• |
ide | kryesore

Nuk ndërtohet stadiumi me gjakun e Jasharajve

Blog



Njësiti i urrejtjes i PDK-së mund të trimërohet: marshon hap më hap me njësitin e Putinit.

1.

…dhe Teatri e Opera në Skenderaj.

Kaq ishin, tri pika dhe gjashtë fjalë të shkruara në Facebook të dielën që nxitën një ortek fyerjesh, urrejtjesh dhe kërcënimesh ndaj meje, një të tillë që nuk kisha lexuar prej kohësh. Fillimisht qe pronari i një portali të afërt të PDK-së (në analogji me Breitbart News në Amerikë mund të quhej Berbat News) që alarmoi popullatën se Veton Surroi po tallet e po e ofendon Drenicën, e pastaj një gazetare e sapoaderuar në PDK këtë e quajti “mendësi me nuanca të shprehura të fashizmit, të një ‘qytetari’ racist e primitiv”.

Nuk kishte nevojë për të treguar se ku u gjet fashizmi, racizmi dhe ofendimi i Drenicës në ato tri pika dhe gjashtë fjalë; kishte nevojë të bëhej me gisht kah armiku. Dhe meqë bënë me gisht kah armiku, në postimin tim në Facebook filluan fyerjet personale, familjare, kërcënimet me plumb, thirrja që të ringjallet Avni Rrustemi. M’u dha shpjegimi se Drenica ka derdhur gjak, se aty u flijua Hamëz Jashari dhe se nuk do të realizohet ëndrra ime e kamotshme që Stadiumi olimpik i Kosovës të ndërtohet në Kralevë. Dhe, po, shumë më shpesh se herëve të tjera u shpreh dëshira që jeta ime të përfundojë sa më shpejt, natyrisht jo me këso fjalësh të përzgjedhura.

Në fakt, në atë derdhje urrejtjeje fjalët vinin falas: fashist e racist ishin epitete tashmë të etabluara, dhe familja Jashari ishte simboli që duhej të mbronte besueshmërinë e sharësve.

Në Facebookun që funksionon me rregulla algoritmi, aplikova një rregull timin: nëse mbërrij të fshij më shumë komente të urrejtjes se ç’shkruhen, do ta mbaj të hapur postimin. E mbylla.

2.

Arsyeja e mbylljes, pos asaj evidente praktike (pse të mbash të hapur një postim ku çdonjëri me llogari Facebooku mund të të shajë e kërcënojë) ishte ngase m’u vërtetua i suksesshëm, ndonëse me rezultat dëshpërues, testimi i një fenomeni të ri të sferës publike në Kosovë, kontaminimi i thellë i saj. Sfera publike, në kuptimin që i dha filozofi dhe sociologu gjerman Jurgen Habermas është hapësira e dialogut që gjeneron opinione dhe bindje që shërbejnë për të kontestuar a drejtuar çështjet shtetërore. Me të, me debat e opinion, legjitimohet autoriteti në çfarëdo demokracie funksionale”.

Sfera publike në Kosovë, si çdo gjë publike, është aty për t’u “zap’ue”. Postimi im “…dhe Teatri e Opera në Skenderaj” u denjua me dy komente që shpjegonin se si në Skenderaj ka artistë, rrjedhimisht do të ishte e natyrshme që aty të ndërtohen këto salla, dhe me qindra komente të tjera që tashmë ishin asortiment fyerjesh e sharjesh, një valë rrugaçërie e digjitalizuar.

Shikuar nga këndi i Habermasit, kjo valë komentesh prej rrugaçësh nuk ishin aty për të debatuar në duhet a jo të jetë salla kombëtare e Teatrit dhe Operës në Skenderaj. Ato ishin aty për të treguar se debati lidhur me çdo gjë që mund të jetë në interes të njërës apo tjetrës komunë, Drenas a Skenderaj, nuk është për sferë publike. Nuk ka nevojë për debat, pra sipas një interpretimi analog të Habermasit, nuk ka nevojë të legjitimojë kurrfarë autoriteti. Autoriteti tashmë është i legjitimuar, me gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe çfarëdo përpjekjeje për të krijuar sferë publike është akt tradhtie, si ajo e Veton Surroit.

3.

Fillimi racional i debatit mund të ishte ky: meqë Stadiumi olimpik si projekt politik kërkohet të ndërtohet në Drenas, është e logjikshme që salla e re shtetërore e Teatrit dhe Operës të kërkohet të ndërtohet në Skenderaj.

Dhe këtu nuk do mend se ka argumentim kryekëput politik. Në një demokraci është krejt e natyrshme që një kryetar komune të kërkojë që një projekt madhor të ndërtohet në komunën e tij; u bën mirë qytetarëve të komunës, i bën mirë karrierës së tij politike. Pra, krejtësisht legjitime që kryetari i Drenasit ta ofrojë komunën e vet për stadium dhe ai i Skenderajt, meqë bën me projekte politike, të veten për sallën e Teatrit e Operës.

Por në sferën publike nuk bëhet debat racional. As edhe një komentues në postimet e mia nuk bëri një konstatim të thjeshtë racional, si për shembull: Drenasi ka një pozicion të volitshëm sa i përket komunikacionit rrugor, Asambleja Komunale do të japë tokën falas dhe do t’i lirojë bizneset nga tatimi për kaq vjet, e argumente të ngjashme.

Ndoshta pse debati racional do të nxirrte edhe komuna të tjera që kanë pozicion po ashtu të mirë, me oferta edhe më të volitshme. Për shembull, Malisheva mund të theksonte me të drejtë se është komuna më qendrore e Kosovës dhe Asambleja Komunale mund të ofronte që gjysmën e mjeteve për stadium do t’i siguronin nga investimet private që i janë zotuar Komunës… Dhe, kështu me radhë…

Ndoshta pastaj pse debati do të nxirrte në pah një arsyetim po ashtu legjitim, që Stadiumi dhe Teatri e Opera duhet të jenë pjesë e kryeqytetit.

Por, jo. Argumentimi ishte, kur pastrohet gjuha nga banalitetet, se Drenasi meriton stadium, Skenderaj Teatër e Operë, madje edhe të bëhet kryeqytet, ngase prej vitit 1945 ata që janë kundër stadiumit dhe operës në Drenicë jo vetëm janë tallur me të, por edhe e kanë lënë të pazhvilluar. E edhe po të mos ishin këto arsye Drenica e meriton, sepse aty u vranë Jasharët dhe po të mos ishte Drenica, sot statuset në Facebook do t’i shkruanim serbisht.

Ky argumentim në fakt është ftesë që të mos ketë sferë publike. Nëse ideja bazike është se gjaku i Jasharëve duhet të materializohet në stadium e opera, atëherë nuk ka debat dhe është në vazhdimësi të arsyetimit për materializim të gjakut me tenderë, gurëthyes, vjedhje votash, kapje të shtetit dhe çdo mbrapshtësi tjetër. Natyrisht, është dhe do të ishte ofendim për martirizimin e pashoq të familjes Jashari.

Dhe gara e viktimizimit është sa e pafund, aq edhe pafundësisht ofenduese për viktimat. Nëse kriter për ndërtim të Stadiumit apo Teatrit dhe Operës është numri i të masakruarve, fshati Krushë dhe ai Mejë do të mundë të kandidonin menjëherë.

(Ah, dhe një detaj: në tërë atë zallamahi nuk i ra ndërmend kujt se Komuna e Skenderajt nuk ka kërkuar që të jetë nikoqire e sallës kombëtare të Teatrit dhe Operës. Faktet nuk ishin të rëndësishme, ishte me rëndësi se Veton Surroi është armik i popullit)

4.

Një lajm i mirë dhe një lajm i keq.

Lajmi i mirë është, nëse mund të quhet kështu, se nuk jemi vetëm, se një dhunim i këtillë i hapësirës publike po bëhet në SHBA. Tashmë është vërtetuar nga FBI-ja dhe nga pjesë të tjera të komunitetit të inteligjencës, se Rusia e Putinit e përdor Facebookun për të “zap’uar” një pjesë të sferës publike, me qëllime krejtësisht të identifikueshme prej Habermasit para 50 vjetësh, pra “për të legjitimuar autoritetin në çfarëdo demokracie funksionale”. Njësiti sekret rus për rrjete sociale, pra, hyri në sferën publike amerikane me faqe të rreme Facebooku dhe llogari identitetesh të këtilla, dhe u përpoq, me sukses të dukshëm, që të anojë debatin publik nga fitorja e Donald Trumpit. Pra, përdori mjete jolegjitime dhe jolegale për të legjitimuar një autoritet në demokraci funksionale.

Lajmi i keq është se Njësiti i PDK-së (apo i një pjese të saj) që merret me zaptimin e sferës publike është treguar i aftë të shkojë hap më hap me atë rus, ndonëse me një gjuhë dukshëm më vulgare dhe me mungesë sofistikimi të demonstruar prej rusëve. Dhe sikur rusët, edhe këta kanë prodhuar një numër profilesh të rrejshme, por, dhe ky është lajm edhe më i keq, një numër shumë i madh i profileve është i vërtetë.

Sfera publike e ndotur prej atyre që më të paktën e kanë sharjen e të rëndomtin kërcënim me vdekje tash nuk është e anonimëve. U përket (kryesisht) djemve të rinj që kanë vende pune, janë studentë dhe përfitues të një forme qeverisjeje, e cila ka “zap’uar” dhe i ka bërë pjesë të “zap’imit”.

5.

Ndoshta duket e kotë, por në këtë hapësirë të pakontaminuar publike mund t’i sugjeroja Njësitit të urrejtjes të PDK-së ta lexojnë librin tim të fundit “Gorillat që s’i pamë”. Aty do ta shohin veten. Jo në pjesën ku unë shkruaj për masakrat që iu bënë familjeve në Drenicë, por në pjesën që ka të bëjë me amnistimin shoqëror që u bën Serbia atyre që bënë masakra në Drenicë, gjeneralëve Dikoviq dhe Lazareviq. Aty përshkruhet e pasvërteta, sfera publike ku gjallëron me efikasitet edhe Njësiti për urrejtje.

KOHA.NET /Titulli origjinal: Opera e Skënderajt



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *