• |
ide | kryesore

Misteri i vetëvrasjes së 18-vjeçarit/ Deklaratat kontradiktore të drejtoreshës dhe shokëve

Lajme, Të fundit



Drejtoresha e gjimnazit që frekuentonte 18-vjeçari Fatjon Feçi, që u hodh nga një urë sot në fshatin Qukës duke gjetur vdekjen, ndryshe nga shokët e tij të klasës, u shpreh se nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë apo ndryshim në sjelljen e tij.

Por shokët e klasës shprehen se ai papritur, para pak kohësh, filloi të shoqërohej me persona të tjerë.

“Nuk largohej kurrë nga orët e mësimit. Ishte i qetë. S’ka pasur konflikte dhe ne nuk kishim vënë re asgjë të dyshimtë apo të ndryshme në sjelljen e tij” – u shpreh drejtoresha e gjimnazit “Dilaver Nezha” për “News 24”.

Shokët e Fajton Feçit u shprehën se ai kishte ndryshuar shoqëri. Sipas një shoku të klasës, Fatjoni filloi të shoqërohej me dy djem të panjohur. Në këtë periudhë, ai filloi të bëhej edhe më agresiv. Për shokun e tij të klasës, vetëvrasja e Fatjonit mbetet mister. Sipas tij, 18-vjeçari nuk kishte pse të merrte një vendim ‘kaq të tmerrshëm’.

“E kam pasur shumë shok rrinim bashkë, hanim bashkë, i tregonim çdo gjë njëri tjetrit, mirëpo erdhi një kohë që ai nuk më fliste më. Filloj të bëhej agresiv edhe shumë i dhunshëm. Unë nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte kjo që ai bëri.

Ai filloi të shoqërohej me disa të panjohur që takoheshin vazhdimisht madje sot nuk e pashë në shkollë deri sa mora vesh lajmin që është hedhur nga ura. Unë e njoh Fatjonin edhe ishte tip i urtë, asnjëherë agresiv, nuk e kuptoj pse duhet të merrte një vendim kaq të tmerrshëm” – shprehet një shokë i klasës në shkollën e Mesme për “Dritare.net”.

Policia bashkë me hetuesit nuk gjetën shenja dhune mbi trupin e 18-vjeçarit. Megjithatë po hetojnë se cilat ishin shkaqet që e dërguan atë të ndërmarrë aktin fatal pasi ka dyshime të forta se ai është hedhur vetë nga ura. Për këtë qëllim po merren në pyetje të afërm dhe familjarë e të ndierit.

18-vjeçari Fation Feçi në vitin e tretë në gjimnazin e Qukësit u hodh sot nga ura 50 metër e lartë e Bushtricës duke gjetur vdekjen. Policia ende nuk e ka referuar ngjarjen në Prokurori. ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *