• |
ide | kryesore

Dalin “Sekretet e Luftës”, të panjohurat historike të Shqipërisë nga Arkiva Britanike

Planet



Gazetari dhe studiuesi Erald Kapri promovoi dje librin Sekretet e Luftës, Shqipëria tjetër në dokumentet britanike, një botim që zbardh dokumente të panjohura për publikun shqiptar. Ky botim erdhi falë Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, i drejtuar nga historiani Uran Butka. “Sekretet e Luftës janë një përpjekje 4 vjeçare kërkimi dhe leximi të mëse 20 mijë faqeve dokumente të Arkivit Britanik. Janë përfshirë 150 dokumente dhe fotografi, të cilat japin një panoramë të plotë të ngjarjeve kryesore të luftës. Dokumente të zyrës së kryeministrit Çurçill, të ministrisë së Jashtme Britanike, të Ministrisë së Luftës, të Shërbimeve Sekrete dhe të SOE-s, zyrës speciale që ngriti kryeministri britanik për luftën në prapavijë”, tha Kapri.

Britanikët mbajnë në arkivin e tyre një dokumentacion thelbësor për të kuptuar luftën shqiptare. Ky botim ka të plotë shënimet e Çurçillit për Shqipërinë ku jepen disa të vërteta tronditëse. Në takimin më të rëndësishëm të shekullit të kaluar, Konferenca e Moskës, ku perëndimi ndau me Moskën influencë në Ballkan, Shqipëria u harrua.

“E keni menduar ndonjëherë se Enver Hoxha kishte kontakte me gjermanët dhe të kishte një marrëveshje me ta? Po që Stalini kërkonte që Mbreti Zog të mos shkelte më në Shqipëri? Po që britanikët vlerësonin lart figurat nacionaliste që zgjodhën të ngrinin një qeveri nën pushtimin gjerman? Këto dokumente janë pjesë e këtij botimi”, tha Kapri.

Prof.dr Romeo Guraguqi vlerësoi këtë botim. “Përmbledhja dokumentare, “Sekretet e Luftës, Shqipëria tjetër në dokumentet britanike”, e studiuesit Erald Kapri, është një botim shumë i rëndësishëm, që do të ndihmojë në kuptimin dhe saktësimin e ngjarjeve historike të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe viteve menjëherë pas saj. Erald Kapri është ndër njohësit më të mirë të Historisë së periudhës nga pranvera 1943 deri ne instalimin e plotë të diktaturës komuniste. Kaprin gjithashtu e vlerësoj si njeri, si një studiues serioz dhe bashkëpunues, të hapur për debat shkencor dhe te karakterizuar nga një mirësi e spikatur për kohën tonë. Botimi i këtij dokumentacioni, përbën një ngjarje të rëndësishme shkencore”, tha Gurakuqi.

Historiani Uran Butka dhe drejtori i Arkivit të Shtetit Ardit Bido vlerësuan botimin si një ngjarje e rëndësishme për historinë shqiptare. Deputeti Agron Shehaj, i cili është mbështetësi i Institutit “Lumo Skëndo”, tha se ky institutut do vazhdojë të mbështesë studiuesit shqiptar për të zbardhur të vërtetën historike, si një kontribut që i jepet shoqërisë shqiptare.

Gjatë promovimit morën pjesë personalitete të njohura të politikës shqiptare si kreu i opozitës Lulzim Basha, Ish presidenti Nishani, Princi Leka, historianë, studiues, gazetarë, etj.

Në vitet 43 dhe 44, 150 ushtarakë britanikë morën pjesë në misione në Shqipëri. Ata shpenzuan dhe dhanë shpërblime rreth 120 mijë monedha ari, që nëse i konvertojmë sot, janë mbi 30 milionë paund britanikë. Mbi 2300 tonë ndihma materiale ushtarake. Ndihma britanike përcaktoi fituesin në Shqipëri, sepse pjesën më të madhe të tyre e mori lëvizja komuniste.

Rasti shqiptar vijon të jetë ende i debatuar në historiografinë britanike. Si ndodhi që Britania financoi dhe mbështeti luftën guerile në Shqipëri nuk arriti ta përdorë këtë kapital? Pse Britania e Madhe nuk mundi të ndajë qartazi Shqipërinë nga blloku i lindjes? Dokumentacioni Britanik në këtë botim jep një panoramë të plotë të kësaj enigme historike.

Këto dokumente hedhin dritë për disa ngjarje që ende sot mohohen apo thuhen me gjysëm zëri. Në Shqipëri nuk ka pasur vetëm luftë nacionalçlirimtare, por ka pasur luftë, e madje edhe luftë civile. Kjo e pohuar nga dokumentacioni britanik i kohës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *