshmërinë e tij ndaj Erdogan.

Një profesor turk u ndalua më 8 tetor në Durrës, teksa po përpiqen të kalonte në Itali së bashku me familjen, pasi pasaporta e tij ishte pezulluar nga Ankaraja. Por Muhammed Yasir Aydoğmuş ishte shpallur në kërkim nga Turqia, si pjesë e mijëra turqve të dyshuar për grushtin e dështuar të shtetit të korrikut të vitit të kaluar.

Ai u kap për t’u esktraduar në Turqi, por Gjykata e Durrësit e la të lirë më 12 tetor. Autoritetet turke ishin në pritje të vendimit të Shqipërisë.

Por për lirimin e tij u luajt shumë në prapaskenë dhe llogaritë nuk dolën ashtu si nisën.

Parlamenti Europian u adresoi një letër autoriteteve shqiptare, në të cilën i kërkonte ta lironte Muhammed Yasir Aydoğmuş. Letra mban firmën e eurodeputetes Monica Macoevi, Kryesuese e Delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizimit dhe Asocimit BE- Shqipëri.

Ajo i kujtoi Shqipërisë detyrimet për të mos kryer ekstradime për arsye politike (lexo më poshtë në faqen e lapsi.al letrën e plotë të znj. Macoevi).

Turqia reagoi menjëherë. Në ambasadën turke pati zemërim. I ngakruari me punë me punë Cem Bas e akuzoi profesorin për terrorizëm dhe deklaroi publikisht se Gjykata e Durrësit kishte cënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë (shih më poshtë të plotë letrën në faqen e lapsi.al).

Zemërimi i Turqisë është i dukshëm. Dhe nuk do të marrë fund këtu.

Profesori turk ka kërkuar azil politik në Shqipëri. Kështu, çështja e tij do të jetë gjatë në qendër të vëmendjes.

Edhe pse për momentin kryeministri shqiptar ngjan në rregull me të dyja palët, duke kënaqur “vëllain Erdogan” me arrestimin e akademikut dhe Brukselin me lënien e tij të lirë, shumë shpejt ai do të përballet me të tjera kërkesa zyrtare apo “vëllazërore” për ta ekstraduar të kërkuarin.

Në lojë janë marrëdhëniet e tij me Brukselin dhe Ankaranë. Me këtë të fundit, ato kanë një rëndësi të veçantë. Jo më kot ai e përmendi edhe dje në Vlorë aeroportin që Turqia i ka premtuar se do ta ndërtojë në qytetin bregdetar: si një sinjal që edhe për profesorin gylenist ai do ta gjejë një mënyrë për ta kënaqur “vëllain Erdogan”.

Por kësaj here Brukseli është shumë i vëmendshëm.

Dhe Ramës i duhet të zgjedhë, pa pasur mundësinë e zvarritjes së vendimeve apo lëvizjeve në prapaskenë për të kënaqur të gjitha palët. /Lapsi.al

 

Letra e plotë e Monica Macoevi
Parlamenti Europian, Bruksel, 13 Tetor 2017
I dashur Zotëri
Faleminderit që e ndatë këtë situatë me ne. Kjo çështje është thuajse gjerësisht e njohur dhe e trajtuar me seriozitet nga parlamenti europian.
Disa OJQ dhe gazetarë na kanë shkruar mbi rastin e akademikut turk, zotit Yasir Aydogmus, rezident në Shqipëri, i cili u ndalua në Shqipëri tri ditë më parë, teksa përpiqej të kalonte kufirin për në Itali së bashku me familjen.
E kuptoj që zoti Aydogmus është tashmë i arrestuar në qytetin e Durrësit në pritje të gjykimit, ndërsa gruaja dhe dy vajzat e tij janë dërguar në Tiranë dhe sipas avokatëve të tij ai do të përballet me ekstradimin e pashmangshëm.
Në autoritetin tim si Kryesuese e Delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizimit dhe Asocimit BE- Shqipëri, do të doja të kujtoja si më poshtë:
Ka një konventë europiane mbi çështjet e ekstradimit nga Këshilli i Europës e firmosur nga Shqipëria gjithashtu, në të cilën qartësisht në artikullin 3 thuhet se është e ndaluar të ekstradohen njerëz për arsye politike.
Artikulli 3
Shqipëria është një vend Europian, që ndan të njëjtat vlera si Bashkimi Europian dhe për këtë arsye nuk duhet të lejojë ekstradimin apo dërgimin e një personi në një vend, ku ai mund të bëhet subjekt i torturave dhe trajtimeve çnjerëzore. Është pjesë e rregullave kryesore në kartën europiane e të drejtave të njeriut.
Artikulli 19, pika 1 dhe 2
Nëse argumenti që vjen nga autoritetet shqiptare për këtë vendim, lidhet me faktin që pasaporta e zotit Yasir Aydogmus është pezulluar nga autoritetet turke, kjo nuk përbën një bazë ligjore për ekstradim.
Është thelbësore për Shqipërinë të qëndrojë në pozicionin e saj europian dhe është një moment i rëndësishëm provojë se do të veprojë sipas Kartës Europiane të të drejtave themelore, një praktikë e vendeve anëtare të BE dhe dispozitë e traktateve dhe konventave ndërkombëtare humanitare.
Sinqerisht e juaja
Monica Macoevi

Deklarate nga Cem Bas, Chargé d’affaires në Ambassaden Turke në Shqipëri:

Ne jemi shumë të zhgënjyer nga dy vendime skandaloze të Gjykatës së Durrësit.

Së pari, më 8 tetor të dielën, Muhammet Yasir Aydoğmuş dhe familja e tij u arrestuan për shkak të përdorimit të pasaportave të falsifikuara turke në Durrës. Ata u përpoqën të kalonin Italinë duke përdorur dokumente të falsifikuara të udhëtimit, që është një krim i dënushem deri në 5 vjet burg sipas nenit 189 të ligjit penal shqiptar. Megjithatë, më 11 tetor 2017, Gjykata e Durrësit vendosi të lironte Muhammet Yasir Aydoğmuş në këmbim të një shume shumë qesharake parash. Padyshim që këto pasaporta ishin produkte të krimit të organizuar transnacional. Pra, vendimi i parë tregoi se përdorimi i pasaportave të falsifikuara që prodhohen nga rrjetet e organizuara kriminale nuk kanë sanksione në praktikë dhe të huajt që përdorin pasaportat false janë të lira dhe të mirëpritura në Shqipëri.

Së dyti, është e rëndësishme që Muhammet Yasir Aydoğmuş akuzohet se është anëtar i një organizate terroriste të armatosur në Turqi, përkatësisht FETÖ. Të gjithë publiku shqiptar dëshmitar i asaj që ndodhi në Turqi më 15 korrik 2016. Kjo organizatë e armatosur vrau 250 qytetarë turq dhe plagosi mijëra. Ekziston një urdhër arresti i gjyqtarit turk kundër tij. Pra, bazuar në Konventën Evropiane për Ekstradimin, kërkuam nga autoritetet shqiptare që ta arrestonin atë provizor për 40 ditë. Ne kemi ofruar të gjitha dokumentet e nevojshme.

Megjithatë, përsëri, një gjyqtar tjetër në Durrës mohoi kërkesën tonë për ekstradim me një vendim skandaloz dje (13 tetor). Ne besojmë se kjo është në kundërshtim me Konventën në fjalë, ku Shqipëria dhe Turqia janë pjesë e saj dhe e cila është gjithashtu pjesë e bashkëpunimit tonë dypalësh gjyqësor. Dhe është gjithashtu një shembull shumë i keq për luftën kundër terrorizmit.

I dyshuari për terrorizëm Muhammet Yasir Aydoğmuş dhe avokati i tij u përpoqën të politizojnë rastin dhe gjyqtari i Durrësit ra lehtë në këtë kurth.

Tani një i dyshuar për terrorizëm, duke përdorur pasaporta të falsifikuara të cilat ai ka marrë nga kriminelët e organizuar është i lirë në Shqipëri.

Ne besojmë se kjo situatë është gjithashtu kundër sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Nëse dyshohet për terrorizëm, duke përdorur pasaporta të falsifikuara u jepet liria për të udhëtuar në territoret shqiptare, kjo do të thotë se kjo kërcënon sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai hap rrugën për më shumë të dyshuar për terrorizëm dhe inkurajon të dyshuarit për terrorizëm që të veprojnë dhe të bashkëpunojnë me rrjetet kriminale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *