• |
ide | kryesore

Asnjë gjurmë transparence nga Bashkia Tiranë

Arkiva, Kryesore



Para pak javësh ka bërë bujë lajmi se Bashkia e Tiranës ka fituar çmimin e trasparencës, pas një raporti të përpiluar mbi zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit nga Qendra për Çështjet e Informimit Publik, mbështetur nga Fondacioni Olof Palme dhe qeveria suedeze.

Raporti hapet me një vështrim të kuadrit ligjor, ndër vite, përsa i përket zbatimit të së drejtës së informimit për publikun dhe si ka evoluar ai. Kur e lexon, të krijohet përshtypja se ajo çfarë do të matet është pikërisht masa e zbatimit të legjislacionit aktual mbi informimin e qytetarëve nga bashkitë e vendit.

Një shqyrtim i metodologjisë, përkundrazi, nxjerr në pah se ligji i vetëm që do të monitorohet, edhe ai pjesërisht, është në fakt vetëm “Ligji për Informimin e Publikut” ose siç i është referuar shpesh qeveria, zbatimi i Programit të Trasparencës.

Sqarojmë se ky është vetëm njëri nga ligjet, së bashku me Ligjin për Njoftimin dhe Konsultimin Publik dhe Konvetën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të marr informacion, për të marr pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës rreth projekteve me ndikim në mjedis, të ratifikuar nga vendi jonë në vitin 2000 dhe që qëndron mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu bashkitë kanë detyrime institucionale që rrjedhin nga dispozitat e Ligjit “Për qeverisjen vendore”, “Për procedurat administrative”, “Për inspektimin e ndërtimeve” dhe një sërë VKM-sh që rregullojnë detyrimet mbi informimin e publikut për raste specifike.
Monitorimi i zbatimit në tërësi të ligjeve e dispozitave ligjore të mësipërme do të na jepte një ide të qartë se sa informacion i ofrohet qytetarit nga bashkitë.

Por jo! Raporti i INfOCIP përqëndrohet në aspektet më sipërfaqësore të zbatimit të vetëm njërit prej ligjeve, siç janë:

A kanë bashkitë faqje elektronike zyrtare?

A kanë pubikuar Programin e Trasparencës?

A kanë pubikuar Regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve?

A kanë caktuar koordinatorët dhe të dhënave e tyre?

A kanë publikuar vendimet e këshillave bashkiak?

Kjo metologji, përveçse e zhveshur nga vlerësimi cilësor, është edhe gjysmake sepse ajo nuk ka marr parasysh zbatimin e procedurave të ankimimit dhe për më tepër “gjetjet” bien ndesh me realitetin.

Ky raport ka vlerësuar me notën 9.9 nga 10 Bashkitë e Tiranës, Shkodrës dhe Korçës, që do të thotë se pothuajse të gjithë komponentët e mësipërm janë plotësuar.

Nga një hulumtim në Faqjen Zyrtare elektronike të Bashkisë Tiranë kemi vënë re se Kalendari i saj i dëgjesave publike rrjedh mbrapsht dhe njoftimet përfshijnë konsultime për Planin e Përgjithshëm Vendor, që njoftohet se do mbahen gjatë muajit korrik 2016 dhe për Projekt-buxhetin e vitit 2017 gjatë muajit nëntor 2016.

Seksioni “Njoftim për dëgjesa publike” nuk ndahet më mirë; aty gjenden të afishuara një sërë thirrjesh, që përveçse kanë të bëjnë të gjitha vetëm me hartimin e Planeve Vendore, datojnë të gjitha gjatë vitit të kaluar. Nuk është e mundur të dihet se kur janë hedhur njoftimet e rrjedhimisht, as të deduktohet nëse është respektuar afati ligjor prej 20 ditësh pune për marrjen e rekomandimeve nga grupet e interesit, si dhe 20 ditë të tjera pune nga njoftimi deri te zhvillimi i dëgjesës.

Asnjëra prej dëgjesave të afishuara në këtë seksion nuk shoqërohet me procesverbalin e saj apo të ketë publikuar rekomandimet, cilat janë marr parasysh e cilat jo dhe argumentimi i tyre sipas ligjit. Në fakt, i gjithë ky seksion mund të jetë hedhur javën e kaluar dhe asnjë prej këtyre dëgjesave mund të mos jetë mbajtur.

Në të njëjtën frymë, tek seksioni i “Procesverbale për konsultimet publike” del një nënseksion “Vlerësimit Strategjik Mjedisor” që nuk përmban asnjë Vlerësim Strategjik Mjedisor, asnjë procesverbal, asnjë rekomandim apo datë, por veç një kopje të prezantimit në Power Point të Bashkisë për Planin e Përgjithshëm Vendor, të ndarë në pjesë.

Sipas Ligjit mbi Njoftimet dhe Konsultimet, Bashkia Tiranë duhet edhe të publikojë një raport mbi trasparencën, ku të përmblidhen dëgjesat e shpallura, me afate të dukshme, shoqëruar me gjithë procesverbalet përkatëse dhe rekomandimet.

Ajo që gjendet është një material prej dy faqesh, ku Bashkia shpjegon sipas leverdisë së saj si zbatohet Ligji për konsultimet dhe mburret që i është përmbajtur me përpikmëri, duke theksuar se vetëm për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor ka organizuar rreth 100 dëgjesa, të cilat është e kotë të thuhet që nuk ka marr mundimin t’i dokumentojë. Me pak fjalë, duhet t’i besojmë fjalës së Bashkisë. Propaganda e Bashkisë kap majat kur shpall se cilat janë mënyrat për të ndikuar ligjbërjen dhe politikat publike. Mesa duket, Bashkia e konsideron veten edhe organ ligjvënës.

Bashkia Tiranë gjithashtu nuk arkivon me procesverbal mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe asnjë informacion mbi debatin apo mënyrën se si votohet aty nuk i serviret qytetarëve. Si rrjedhim, ata përballen me vendime arbitrare si rritja e fundit mbi çmimin e ujit, vendim i kundërshtuar gjerësisht, i miratur me procedura joligjore, ku disa grupe interesi nuk u pranuan të merrnin pjesë në mbledhje, as pas paraqitjes së kërkesës. Përveç kësaj, rregullisht bëhen publike ankesa nga këshilltarët e opozitës mbi njoftimet e vonuara për mbledhet e radhës, që fillojnë nga 30 minuta para zhvillimit të saj deri në rastet flagrante kur njoftimi bëhet pasi mbledhja është mbyllur.

Pra, Bashkia Tiranë nuk shkëlqen as në informimin sipërfaqësor të qytetarëve dhe fatkeqësisht, sipas ligjit, prania e Kryetarit të Bashkisë përditë në mediat sociale e TV, nuk kualifikohet si informim. Përkundrazi, ajo në të gjitha rastet është përdorur për të fshehur manipulimin e qytetarit dhe abuzimin me dhjetëra projekte, si:

Për projektin e Pazarit të Ri nuk është bërë asnjë dëgjesë me publikun

Ndërtimin e inceneratorit në Shijak, ku megjithëse pretendohet të jenë mbajtur 2 dëgjesa në të njëjtën ditë, njoftimi për to nuk gjendet askund dhe është mohuar nga banorët, që protestuan mbi ndërtimin e tij. Rrjedhiisht, nuk ekzistojnë as procesverbalet apo rekomandimet.

Projekti i stadiumit të ri, që jo vetëm filloi të zbatohej pas asnjë dëgjesë publike, por pa leje, bazuar në promo – video dhe jo në projektin teknik që kërkohet, por nuk ekziston; me procedura të shpejta e të fshehta.

Projekti i ndërtimit të atij që Bashkia e quajti “thjeshtë një park për fëmijë” në zonën e liqenit artificial, që thyeu çdo ligj të mundshëm për zbatimin e një projekti me pasoja në mjedis: projekti nuk u bë publik, nuk u zhvillua asnjë dëgjesë, nuk u mor asnjë rekomandim, në daljet televizive Bashkia mashtroi hapur, nuk kishte një leje mjedisore kur nisi punimet, Bashkia nuk pranoi as pezullimin e perkohshëm të punimeve për të diskutuar me qytetarët që protestuan.

Projekti i ndërtimit të Sheshit Skënderbej vuajti nga të njëjtat shkelje, megjithëse në një nga fashat e tij rrethuese promocionale shpallej se ishin bërë plorë 214 dëgjesa. Asnjë gjurmë e tyre nuk gjendet kurrkund.

Nisma për zbatimin e Ligjit “Mbi administrimin e bashkëpronësisë” u trajtua si një projekt dashamirës i Bashkisë nga kjo e fundit dhe jo një detyrim ligjor i saj. Mënyra se si “u informua” publiku ishte e personalizuar, ajo nuk zbatoi asnjë afat ligjor mbi njoftimin dhe mbajtjen e dëgjesave. Bashkia nuk publikoi asnjëhërë ligjin e plotë në faqjen e saj apo t’i referohej atij, që qytetarët të mësonin edhe të drejtat e tyre. Përkundrazi, ajo e marketoi si “zgjedhje të administratorëve të ndërtesave” me qëllim zgjidhjen e konflikteve mes banorëve, kur ligji është më i gjerë se aq dhe Bashkia nuk ka asnjë kompetencë në zgjidhje konfliktesh. Sipas ligjit, atë nder e ka gjykata.

Theksojmë se edhe në dëgjesat e kufizuara që Bashkia ka kryer, nuk ka publikuar asnjë relacion teknik paraprak të projekteve, as ka vënë shpallje për rekomandime, ndërkohë që njoftimi për mbajtjen e tyre është bërë jashtë çdo afati. Pra, një numër i vogël qytetarësh, shumica militantë, janë ftuar të japin mendimin e tyre pa patur mundësi të shqyrtojnë paraprakisht asnjë material, siç parashikohet.

Pasi nuk ka bërë dëgjesa, Bashkia nuk publikon asnjë tabelë informuese mbi veprimet që do të kryhen në zonat e zbatimit të projekteve, afatet, fillimin dhe mbarimin apo kostot e përfshira. Mënyra e saj e preferuar për të bërë trasparente punën e saj është nëpërmjet video-ve të trasmetuara në rrjetet sociale nën siglën “Çdo ditë një punë”, ku i njëjti projekt reklamohet disa herë si një punë e re që ka bërë Bashkia.

Ironikisht, mendojmë se nisma e mësipërme raportuese, megjithëse në parim duhet të nxis informimin dhe trasparencën e autoriteteve, është treguar po aq pak trasparente vetë.

Si përfundim, vlerësojmë se raportimet mbi trasparencën e institucioneve duhen bërë të plota dhe të kenë në fokus matjen e informacionit që qytetari merr nga institucioni bazuar në të drejtat e sanksionuara me ligj. Raportet, të cilat zbatojnë një qasje të mangët me qëllim shpërblimin e bashkive për shkak se kanë zbatuar një gjysmë ligji në kufijtë më minimal të mundshëm, nuk i shërbejnë askujt./exit.al



2 Comments

  1. Mos u lodhni shume. Zonja qe drejton Olaf Palme ne Shqiperi eshte gruaja e mikut te Erionit, Arbit, Klotildes (Denisi). Por Plejada nuk e ka ndryshuar mbiemtin. Dhe ca si Gerti Shella per hire te fondeve qe marrin bejne kompromis dhe me djallin. I japin Erionit cmim. O zot ku po shkojme. Jemi me keq se 20 vite me pare. Paret e donatoreve per transparencen u ben aparatente dhe makina per drejtuesit e OJF.

  2. Hahahah transparence, ne cdo kronike qe behet be lajme thuhet ne materialin e sjelle nga bashkia tirane dhe delet media e postojne dhe delet njerez e besojne, ky artikulli juaj lapsi me duket si nje pordhe ne mee te diskos

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *