• |
ide | kryesore

Prokuroria zbulon gënjeshtrën e Saimir Tahiri për makinën që u shiti Habilajve

Arkiva, Lajme, Të fundit



Saimir Tahiri bëri një mea culpa në deklaratën e djeshme pasi emri i tij doli në përgjimet e Habilajve.

Dikur kushërinj të shtatë, dje të dhjetë, ai tha se gabimi i vetëm ishte që u kishte shitur atyre makinën, audin e famshëm me targën AA 003 GB.

Dhe pavarësisht se ky është vendi ku politikanë e deputetë ndajnë gratë për të fshehur pasurinë, vendi ku mohohet vëllai, motra, kunati e baxhanaku, unë nuk jam ajo rracë njeriu e as politikani, por ndjej përgjegjësi morale për veprimet e kujtdo, qoftë edhe të ca kushurinjve të mij të 10, të cilëve kam bërë gabimin e madh e të vetëm që gati 4 vite më parë u kam shitur makinën time personale.

Unë sigurisht nuk duhet të kisha neglizhuar të verifikoja kujt po ia shisja makinën, e pavarësisht se në vendin tonë të rrallë janë ata që bëjnë këto verifikime, e të shumtë ata që më kollaj i fshehin a i cojnë në emra të tjerë pasuritë e tyre, unë përsëri mbaj përgjegjësi morale për këtë veprim.

Pranimi i këtij “faji” ishte për t’i dhënë rrëfimit të tij nota sinqeriteti dhe vërtetësie. Kjo hapje zemre i duhej për të bërë të besueshme edhe refuzimin e akuzave se ishte pjesë e bandës së Habilajve. Por Saimir Tahiri sërish gënjeu.

Prokuroria për Krimet e Rënda, në kërkesën drejtuar Parlamentit për të autorizuar arrestimin e ish -ministrit, saktëson se ka prova që Saimir Tahiri ka udhëtuar me vëllezërit Habilaj disa herë në makinën audi me targë AA 003 GB. Ka udhëtuar në gusht të vitit 2014, 9 muaj pasi ua kishte shitur atyre.

“Me datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA003GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013. Në këto udhëtime rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qënë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan  Habilaj, etj”, thuhet në kërkesë.

Tani, ish -ministri i Brendshëm do të duhet t’i japë sqarime drejtësisë se për çfarë arsye ka udhëtuar me kushërinjtë e tij të largët, të shtatë apo të dhjetë, që dje i quajti edhe “kriminelë”. Prokuroria thotë se ai ka qenë pjesë e grupit të Habilajt, u ka krijuar atyre lehtësira për të trafikuar disa ton kanabis, ka përfituar direkt para nga kanabisi shqiptar që shitej në Siçili. Të tjera të dhëna flasin se edhe me audin AA 003 GB është trafikuar drogë dhe janë transportuar paratë e drogës nga Italia në Shqipëri. /Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *