• |
ide | kryesore

Helmimi i nxënësve në Bulqizë/ Ministrja Nikolla gjen kohë të sulmojë Bashën

Lajme, Të fundit



Në reagimin e parë për helmimin e sotëm të 60 nxënësve në Bulqizë, Lindita Nikolla kritikoi Lulzim Bashën për qëndrimin e tij për ngjarjen dhe predikoi sjelljen korrekte të politikës në të tilla raste.

Duke u shprehur se fëmijët po marrin shërbimin e duhur, Ministrja e Arsimit sjell në vëmendje tragjedinë e Gërdecit. Lindita Nikolla kujton se si shefi i saj në qeveri i rrihte shpatullat Berishës në spital kur shpërtheu Gërdeci. Ajo gjeti mjaftueshëm hapësirë në këtë reagim për të kujtuar akuzat që mbajti Edi Rama mbi shpatullat e tij për atë gjest me Berishën.

Me – ‘Ju qofshi!’ – e mbyll postimin Nikolla, pa dhënë asnjë shpjegim konkret për ngjarjen e rëndë, ku 60 nxënës u helmuan nga keqfunksionimi i kaldajës së re të instaluar pas rikonstruktimit të shkollës.

Basha reagoi në Facebook për ngjarjen duke thënë se investimet në shkolla nuk mund të bëhen pjesë e babëzisë qeveritare qëndrore apo lokale, pa përmendur me emër Nikollën apo institucionin që ajo drejton. ©LAPSI.AL 

STATUSI I LINDITA NIKOLLËS:

Zoti Basha!

Në çdo vend normal dhe bashkësi normale njerëzish nuk ndodh kurrë që politika të bëjë hesapet e veta, teksa ka rënë një fatkëqësi, ciladoqoftë e për çfarëdo arsye qoftë!

Sot ne të gjithë po merremi me femijët e Shupenzës dhe ju siguroj se falë angazhimit të të gjithëve, ata fëmijë po marrin shërbimin e duhur në kohën e duhur. Ndërsa ju po bëni hesapet tuaja, duke mos pritur as deri nesër për të vazhduar muzikën e stonuar të gramafonit tuaj, me akuza e revolta kundër qeverisë.

Disa vite më parë, u vranë 26 vetë dhe u hodhën në erë qindra shtëpi zoti Basha dhe koha më pas, tregoi edhe si edhe pse u shkrumbua një fshat i tërë, 15 minuta larg qendrës së Tiranës. Por atë ditë, në ato orë tmerri kombëtar, Edi Rama, atëherë në rolin që ju keni sot, u tregua njeri normal i një bashkësie njerëzish normalë dhe nuk u mor me hesapet e veta politike. Besoj ju kujtohet! Madje armiku që ju ka verbuar sytë dhe errësuar komplet arsyen, mori në kurriz edhe shumë akuza e shpotitje të pamerituara për “rrahjen e shpatullave” të kryeministrit në deren e spitalit.

Po ju sot?

Ju sot vazhduat me avazin tuaj vulgar të çdo dite, duke vazhduar të bëni sikur nuk ishte qeveria juaj e vjetër që e la Shqipërinë dhe arsimin në pikën më të zezë të hallit! Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli, kemi ndryshuar gjëra dhe edhe më shumë do t’i ndryshojmë, po një gjë është e sigurtë: Mes nesh dhe jush, mes Edi Rames e teje, ka një ndryshim të madh, si në ditë të mira si në ditë të vështira.

Është ndryshimi mes njerëzve normalë që duan ta bëjnë normal këtë vend, duke mbajtur në kurriz prej katër vjetesh, të gjithë trashëgiminë e rëndë të keqqeverisjes suaj të gjatë dhe politikanëve anormalë. Të cilët këtë vend e duan vetëm kur i mban ata në kurriz ose përndryshe, janë gati t’i vënë shqelmin çdo ditë për të mos e lënë askënd të jetojë dhe punojë normalisht.

Ju qofshi!



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *