• |
ide | kryesore

Çfarë dinte Ilir Meta për Saimir Tahirin dhe pse e shkarkoi Rama 8 muaj më parë

Arkiva, Kryesore, Lajme



Tani që Edi Rama i lau duart publikisht me Saimir Tahirin, sikur të bëhej fjalë për dikë që sapo e kish njohur dhe jo për njeriun më të besuar të tij, del në dritë qartësisht strategjia e tij për t’ia faturuar kriminalizimin e shtetit një njeriu të vetëm.

Kjo strategji nisi gati një vit më parë, kur kryeministri përgatiti në fshehtësi largimin e Tahirit nga qeveria dhe e shpalli befasisht atë në kohën që opozita ishte ngujuar në çadrën e protestës. Atëbotë u ngritën shumë hipoteza për këtë vendim të papritur që prekte krahun e djathtë të kryeministrin, njeriun të cilit Edi Rama i kishte dalë zot për çdo veprim të tij dhe e kishte mbështetur edhe atëherë kur gjithë opinioni publik i ishte vënë kundër.

U tha se shkarkimi i Tahirit ishte një koncension politik që Rama i kishte bërë aletatit të tij, Ilir Meta, i cili vazhdimisht kishte sulmuar publikisht ministrin e Brendshëm, kryesisht për kanabizimin e vendit dhe emërimet në polici. U tha gjithashtu se si Tahirin, ashtu edhe Beqajn, kryeministri i bëri kurban për të zbutur zemërimin e opozitës. Por ndërkohë, nuk munguan zërat se shkarkimi i Tahirit kishte ardhur si presion i partnerëve ndërkombëtarë, të tronditur nga përshkallëzimi i kriminalitetit në Shqipëri dhe lidhjet e tij të fuqishme me politikën.

Sot, pas përgjimeve të ardhura nga Italia, është e qartë se Tahiri u shkarkua nga Rama, për t’u dhënë të kuptojë ndërkombëtarëve se ai vetë nuk ishte i implikuar në afera të dyshimta dhe se për këtë ishte i gatshëm të sakrifikonte dhe njeriun më të afërt të tij. Mesa duket, ky veprim i Ramës nuk ka mjaftuar, pasi edhe pas largimit të Tahirit, strukturat kriminale me mbështetje politike jo vetëm nuk u goditën por erdhën duke u forcuar. Ajo që plasi këto ditë në Itali, është sinjal i dukshëm se rrethi shkon duke u mbyllur tek vetë shefi i Saimir Tahirit.

Këtë e ka ndjerë edhe Edi Rama, i cili pa u skuqur dhe pa iu dridhur qerpiku, deklaroi se përgjegjësia është individuale dhe e paraqiti rastin sikur Tahiri të ishte një politikan i huaj dhe jo njeriu më i afërt i tij, ministri të cilit i kishte dhënë mbështetje për çdo veprim dhe që i kishte besuar drejtimin e partisë dhe fushatën në kryeqytet. Por këtë vështirë të kapërdijë kush. Të hedhësh dy herë lumin, duke përdorur të njëjtën “viktimë”, duket e pamundur.

Tentativa e Ramës për të dalë nga situata, duke vënë këmbën mbi shpinën e ish ministrit të tij, është e pavlefshme nëse shihet historia një vjeçare e strategjisë së kryeministrit për t’i bërë dalje situatës së rëndë tek një njeri i vetëm.

Kur u shkarkua Tahiri, Ylli Manjani, ish ministër i Drejtësisë, ishte i pari (falë informacioneve që kishte për shkak të detyrës) që e plasi “bombën” publikisht. “Në fakt, shërbimet e huaja, që kanë prova për lidhjet e Policisë me krimin, i kanë kërkuar Ramës që të shkarkojë Tahirin”, deklaroi Manjani.

Disa muaj më pas, vetë zëvendësi i Tahirit në ministri, Ilir Marko i LSI, do të deklaronte se motivi i shkarkimit të Saimir Tahirit ka ardhur nga partnerët ndërkombëtarë. “Nëse Saimir Tahri do sqarime për motivet e shkarkimit lë të pyesë Edi Ramën për letrën ultimatum që i ka mbërritur në zyrë nga ndërkombëtarët”, pati thënë Marko.

Pra, qëndrimi i Ramës sot, është vijim i zgjedhjes që ai pati bërë 8 muaj më parë. Të largojë ministrin e besuar për të shpëtuar “kokën” e tij.

Por strategjinë e Ramës për të larë duart duke përdorur si detergjent Saimirin, e pati goditur fort Ilir Meta në qershor të këtij viti, duke patur mesa duket informacione dhe duke besuar se pas Tahirit ishte vetë Rama.

“Përgjegjësinë për drogën duhet ta mbajë Rama, nuk mund ta mbajë LSI-ja, sepse zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të ministrisë së Brendshme ka qenë një zgjedhje e tij personale, edhe pse ka pasur kundërshtime të mëdha edhe nga brenda nga PS-ja, por edhe unë i kam shprehur rezervat e mia atij dhe personit në fjalë”, deklaroi Meta duke cituar më pas bisedën e tij me Edi Ramën.

“Më ka thënë që ky është njeriu më i besuar, nuk kam njeri tjetër më të besuar. Përgjegjësinë për çështjen e drogës e ka Rama dhe askush tjetër dhe LSI-ja nuk ka asnjë lidhje. Përgjegjësinë për futjen e shumë elementeve me rekorde kriminale në parlament e ka vetëm Rama dhe nuk ka asnjë përgjegjësi LSI-ja…

Ditën që u hoq Tahiri u shpërnda ky lloj lajmi se e hoqi Ilir Meta. Në këtë drejtim i thashë Ramës kur më tha se e hoqa Saimirin se krijoi probleme me LSI. I thashë: Mos krijo idenë se e hoqe prej LSI, por e ke hequr për probleme të tjera. Po deshe mbaje! Hiqi këto diversione, këto manipulime.

Tahiri ishte zgjedhja e tij, ishte një nga periudhat më të errta të policisë…”, pati deklaruar Meta.

Po, Tahiri ishte zgjedhja e Ramës dhe më shumë se kaq. Ai nuk u hoq sepse shteti dhe shoqëria u kriminalizua, as sepse Rama u trondit nga zbulimet e partnerëve për gjëra që nuk i dinte dhe as sepse në qeverinë e tij këto fenomene ishin të huaja. Tahiri u përdor si alibi për të shfaqësuar atë që qëndronte prapa tij, si një kapak me shpresë se do të mbyllte kazanin e madh që kutërbon ngado. Tahiri është “viktima” e parë e një shteti të marrë peng nga krimi. Dhe strategjia 8 mujore e Edi Ramës për t’a varur gjithë këtë peshë në qafën e një njeriu të vetëm nuk mund të funksionojë. Duhen qafa dhe koka të tjera… /lapsi.al/



6 Comments

  1. Po pse sipas jush çfarë duhet të bënte Rama ,të vepronte si paraardhësi I tij Berisha që per hir te pushtetit doli hapur në mbrojtje te Metes,I cili duhet të ishte në burg dhe Jo president??!!Rama bëri atë që duhej berë duke I lënë dorë të lire drejtësisë dhe duke zbatuar një nga pikat e programit të tij që ka qënë mos mbrojtja politike e askujt që shkel ligjin kushdo qoftë Ai…

    1. Fiks keshtu veproi edhe Berisha , pranoi doreheqen e Metes dhe e la ne dore te drejtesise e cila u mor me Ilir Meten deri ne Kushtetuese. Ai i shkoi per darke ne shpi Metes para gjyqit kurse Rama bente foto me Gjiken para gjyqit , kete do beje edhe me Saimirin nuk ka mund te veproje ndryshe edhe pse do.donte te dilte i paster per vete qofte edhe duke ja faturuar Saimirit por….

  2. Rama lau duart me Tahirin??? Jo mor jo, nuk i lan dot duart kaq lehte se Saimir Tahiri eshte nje bajge po aq e madhe sa gjithe qeveria me gjithe Ramen brenda…

  3. O Hasko, nje pyetje kam, pse u luftu nga ithtari ty S:B ( Ju shofte emri ju shofte) qe diten e pare si minister S .Tahiri ????????. Pergjigje: se i preu krahet e lidhjet me krimin e perfitimet nga ai.

    1. Maloko, Zgjohu! Perpiqu te kuptosh se Saimir Tahiri me ose pa sulme nga Sali Berisha, eshte sot fare lakuriq ne syte e gjithe popullit (qe ka sy), si nje Kurve qe Mafia e ka mbajtur me leke dhe ky ja ka shperblyer duke i ndenjur ne preher…

  4. Dhe tashme dosjen do ta shikoje LLalla. Ky tashme eshte bere gati per te lene karrigen e nuk do te lodhet me gjera te tille. Ndoshta Cim Gjana qe do t’i zere vendin do ta kete ne sirtar. Por cdo te dale me tej? Cudia me e madhe 3 dite zgjat…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *