• |
ide | kryesore

Reportazh i NYT/ Zbulohet agjenti sekret në ndeshjen Partizan i Beogradit – Skënderbeu

Kryesore



Nga Andrew Keh

Kur shkoi ora ai mori telefonin e tij, u ul në divanin e hotelit dhe i ra numrit. “Po, përshëndetje! Të telefonoj nga FARE” – i tha duke përmendur emrin e një rrjeti me bazë në Londër që lufton kundër diskriminimit në botën e futbollit. “Desha t’ju informoj se unë do të jem vëzhguesi në ndeshjen e sotme në Beograd. Kemi bërë disa kërkime. Sigurisht, të gjithë e dimë që është një ndeshje me rrezik të madh…”
Ndeshja në fjalë që do të niste disa orë më vonë ishte ajo e Europa League e mbajtur të enjten mes Partizanit të Beogradit të Serbisë dhe Skënderbeut të Shqipërisë.

Personi në anën tjetër të telefonit ishte delegati i UEFA-s i përcaktuar të mbikëqyrte situatën në stadium. Të ashtuquajturat rreziqe? Janë të shumta që nga mundësia e shfaqjes së racizmit, ekstremizmit politik dhe homofobisë. Dy javë më parë, të njëjtat skuadra ishin përballur në Shqipëri dhe UEFA që qeveris futbollin në Europë kishte shkruar një raport ku dokumentoheshin “sjellje raciste” dhe “kore të ndaluara” nga tifozët e Skënderbeut duke e gjobitur atë me 70 mijë dollarë.
Në atë hotel javën e kaluar, pak orë përpara ritakimit mes skuadrave në Serbi, personi i FARE e mbylli telefonatën dhe nisi të përgatitej për t’ju drejtuar Stadiumit të Partizanit.

Do të punonim atë natë si vëzhgues anonimë, si dhjetëra të tillë të trajnuar nga FARE për të regjistruar gjithçka, nga flamujt dhe banerat te koret dhe sloganet që meritonin ndëshkim për shkak të thyerjes së rregullave të UEFA-s. Që nga viti 2013, FARE ka montuar qindra ndeshje çdo vit në Europë, në fshehtësi dhe me bekimin e UEFA-s aty ku përballen dy klube dhe ku incidentet janë të mundshme.

Puna e FARE është bërë më këmbëngulëse dhe influencuese vitet e fundit si nevojë për të eliminuar diskriminimin nga stadiumet e futbollit ku ka njohur rritje në mënyrë urgjente. Verën e ardhshme në Rusi, vëzhgues sekretë të FARE do të ndjekin për herë të parë çdo ndeshje të Kupës së Botës.
Të enjten iu bashkova një vëzhguesi të FARE në Beograd për të parë nga afër si funksionon ky sistem. Vëzhguesi më kërkoi që identitetin e tij ta mbaj sekret në mënyrë që ai të vazhdonte këtë punë.

Sot FARE numëron rreth 240 vullnetarë në të gjithë botën. Të enjten ata ishin edhe në 5 stadiume të tjerë në ndeshjet e Europa League në Kroaci, Republikën Çeke, Itali, Rumani dhe Rusi. Por ndeshja e Serbisë ishte një nga ato që zyrtarët e FARE e shihnin me më shumë kujdes.
“Ti nuk e di asnjëherë se çfarë ata kanë përgatitur për ndeshjen” – më tha vëzhguesi për tifozët ndërsa po bënte gati një kamera të fuqishme për të fotografuar dhe filmuar edhe në cepin më të largët të stadiumit.

Futbolli në Ballkan, i çdo niveli është i lidhur në mënyrë të pandashme me identitetin kombëtar dhe kjo ndeshje nuk mund të jetë ndryshe. Tensionet etnike janë ende të larta mes disa vendeve. Trashëgimia e luftërave brutale civile në këtë rajon gjatë viteve “90-ës dhe ajo që ndodhi pikërisht në stadiumin e Partizanit të Beogradit 2 vjet më parë në ndeshjen mes kombëtareve të Serbisë dhe të Shqipërisë është një shembull se gjithçka mund të shpërthejë.

Ajo ndeshje përfundoi në kaos kur një dron me një flamur nacionalist shqiptar u ngrit mbi fushën e futbollit. Kur futbollistët serbë e ulën poshtë u ndez një sherr në fushë dhe jo vetëm mes skuadrave, pasi fusha u pushtua nga tifozët. Muajin e kaluar kur Partizani dhe Skënderbeu luajtën në Shqipëri një vëzhgues i FARE regjistroi tifozët vendas të këndonin: “Serbët duhen vrarë, shkatërruar dhe therur”. Si rezultat i dokumenteve të FARE, UEFA vendosi gjobën prej 70 mijë dollarëshe për Skënderbeun dhe luajtjen pa tifozë të ndeshjes së radhës.

Vëzhguesi i së enjtes e kishte këtë ndeshjen e tij të 21-të. Në fillim, duhet të telefononte dhe të njoftonte delegatin e UEFA-s për praninë e tij. Pas ndeshjes duhet të hartonte një raport të plotë që do ta dorëzonte te shefat e tij. Ishte një student i diplomuar në mesin e të 20-ave që kishte veshur pantallona sportive dhe një xhaketë duke ndjekur urdhrat e FARE për tu bashkuar me turmën. Vëzhguesit shmangin veshjen e kostumeve për shembull të “New Balance”, pasi “N”-ja e tyre mund të ngatërrohet me “N”-në e nazistëve.

“Ti përpiqu të sillesh normalisht” – më tha: “Nuk jemi nga CIA”.
Gjithsesi vëzhguesit duhet të jenë vigjilentë. Tifozët në shumë vende, të nevrikosur me skuadrat e tyre që janë mundur janë përpjekur të sulmojnë edhe vëzhguesit e FARE gjatë ndeshjeve. Pak vite më parë në Poloni, njërit prej tyre iu desh të njoftonte policinë pasi u identifikua dhe ishte duke u përballur me turmën e tifozëve pas ndeshjes. Vëzhguesi lëvizi me kujdes duke iu bashkuar turmës së tifozëve jashtë stadiumit duke vënë re për shenja për trazira të mundshme. Por gjërat dukeshin të qeta. Tifozët ishin duke zënë vendet e tyre në stadium.

Forcat e policisë të veshura me armët e tyre të trupit që kishin zënë vend në fushë dukeshin të mërzitur. “Mos harro të qeshësh” – më tha vëzhguesi duke më përsëritur këshillën e tij: “Supozohet që ne të jemi turistë normalë. Jemi këtu për tu kënaqur”. Situata po ngrohej edhe në stadium. Atmosfera gjithsesi dukej nën kontroll për shkak të masave të marra që më herët. Për shkak të kërkesave të vazhdueshme nga UEFA, klubi vendas kishte marrë masa te tifozët. Klubet kishin rënë dakord më herët që të mos udhëtonin në stadiumet respektive. Sigurisht rreziku ishte në shkallët jugore të stadiumit ku qëndrojnë tifozët e “Grobari” apo “Varrmihësit” të cilët njihen si të dhunshëm.

Monitorimi i një ndeshjeje kërkon një kujdes të veçantë. Gjatë gjithë mbrëmjes vëzhguesi i hidhte një sy lojës në fushë duke bërë edhe ndonjë foto apo duke brohoritur për skuadrën vendase. Më pas ai e hidhte vështrimin te tifozët ultras. Menjëherë ata nxorën një baner ku shkruhej “Rojet e jugut” me një “O” të zëvendësuar nga një kryq kelt, një simbol i përdorur edhe nga neonazistët për të treguar supermacinë e racës së bardhë. Tifozët e së enjtes megjithatë e kishin mbuluar kryqin me ndonjë ngjitës, por vëzhguesi e injoroi. Më tej një baner me një kafkë, por edhe ai nuk përbënte problem. Kjo pasi këtë verë u publikua një “Guidë globale e gjesteve diskriminuese në futboll” e cila ka 75 faqe me simbole fyese nga e gjithë bota.

Pak minuta përpara nisjes së ndeshjes së të enjtes ultrasit e Partizanit shpalosën një baner të madh me figurën e Lazar Hrebeljanovic, një udhëheqës serb i vrarë në vitin 1389 në Betejën e Kosovës ndërsa përballej me ushtrinë otomane. Ndërsa ajo shpalosej serbët nisën të këndonin edhe një marsh të vjetër lufte.
Ishte një lloj shfaqjeje e vendasve për të treguar se mbizotërojnë në politikë, histori dhe kulturën vendase. Vëzhguesi vuri re se kjo kishte për qëllim të provokonte shqiptarët, por nuk e kalonte cakun e diskriminimit.

“Është provokative, por nëse nuk mbështetet me një mesazh tjetër atëherë nuk mjafton” – tha Pavel Klymenko, koordinator i Programit të vëzhgimit FARE i pyetur për flamurin. “Ne do ta raportojmë atë që ne mendojmë se ajo përfaqëson, por në terma ligjore ne duhet të provojmë cili është qëllimi i tij, çfarë motivi ka dhe si janë ndier viktimat nga kjo”.

Klymenko sjell një shembull konkret të asaj që thotë: “Këtë verë tifozët e Yllit të Kuq të Beogradit, kundërshtarët e Partizanit nxorën një baner të madh, nisën të këndonin dhe bërtisnin fyerje homofobike. Një vëzhgues i FARE e regjistroi këtë dhe Ylli i Kuq u dënua nga UEFA me një mbyllje të pjesshme të stadiumit. Një muaj më vonë të njëjtë tifozë përdorën të njëjtin baner dhe të njëjtat kore, por duke përdorur frazën “murtaja e bardhë” që në Serbi i referohet një pjese të njerëzve që kanë probleme me fertilitetin. Ishte qartësisht një shfaqje homofobie, por vetëm pse shprehja ishte pak ambigue dhe e pakuptueshme UEFA nuk u dha asnjë dënim”.
“Ndonjëherë mërzitem nga ideja që mund të bëj një punë të tillë në shekullin e 21-të” – më tha vëzhguesi – “por kjo më motivon kur për shembull skema jonë e vëzhgimit jep rezultate”.

Në sezonin 2014-2015, FARE regjistroi incidente në 47 nga 113 ndeshje të marra në shqyrtim. Në sezonin 2015-2016 ishin 20 incidente në 188 ndeshje dhe në sezonin 2016-2017 janë regjistruar 25 incidente në 114 ndeshje të ndjekura. Të shmangësh sjelljet diskriminuese në futboll është vështirë, por ky është një hap i parë. “Të ndryshosh sjelljet e tyre do të kërkojë kohë dhe rrugë të gjatë” – thotë Klymenko. Frytet e parandalimit u panë edhe në ndeshjen e së enjtes mbrëma.

Ultrasit e Partizanit thirrën shprehjen: “Kosova është Serbi!” duke e përsëritur atë disa herë sa në një moment u duk sikur stadiumi po gjëmonte në një mënyrë “thirrje dhe përgjigje”. Por edhe kjo u anashkalua duke u konsideruar “e pranueshme” megjithëse hynte në shprehje politike. Përveç kësaj nuk pati më asgjë. Partizani shënoi nga një gol në çdo pjesë, minutat po i afroheshin fundit, vëzhguesi duket sa i habitur edhe aq i kënaqur që nuk ndodhi asnjë incident.

Me fërshëllimën finale të arbitrit turma bëri një thirrje euforie dhe lojtarët vendas e lanë fushën duke kënduar dhe duke kërcyer e duartrokitur. Pak minuta më pas ata u shfaqën sërish gjysmë të zhveshur dhe ngritën duart drejt tifozëve që vazhdonin të këndonin. Ishte një efekt “tablo” dhe vëzhguesi i FARE duke i kënaqur.
“Shikoji” – më tha: “Kjo është perfekte. Kjo është ajo që ne duam”.

Sapo lamë stadiumin ai i dërgoi një mesazh delegatit të UEFA-s të cilin e mori në telefon gjatë pasdites. “I dashur delegat. Nuk pati incidente për tu raportuar. Faleminderit për bashkëpunimin” – shkroi në të.
Pastaj u largua duke shmangur një tufë tifozësh që po përplaseshin me disa oficerë policie, për të kërkuar një taksi. /© Marrë nga New York Times, përgatiti LAPSI.al/

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *