• |
ide | kryesore

Të gjitha shashkat që Rama u hodhi mediave për të fshehur Tahirin

Arkiva, Kryesore



Kur gazetarët u njoftuan se kryeministri do të prononcohej në oborrin e parlamentit të mërkurën e 25 tetorit, socialistët sapo kishin votuar kundër arrestimit të Saimir Tahirit. Me nxitim, u bënë gati për Ramën, secili duke menduar pyetjen që mund të nxirrte lajmin e ditës. Pa e ditur se lajmi i asaj dite, ishin ata vetë.
Pyetjen e parë e bëri Esiona Konomi e Report Tv: “Zoti Kryeministër, a jeni i bindur që keni marrë vendimin e duhur?” Rama as nuk denjoi t’i japë përgjigje. Ishte përgatitur t’u përvishej me sharje dhe ofendime personale që në fillim të deklaratës.
“Së pari, turp për të gjithë ju dhe për të gjithë ata si ju që ende nuk keni kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe vazhdoni torolisni miletin me këto pyetje pa pikë sensi”, ishte fjalia e parë e kryeministrit.


I ndërgjegjshëm se bllokimi i arrestimit të Saimir Tahirit do t’ia nxinte imazhin, Rama provokoi një debat që e nxinte shumë më pak. Më mirë të kishte përballë gazetarët, sesa Dritan Zaganin, Antimafian italiane apo prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Rrjetet sociale shpërthyen menjëherë nga reagimet e qindra gazetarëve të irrituar. Jehona e sharjeve të Ramës zgjati disa ditë dhe u mbyll vetëm kur gazetarët kuptuan se Rama i përdori me mjeshtëri. Përgjigjia më e mirë do të ishte të përqëndroheshin tek lajmi i vitit, kapja me presh në duar e Saimir Tahirit.
Por Rama nuk e la me aq. Në ditët në vijim, bombardoi opinionin me lloj lloj marifetesh, si e si t’i shmangte nga diskutimi emra si Saimir Tahiri, Moisi Habilaj, Dritan Zagani, kanabis, Antimafia italiane etj etj.

FADROMAT NE HIMARE
Natën e 30 tetorit, punonjësit e INUK u lajmëruan se do të udhëtonin drejt Himarës për të shkatërruar godinat që pengonin rehabilitimin e qytetit. Të nesërmen në mëngjes herët nisi aksioni. Pamjet e banorëve të Himarës që protestonin me flamur grek dhe dhjetëra forca të RENEA-s e bënë efektin në media. Deri në Greqi u fol për forcat speciale, përplasjen me banorët e Himarës dhe ndërhyrjen e Athinës zyrtare.

FJALORI BANAL NË PARLAMENT
Një ditë më pas, në parlament Rama e kërkoi dëshpërimisht debatin për Himarën. Evitoi sa mundi temën për Saimir Tahirin pavarësisht akuzave të forta që i erdhën nga Lulzim Basha. Kur kuptoi se opozita nuk do të binte në kurthin e diskutimeve për Himarën, goditi nga foltorja e kuvendit me fjalët “palikari” dhe “qirje”, që mbushën portalet dhe u përsëritën nga të gjitha televizionet.

12 PREFEKTËT QË DO LUFTONIN KANABISIN
Në 1 Nëntor, pasi mbaroi mbledhjen e qeverisë, Rama thirri përsëri gazetarët në kryeministri. Doli para kamerave me 12 burra e gra, që i kishte emëruar prefektë. Gjetja kësaj radhe, ishte se prefektët ishin ushtarakë në rezervë. “Roli i prefektëve të rinj merrte një dimension tjetër në luftën kundër kanabisit” ishin fjalët e Ramës… dhe kush mund t’a bënte më të besueshme luftën sesa ushtarakët?

TAULANT BALLA NË SULM PËR CEZ DHE GENTIAN KAPLLANAJN
Paralelisht me Ramën, nga Partia Socialiste janë sulur deputetët e PS-së. Për të kapur titujt e parë të mediave janë hapur tema dhe skandale të reja, ku kundërshtarët janë opozita dhe prokuroria. Taulant Balla akuzon prokurorinë për mbylljen e dosjes së CEZ, skandal në të cilin, thotë ai, është i përfshirë Shkëlzen Berisha. PS ka denoncuar edhe vendimin e KQZ-së për Agron Kapllanajn, kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës. Sipas socialistëve ai është i dënuar për vjedhje makinash dhe banesash dhe duhet shkarkuar në bazë të ligjit për dekriminalizimin.

THAGMA E PUSEVE ME MATES
“Dua t’iu bëj me dije se janë 270 mijë familje që sot nuk përdorin matës. Kjo nuk mund të tolerohet më dhe të gjithë duhet të legalizohen vetë pa penalitete. 25 mijë puse janë të hapura në Shqipëri, ku vetëm 265 kanë leje”. Kjo deklaratë e Ramës para pseudo- aksionit për ujin nuk ka nevojë për shumë koment. Tregon më së miri se nervozizmi është në kulm.

As dalja e Ramës me çitjane në rrugët e Fierit nuk bën çudi. Degradimi i mesazheve të kryeministrit në nivele qesharake, të kujton fjalimet e gjata të Berishës për mësimin e kinezçes në shkolla, pasionin për arrorët apo festimet për Kongresin e Lushnjës në 21 Janar.

Në ato kohë socialistët opozitarë tregonin një anekdotë, ku Berisha ishte në rolin e kapitenit të anijes: Një nga marinarët e lajmëroi me urgjencë se anija po fundosej: Kapiten, në anije është hapur një vrimë që fut ujë. Çfarë të bëjmë? Përgjigja e kapitenit ishte aty për aty: Hapni një vrimë tjetër!

Nga qeverisja Berisha ka kaluar shumë kohë. Por duket se anijet vazhdojnë të fusin ujë dhe kapitenët nuk gjejnë dot zgjidhje tjetër për t’i shpëtuar detit të skandaleve, veçse duke hapur vrima të tjera.©Përgatiti për Lapsi.al, Dorian Kodral



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *