• |
ide | kryesore

Zagani 2/ Dëshmia e policit tjetër për lidhjet e Habilajve me Tahirin

Arkiva, Kryesore, Lajme



Alibia e Saimir Tahirit se nuk i doli garant Habilajve për aktivitetin kriminal dhe se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me kushërinjtë e tij, merr një goditje të fortë nga dëshmia e një ish oficeri të Antidrogës në Fier, i intervistuar nga gazetari Basir Çollaku. Pas Dritan Zaganit, është Antonio Nazeraj që tregon përplasjen me Habilajt dhe gjithë çfarë ndodhi më pas, si provë e pozitës së privilegjuar të trafikantëve të drogës në Fier dhe Vlorë.

Në intervistën e botuar në “Gazetën Shqiptare”, Antonio Nazeraj tregon se si trafikantët u përplasën me policinë dhe jo vetëm u lanë të lirë “me urdhër nga lart”, por e ndoqën dhe e kërcënuan për ta vrarë.

Ngjarja ndodhi në vitin 2014, kur Nazeraj dhe efektivë të tjerë të Antidrogës ndaluan Audin e famshëm me targa “AA 003 B” në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Por Habilajt kundërshtuan kontrollin, i ikën postbllokut për t’u ndaluar nga një postbllok i dytë policie. 

Basir Çollaku: Dyshonit për këtë automjet?

Ish oficeri i Antidrogës: Në përgjithësi, atje ne kishim dyshimet tona. Dhe e ndaluam. Në momentin që e kemi ndaluar, nga sa kujtoj, kanë qenë dy vëllezërit Habilaj, dhe ka pasur debat me ta, sepse nuk kanë dashur të kontrollohen nga ana jonë, të bënin kontrollin e makinës, të identitetit të tyre, nuk pranonin dhe patëm konflikt.

Basir Çollaku: Ishin të shoqëruar apo vetëm?

Ish oficeri i Antidrogës: Ishin të shoqëruar. Kanë insistuar që mjetit të tyre të mos u bëhej kontroll. Me sa kujtoj ishin të shoqëruar me dy femra. Në këtë moment duke debatuar kujtoj se na kanë kërcënuar, na kanë sharë dhe ofenduar dhe në ato momente, duke debatuar janë larguar nga pika e kontrollit, janë larguar me force.

Basir Çollaku: Pa i lejuar ju?

Ish oficeri i Antidrogës: Po, pa i lejuar ne janë larguar nga pika e kontrollit dhe më pas janë ndaluar dhe kontrolluar nga grupi tjetër, pasi u lajmëruan nga ana jonë.

Basir Çollaku: Çfarë bëtë më pas, i shoqëruat apo i latë të lirë?

Ish oficeri i Antidrogës: Më pas ka vajtur edhe grupi ynë dhe janë shoqëruar për në komisariat, automjeti dhe personat. Në komisariat kanë qëndruar rreth 10 minuta apo 15 minuta dhe me urdhër të drejtorit të policisë në atë kohë, janë lënë të lirë. Unë dhe grupi mbërritëm pak më vonë në komisariat dhe në atë moment u është dhënë urdhër që të dilnin nga komisariati dhe të liheshin të lirë. Kur unë dhe kolegët e grupit tim kemi mbërritur në komisariat, ky automjet dhe personat që ishin në të ishin në momentin e daljes nga drejtoria e policisë, duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e policisë.

Basir Çollaku: Çfarë kërcënimesh?

Ish oficeri i Antidrogës: Kërcënime. Pasi këta e kanë shprehur edhe vetë se ishin njerëz të ministrit, kushërinj të tij, ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Basir Çollaku: Konkretisht, cili ishte kërcënimi i tyre?

Ish oficeri i Antidrogës: Kërcënimi i tyre, ishte se do ta shihni se çfarë do t’ju bëjmë. Do t’jua tregojmë shumë shpejt vendin se ku do të përfundoni, të gjithë ju që keni marrë pjesë në ndalimin dhe shoqërimin tonë.

Pas ngjarjes mbi oficerin e Antidrogës nis ndëshkimi. Provat që efektivët tentuan të përcillnin ndaj shefave të policisë për grupin kriminal u refuzuan rregullisht, deri kur SHÇBA nisi hetimet, që pasuan me uljen në detyrë, përgjimin e telefonit dhe kërcënimet me jetë nga grupi kriminal.

Basir Çollaku: Si e gjenin vendndodhjen tuaj?

Ish oficeri i Antidrogës: Ka pasur një rast në rrugën Fier-Tepelenë, në një restorant, ku kanë ardhur rreth 7 apo tetë veta me automjete fuoristrada, dhe kam qenë bashkë me shefin e sektorit dhe me disa agjentë dhe na ka paralajmëruar shefi i sektorit që të lëvizim të ikim dhe kemi dalë nga dera tjetër e restorantit.

Basir Çollaku: Ishit në operacion?

Ish oficeri i Antidrogës: Ishim me shërbim dhe kemi marrë mjetet tona dhe jemi larguar nga aty…

Basir Çollaku: U larguat ju dhe jo trafikantët…?

Ish oficeri i Antidrogës: Gjatë bisedës me shefin e sektorit më ka thënë që një grup i strukturuar kriminal, që kishte mbështetje të fuqishme nga lart, na kishte vënë në shënjestër për të na eliminuar fizikisht.

Basir Çollaku: Me mbështetje nga lart, si..?

Ish oficeri i Antidrogës: Me mbështetje nga qeveria dhe nga ministri i Brendshëm në atë kohë…

Basir Çollaku: Ju kishte vënë në shënjestër ju, oficerëve të antidrogës…?

Ish oficeri i Antidrogës: Po, oficerëve dhe agjentëve të antidrogës, për të na eliminuar fizikisht, kjo ka qenë biseda që kam bërë me shefin e sektorit dhe na ka lajmëruar disa herë që, kur të shkonim në banesa të shmangnim rrugicat, të shmangnim errësirën, dhe gjatë gjithë kohës që ishim me shërbim të rrinim bashkë, dhe të mos ndaheshim nga njëri-tjetri, por të bënim kujdes, pasi ishim në rrezik për sigurinë tonë.

Basir Çollaku: A keni pasur kërcënime gjatë kësaj periudhe?

Ish oficeri i Antidrogës: Kam pasur kërcënime nga Habilajt, në mënyrë indirekte për vete dhe për familjen, nga këta direkt, por edhe pjesëtarë të tjerë të bandës.

Basir Çollaku: Si ishin kërcënimet?

Ish Ish oficeri i Antidrogës: Kërcënimet ishin të tipit mafioz, që e ke kaluar vijën e kuqe dhe me ty do të merremi në forma të tjera, m’i dërgonin me persona indirekt, me njohje pak a shumë të përbashkëta.

Rrëfimi rrënqethës i Antonio Nazerajt, është një tjetër gur mbi qafën e Saimir Tahirit, i fundosur në alibinë e tij, sipas të cilës nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me Habilajt. E megjithatë dëshmitë e forta të Dritan Zaganit, të ish efektives së policisë në Vlorë, përgjimet e Prokurorisë së Katanias, udhëtimi në Greqi me Artan Habilajn dhe provat e tjera që prezantoi prokuroria në parlament nuk mjaftuan që Partia Socialiste t’i hapë rrugë arrestimit të Tahirit.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *