• |
ide | kryesore

Ekskluzive/ Zbulohet mesazhi që Moisi Habilaj i ka çuar Ramës për Tahirin

Pikante

Shumë i dashur shefi i madh,

U mendova gjatë për të dërguar këtë letër të fshehtë përmes njeriut tënd të besuar, Don Anxhelo, nga dyzimi i madh se mos të prishja punë. Unë kam qenë dhe do të mbetem një votues i yti dhe do ta vazhdoj ta bëj këtë për sa kohë ti të kesh përballë atë katilin që i veshi me të zeza nënat e qytetit tim. Edhe për këtë dua të të vij në ndhmë. Prandaj, pavarësisht se hezitova gjatë të lija një dokument me shkrim, përsëri mendova ta bëj këtë duke qenë i bindur se do të ndihmoj.

Ashtu sikurse mund ta marrësh me mend zhgarravitja mbi letër nuk është zanati im. Ka punë të tjera që di ti bej shumë më mirë se kaq. Por jam i sigurtë se kjo letër do të të ndihmojë në këtë ditë të keqe. Kam edhe një arsye personale se përse po përpiqem të të ndihmoj. Kur ai kulishi që megjithëse e dija që po më ndiqte, e fala dhe nuk ia këputa kokën, ai Zagan fundërrina, më denoncoi për herë të parë me emër, ti organizove gjithë atë konferencë të madhe, nuk le kaur që nga Amerika e deri në Bruksel pa thirrur aty, për të kopanisur atë dhe për të më mbrojtur mua.

Rrofsh o vëlla se robt e mirë në ditë të vështira duken.

E kështu pra vendosa të të dërgoj me Don Anxhelon disa fjalë që besoj se do të të shërbejnë.

E para rri i qetë. Ti nuk ke asnjë foto apo implikim me mua apo me njerëz të fisit tim. As unë dhe as ti s’e kemi pasur atë fat të pijmë nga një gotë dhe t’i themi shoshoqit faleminderit në sy. Askush nuk mund të të shantazhojë me këtë.

E kam pasur pengun e jetës këtë gjë. Shepesh kur udhëtoja natën, mes errësirës së Jonit për në Itali, mendja më shkonte se mos ai Saimiri ishte aq xheloz sa nuk donte të na afronte dhe ne me ty.

Teksa merresha me punët e mija, shpesh mendoja se si ka mundësi, të gjithë njerëzit e sërës time mburreshin se qenë ulur me ty, edhe Visi, edhe Marku edhe Qifka edhe Prengu edhe Tinka, të kishin parë dhe prekur nga afër. Dhe unë i thosha vetes: po ti o i uruar çfarë ke më pak se ata? Lekë di të fitosh, vota di të rrëmbesh, pse të mos të afrojë edhe ty shefi i madh?

Dhe prapë fajin ia vija atij kushos tim. Ndoshta nuk të ka thënë gjë as për dhuratat, as për ato që kemi dhënë në fushatë… E kam peng këtë… se më duket sikur na kanë vajtur kontributet kot. Por megjithatë fakti se atëherë, kur ai miu i gjirizeve që fshihet në Zvicër na denoncoi, ti si një burrë i vërtetë na mbrojte. Kjo më bën të ngushëllohem e të them se fama e kontributeve tona ka arritur deri në veshin tënd.

Por tani këto s’ kanë rëndësi. Tani këtu në qelinë time në Katania mendoj se qe më mirë që u bë kështu. Tani askush nga birbot e Saliut s’mund të më përdorë mua për të të goditur.

Ah se harrova edhe një gjë. Edhe para pak javësh kur erdhe në Vlorë, kur tentova të të paguaj atë drekën pa rënë në sy, doli dikush që u tregua më i shkathët se unë. Tani them falë zotit. Edhe atë gazetaren bukuroshe që e nxorri këtë fakt në Opinion e sistemuam, nuk do të flasë më për këtë sekret. I shkoi mesazhi asaj dhe do të heshtë këtej e tutje.  

Kështu pra, fli i qetë vëlla, ti nuk je i rrezikuar as nga unë, as nga fisi i nderuar i Habilajve.

Mesazhi i dytë që po të përcjell me Don Anxhelon është ai për Saimirin. Ti e di, megjithëse ndonjëherë nuk binim dakord për ndonjë pazar të vogël, ai mbetet burazer e shkuar burazerit për mua. Na ndihmoi që në fillim kur bëtë ato zhurmat për t’i dhënë fund marrëzisë. Pastaj na hapi të gjitha dyert në Vlorë. Na e solli si qingj kur ia kërkuam drejtor policie Jaeld Çelën. Ah ç’u ka bërë parcelave me hashash ai! S’u la një bimë për be në këmbë gjithë konkurrentëve tanë. Është e vërtetë, e kishte emrin si çifut, i tillë qe dhe në pazar, e kishte dorën e rëndë, por po të bije dakord, s’të hynte më gjëmb në këmbë pastaj.

Eh ç’kemi bërë në atë komisariat kur drejtonte ai. U kompletuam edhe me dashnore, s’lamë grua të martuar dhe beqare në këmbë. Përveç punëve që shkonin vaj…

Por megjithëse unë e dua dhe s’ia harroj kurrë kushos tim gjërat që ka bërë për ne, për ty e kam një porosi. Mjaft e mbajte, duhet ta shesësh. Do t’i dalin edhe gjëra të tjera vëlla.

Ai nuk është si rasti yt. Ai ka ndenjur me ne dhe këta maskarenjtë këtu në Itali, dhe ata prokurorët zara të Saliut atje kanë edhe gjëra të tjera për të. Më njoftoi Don Anxhelo për ato që të tha ai Adriatik Llalla atë ditë në zyrë. Shumica janë të vërteta. Nuk e mbron dot ti më kushon tonë. Lëshoje se do mendojmë ne për të. Mos u digj edhe ti për ne se dhe ne jemi më mirë kur të kemi ty aty.

E di që kur t’i dëgjosh këto fjalë si burri- burrit do jesh në vështirësi. Kam dëgjuar. Të paktën kështu thontë njerëzit si unë që ke mbajtur pranë, se ti je njeri i besës dhe nuk i shet kurrë miqtë dhe bashkëpunëtorët. Që nga koha e bashkisë, as ke tradhëtuar e as ke dorëzuar njeri. Por Saimirin nuk e shpëton dot, lëshojë vëlla që të të shpëtojmë ty.

E treta që desha të të them janë ato që kam dëgjuar këtu në qeli. Ti e di më mirë se unë se në burgje ka më shumë informacione sesa në shërbimet sekrete. Dhe këtu thuhet (më të detajuara gjërat ia thashë gojarisht Don Anxhelos) se këta pepinot maskarenjtë paskan bashkëpunuar me gjermanët për të në kapur ne. Tamam si në kohë të luftës kur luftonin bashkë kundër partisë sonë. Dhe në këtë luftë ata nuk kanë përgjuar vetëm çetën tonë.

Jo jo kanë punuar shumë edhe me Durrësin. Dalin përgjimet ibret në Durrës. Shumë më keq se tonat. Edhe ai miku yt i shkurtër edhe ai i gjati që ke në qeveri dalin zbuluar. Po keq fare po të them byrazer. Prandaj laj duart me ta sa më parë. Këtu thonë se as Elbasani nuk është më mirë. Ata po përgjohen njësoj si ajo banka që e keni përdorur këto kohë për transferta parash. Bomba të tjera priten të shpërthejnë. Po ta them që ta dish, nga këto duhet të ruhesh.

Ja, këto më bënë që t’i hyj këtij stërmundimi të madh që e kisha haruar që nga tetëvjeçarja dhe të të shkruaj. Se e di që sa ke pasur mundësi na je gjendur në ditë të keqe dhe ndaj edhe ne, megjithëse tani jemi keq për vete, e kemi detyrim të mendojmë edhe për ty.

Se jeta është e gjatë. Burgu për burrat është. Një ditë kur të dalim që këtej do të doja të të takoja vërtet sy më sy. Të rrinim e të bisedonim. Ndoshta do të jemi më pleq atëherë. Ndoshta ti siç ke thënë do të shkosh e mbyllesh në Vuno. Me rrugët që do bësh deri atëherë, shtëpia jote nuk do jetë as një orë larg nga Babica. E do vimë të piqemi e të kuvendojmë. Ti do të pikturosh dhe unë do të shikoj. Dhe të betohem se po të më kenë lënë para në xhep këta birbo prokurorë, do t’i blej një nga një të gjitha punët e tua. Edhe ato poçet e baltës. Se e di o vëlla, tani dynden të t’i blejnë të gjithë. Por kur të vijë ajo kohë vetëm miq si unë do të të mbeten.

Të paçim shef i madh…            

*Shume fakte dhe referenca te kesaj historie perkojne me ngjarjet dhe bemat reale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu